PAK CINIZËM PËR LIRINË

Më të lexuarat

Politikanët e botës, në Shqipëri, provuan të prodhonin një Pinokio.
Në laboratorët e tyre diplomatikë u ndezën dritat e skenës, u shtruan telat e padukshëm dhe u përgatitën fjalimet e gatshme për një kukull që do të fliste sipas komandës. E dëshironin të qeshte qoftë edhe me buzë të shtrënguara, të betohej solemnisht për moral, të dukej si një figurë e pafajshme e përrallës, ndërsa brenda saj të ruhej gjithë elasticiteti i drurit të butë, i gdhendshëm sipas shijeve të ambasadës që e merrte në dorë. Një projekt i menduar si lodër e bindur, një trup i lehtë për t’u transportuar nga një sallon protokollar në tjetrin, një kukull që të mbante aromën e freskët të Evropës, por të shërbente si vegël e përshtatshme për çdo interes të huaj.
Por eksperimenti dështoi; nga laboratori diplomatik nuk doli një kukull e bindur, por një Frankenstein, një trup i qepur nga interesa të huaja, ambicie lokale dhe komplekse historike, i gjallëruar jo nga ndërgjegjja, por nga energjia e babëzisë së pushtetit.
Në vend të një kukulle të butë, doli një krijesë e rëndë, e mbushur me qepje të dukshme, me plagë të mbuluara nga flamuj të huaj dhe me muskuj të fryrë nga etja për dominim. Çdo damar i tij rreh me ritmin e intrigave, çdo frymëmarrje nxjerr aromën e korridoreve ku pushteti pihet si verë e vjetër. Një trup që nuk njeh as turp, as ndalesë, një makineri e gjallë që e ka përvetësuar gjuhën e brutalitetit si alfabet të vetin.
Ky Frankenstein nuk gënjen si Pinokio; ai nuk ka nevojë për hundë që të zgjatet.
Ai flet me gojën plot, me dhëmbë të fshehur vampiri, dhe çdo fjalë e tij është një urdhër i mbështjellë me buzëqeshje të ftohtë.
Gënjeshtra shfaqet si frymë e përditshme, si program i shkruar në kockat e tij, si alfabet i ri i politikës. Çdo fjali është një gur themeli për cinizmin, çdo gjest një shenjë e deformimit të ngritur në normë. Ai ecën si përbindësh i vetëdijshëm për forcën, duke e shndërruar brutalitetin në virtyt dhe duke e ngritur mashtrimin në shkallë arti.


Ai e shpall gënjeshtrën si program, e shndërron deformimin në normë dhe brutalitetin në virtyt.
Fjalët e tij janë të skalitura si ligje, gjestet e tij të shfaqura si rituale pushteti. Çdo shfaqje publike është një ceremoni ku cinizmi ngrihet në podium dhe duartrokitjet e turmës shndërrohen në energji për trupin e tij të qepur. Ai ecën i lirë, i mbështetur mbi vetëdijen e forcës, duke e trajtuar pushtetin si frymë, jo si mjet, dhe duke e shpallur veten si arkitekt të së ardhmes.
E gjitha sa thamë, për disa që i shohin ngjarjet nga jashtë, kjo mund t’i duket ironike, veçse tashmë, ironia ka hyrë në fazën e dytë; Frankenstein-i kërkon të prodhojë një Pinokio.
Në laboratorët e tij të errët, ku telat varen si damarë të rinj, ai kërkon një kukull të freskët, një fytyrë të re që të duket e pastër dhe e ndritshme, një trup që të mbajë aromën e reformës, por të ruajë brenda të njëjtën energji të errët që e gjallëron përbindëshin. Ëndrra e tij është një Pinokio i ri, një fasadë elegante që të flasë për moral dhe integritet dhe të mos të turpërohet kur gënjen.
Kërkon që pranë tij të jetë edhe dikush të cilit i rritet hunda, një figurë e re që të shërbejë si dekor në skenën e lodhur të pushtetit. I janë mërzitur fytyrat e vjetra që e rrethojnë, të cilat e imitojnë pa fantazi, gënjejnë me të njëjtën gjuhë të konsumuar dhe nuk japin asnjë shenjë turpi, asnjë ngjyrë në faqe, asnjë dridhje në zë. Turma e tij është bërë një kor monoton, një orkestër e shurdhët që përsërit të njëjtën melodi të pushtetit, pa asnjë notë të freskët.
Për këtë përbindëshi Frankenstein do një kukull që të duket e re, e pastër, “evropiane”, një fasadë e ndritshme që të shfaqet në fotografi si simbol i reformës dhe modernitetit. Një trup i lëmuar, i veshur me kostum të qepur sipas modës së Brukselit, një zë që të flasë për integritet dhe transparencë, ndërsa brenda tij të ruhet e njëjta energji e errët që e gjallëron përbindëshin. Një kukull që të mbajë në xhep vidat e laboratorit, të ketë në damarë qepjet e pushtetit, dhe të shërbejë si maskë e re për të njëjtën histori të deformimit.


Kërkon një gënjeshtar më elegant, një fasadë më fotozhenike, një zë që të flasë për reforma ndërsa në dukjen e tij mban paraqitjen e ndryshme të mirësisë së përbindëshit.
Në sallonet e pushtetit përfytyrohet një figurë e re, e lëmuar si pasqyrë, e ndritshme si reklamë, e aftë të buzëqeshë për kamerat dhe të artikulojë fjalë të mëdha për integritet e transparencë. Një kukull që të duket e freskët, e pastër, e pajisur me gjuhën e reformës, por që brenda trupit të saj të mbajë të njëjtën mekanikë të errët, të njëjtën energji që ushqen përbindëshin. Një fasadë e ndërtuar për fotografi, një zë i stërvitur për podiume, një trup i qepur për të fshehur vidat e laboratorit.
Por këtu lind problemi thelbësor; kush lind nga projekti i Frankensteinit, shumë rrallë mund të ndodhë që del Pinokio.
Historia politike është një arkiv grotesku, ku çdo krijesë e re mban gjurmët e qepjeve të mëparshme, ku çdo fasadë e freskët është vetëm një version më i sofistikuar i deformimit patollogjik. Kukullat e reja vetëm në dukje sjellin pafajësi, ndërkohë që riciklimi i cinizmit shfaqet qysh në ditën e parë; ajo që sjellin, është një estetikë e re e mashtrimit, pa skrupuj dhe pa moral. Çdo eksperiment i pushtetit është një përbindësh i ri, i veshur me kostum të pastër, i fotografuar me buzëqeshje të ndritshme, por i gjallëruar nga e njëjta energji e errët që e ka mbajtur laboratorin gjallë.
Pikërisht për këtë, historia politike nuk njeh riciklim të pafajshëm.
Arkivat e saj janë të mbushura me krijesa të përsëritura, me figura që ndryshojnë vetëm maskën, ndërsa brenda mbajnë të njëjtën frymë të pushtetit. Çdo epokë sjell një version të ri të së njëjtës lojë, një fasadë të freskët që mbulon plagët e vjetra, një kukull të re që flet me gjuhën e reformës, por që lëviz me ritmin e intrigës së përhershme.
Nga laboratorët e pushtetit nuk dalin kukulla morale, por versione gjithnjë e më të sofistikuara të së njëjtit deformim.
Çdo eksperiment prodhon një përbindësh më të stolisur, një trup më të lëmuar, një zë më të stërvitur për podiume, por gjithnjë të gjallëruar nga e njëjta energji e errët. Kukullat e reja janë thjesht kopje të rafinuara, të pajisura me gjuhën e integritetit, por të mbushura me cinizëm në damarë. Laboratori i pushtetit është një fabrikë groteske, ku deformimi kalitet si art dhe ku çdo krijesë e re është vetëm një variacion më i ndritshëm i së njëjtës farsë.

Në çdo përpjekje për të prodhuar bindje, zakonisht në përfundim prodhohet vetëm cinizëm; në çdo përpjekje për të vendosur stabilitet, zakonisht lind kaos i maskuar.
Çdo fjalim i madh për reformë kthehet në një koreografi mashtrimi, çdo premtim për rend e qetësi shndërrohet në një skenë të re ku kaosi vishet me kostum zyrtar. Bindja nuk lind nga argumenti, por nga lodhja e turmës; stabiliteti nuk është frymë, por dekor i përkohshëm mbi një themel të çarë.
Prandaj pyetja nuk është më a do të dalë Pinokio nga duart e përbindëshit Frankenstein? Pyetja është; çfarë lloj përbindëshi po përgatitet këtë herë dhe sa gjatë do të na bindin se është thjesht një kukull dhe do jetë vetëm lodër?
Laboratori i pushtetit nuk pushon së punuari; telat varen, qepjet përgatiten, fasadat lustrohen. Çdo cikël politik është një eksperiment i ri grotesk, një përbindësh i stolisur me gjuhën e moralit, i fotografuar si kukull e pafajshme, por i gjallëruar nga e njëjta energji e errët. Pyetja e vërtetë është sa gjatë do të durojmë këtë farsë, sa gjatë do të pranojmë që deformimi të na shitet si reformë, dhe sa gjatë do të duartrokasim kukullat që dalin nga e njëjta fabrikë e cinizmit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit