Falënderimi i takon Allahut për kënaqësinë e lutjes ndaj Tij. Paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij.
Këta janë disa hapa të propozuar për të përfituar sa më shumë nga namazi i teravive:
1. Zgjidh xhaminë ose vendin ku e ndjen zemrën më të përqendruar në namazin e teravive.
2. Nëse e fal gjithmonë në të njëjtin vend, kjo është më mirë.
3. Cakto pak kohë (30–60 minuta) për të lexuar ose dëgjuar diçka rreth ajeteve që do të lexohen në teravi, si p.sh. një shpjegim i shkurtër i Kur’anit ose i sureve.
4. Ha lehtë në iftar, aq sa të të japë forcë për adhurim, pa e rënduar trupin.
5. Largohu sa të mundesh nga shpërqendrimet që nga momenti i përgatitjes për të shkuar në xhami e deri në kthim në shtëpi; më e rëndësishmja është telefoni.
6. Mundohu të shkosh herët në xhami për teravi (të paktën 10 minuta para ezanit).
7. Kujto se qëllimi kryesor i Ramazanit është devotshmëria (takvaja) dhe vetëdija se Allahu të sheh. Mbaje këtë ndjenjë gjatë gjithë teravive, madje që nga përgatitja për të shkuar në xhami.
8. Gjatë teravive, përqendrohu te ajetet që e rrisin frikë-respektin ndaj Allahut dhe njohjen për Të, sepse takvaja rritet me njohjen e Allahut.
9. Sapo të përfundojë namazi, shkruaj ajetin që të ka prekur më shumë zemrën.
10. Jepi vetes rreth 3 minuta për të menduar për atë ajet:
– çfarë ndikimi ka te ti
– si mund ta zbatosh në jetën tënde
para se të ngrihesh nga vendi i faljes.
11. Nëse fal namaz nate vetëm, pas teravive, lexo po ato ajete që të kanë ndikuar gjatë teravive.
12. Lexo shpjegimin (tefsirin) e atij ajeti në të paktën tre libra tefsiri.
13. Dëgjo edhe një shpjegim audio për të njëjtin ajet.
14. Përcakto tre vepra praktike që ta forcojnë kuptimin e ajetit në zemrën tënde.
15. Shkruaje ajetin dhe vendose diku ku ta shohësh shpesh.
16. Përsërite ajetin sa herë ta kujtosh dhe mendo sërish për domethënien e tij.
17. Bisedo me një familjar ose mik për atë ajet, që edhe të tjerët të përfitojnë nga ajo që ke mësuar.
18. Shkruaj një përmbledhje të asaj që ke kuptuar nga ajeti dhe ndikimin e tij tek ti, jo më shumë se një faqe, në shënimet e tua personale.
Këshillë shtesë:
Nëse ke mundësi, provo të falesh vetëm në shtëpi para sabahut për rreth gjysmë ore çdo ditë në Ramazan; kjo të ndihmon të vazhdosh namazin e natës edhe pas Ramazanit, me lejen e Allahut.
Nëse nuk e kupton si ta zbatosh një ajet, pyet dijetarët që merren me këtë fushë.
Muhamed Abdul-Aziz Nesif
