10.1 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

Operacion policor në veri dhe në jug të Mitrovicës, një polic i plagosur nga rezistenca me armë

Më të lexuarat

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë kanë filluar një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës i cili ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe disa qytetarëve.

Siç njofton Policia e Kosovës në një komunikatë, këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së dhe policisë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe disa qytetarëve në vepra si “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “kontrabandim me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit” dhe “tregti e ndaluar”.

“Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër, si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës një zyrtar policor është plagosur, por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë”, njofton Policia e Kosovës.

– Haradinaj ftoi serbët e veriut të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin

Operacionin policor e ka komentuar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili në rrjetet sociale ka theksuar se bëhet fjalë për zbatimin e ligjit dhe asgjë tjetër dhe ka ftuar serbët e veriut të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin.

“Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale. Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë, por edhe qytetarë të rëndomtë”, shkroi Haradinaj.

“Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, theksoi ai./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit