11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nxirren në ankand 40 avionë të vjetër luftarakë shqiptarë

Më të lexuarat

Nxirren në ankand avionët ushtarakë. “Shqiponjat e qiellit”, siç njiheshin dikur mjetet ajrore të Luftës së Dytë Botërore, do të hiqen përfundimisht nga qarkullimi. Plot 40 avionë të tipave “Jak” dhe “Amdysh” do të shiten për t’u larguar nga ambientet e Aerodromit të Kuçovës. Me vendim të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, ato janë nxjerrë në shitje dhe pritet që së shpejti të nisë ankandi për blerjen e tyre nga kompanitë e interesuara.

Si njofton gazeta Panorama, mësohet se deri tani janë interesuar firma të huaja, si greke dhe italiane. Sipas specialistëve të Aerodromit të Kuçovës, mësohet se avionët ushtarakë të këtyre dy tipave kanë qenë aktivë për shumë vite me radhë, por tashmë, ndonëse janë ende në gjendje pune, cilësohen tepër të vjetër për shërbime. Ata janë shfrytëzuar gjatë luftës për operacione ushtarake, ndërsa në vitet e mëvonshme, kur u bënë pjesë e forcave ushtarake shqiptare, u përdorën për stërvitje të ndryshme e më pas dhe për qëllime civile, si në raste fatkeqësish natyrore, transport të sëmurësh apo dhe në ndihmë të bujqësisë, për spërkatje nga ajri.

Me grumbullimin e ushtrisë shqiptare në kazerma, në këtë kohë edhe avionët luftarakë u grumbulluan në Aerodromin e Kuçovës, një ndër më të mëdhenjtë dhe të vjetrit në Shqipëri. Ky aerodrom u ndërtua në fillim të viteve ’50 dhe pikërisht më 23 prill 1953 u ngrit prej tij avioni i parë luftarak.

Burime të sigurta bëjnë të ditur se janë rreth 40 avionë të tipave “Jak” dhe “Amdysh”, të cilët do të çelin serinë e shitjes së mjeteve ajrore. Më pas fatin e tyre pritet që ta kenë rreth 200 avionë reaktivë të tipave “Mig 15”, “Mig 17”, “Mig 19” dhe “Mig 21”. Një pjesë e tyre ndodhen në Aerodromin e Kuçovës, ndërsa pjesa tjetër në tunelet gjigante të zonës së Magjatës.

Në fakt, ende nuk dihet destinacioni i këtyre avionëve. Drejtues të bazës ushtarake thonë se Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar çeljen e procedurave të shitjes së tyre, ku të interesuarit mund të japin ofertat e tyre. Burimet thonë se nga Ministria e Mbrojtjes nuk është lejuar shitja e tyre për skrap. Megjithatë, mbetet i paqartë destinacioni, nëse do të vendosen në muze, si pjesë e dëshmisë së Luftës së Dytë Botërore, do të shërbejnë ende për fluturime apo do të përftohen për hekurishte. Sipas specialistëve të bazës, 40 avionëve, që përbëjnë partinë e parë të daljes në ankand, iu është bërë një remont special, me qëllim që të jenë në gjendje të lartë teknike kur të shiten, megjithëse prej vitesh ata nuk ishin aktivë.

Pastrimi i Aerodromit të Kuçovës nga avionët e vjetër i lë vend mbërritjes së helikopterëve të NATO-s. Që pas anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë, aerodromi është marrë në zotërim nga komanda e NATO-s, ku mjetet ajrore që do të vendosen aty do të shërbejnë për stërvitje ushtarake apo qëllime civile./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit