Humbja e jetës së dy fëmijëve dhe gjendja e rëndë e një vogëlushi tjetër, si pasojë e papërgjegjshmërisë së një shoferi të dehur, nuk mund të trajtohen më si një aksident i thjeshtë. Kjo është një tragjedi që ka përgjegjës dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë.
Shoqëria jonë po vuan pasojat e një krize të gjatë shoqërore, të mbushur me papërgjegjësi individuale, mungesë sigurie rrugore, moszbatim të ligjit dhe, mbi të gjitha, mungesë të thellë të ndërgjegjësimit qytetar.
Numri i të vdekurve në Shqipëri nga aksidentet rrugore ka arritur shifra alarmante, që shpesh krahasohen me statistika lufte. Që nga viti 1992, rreth 8,700 persona kanë humbur jetën vetëm nga aksidentet rrugore, ndërsa mbi 45 mijë të tjerë kanë mbetur me pasoja të rënda fizike apo invaliditet.
Nëse këtyre u shtojmë viktimat e vrasjeve gjatë viteve të tranzicionit dhe ngjarjeve të vitit 1997, shifra totale i kalon 15,000–20,000 jetë të humbura.
Pjesa më e madhe e viktimave i përket moshave aktive dhe të reja, kryesisht grupmoshës 25–34 vjeç, një realitet që i ngjan më shumë një vendi në konflikt sesa një shoqërie në paqe. Edhe më shqetësues është fakti se mes viktimave ka pasur edhe efektivë policie, si gjatë kryerjes së detyrës, ashtu edhe gjatë rrugës për në punë apo pas përfundimit të shërbimit.
Në këto ngjarje tragjike, edhe ngushëllimi për familjet mbetet tejet i vështirë. Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me lutjen: “Zoti e përmirësoftë gjendjen tonë”, por duhet të angazhohemi të gjithë së bashku për një ndërgjegjësim të vërtetë shoqëror në çdo aspekt të jetës.
