6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Nuk është anëtare, por Kina kryeson axhendën e G7

Më të lexuarat

Kina mund të mos jetë një pjesë e G-7, një grup i përbërë nga demokracitë më të mëdha dhe më të pasura në botë, por një nga temat më të diskutuara gjatë samitit të parë në gati dy vite është pikërisht Kina.

Kina dhe sfidat ideologjike të paraqitura nga fuqizimi i saj, do të jenë ndër temat më të diskutuara nga udhëheqësit e G7 kur ata mblidhen në Angli të premten. Në udhëtimin e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden pritet të bindë aleatët të bashkohen me Uashingtonin për një qëndrim sa më të ashpër ndaj Pekinit mbi veprimet e tij në Xinjiang, Hong Kong dhe Detin e Kinës Jugore, raporton abcnews.al

Në një deklaratë të përbashkët të enjten, Biden dhe homologu i tij britanik Boris Johnson u zotuan të mbështesin një hetim të mëtejshëm mbi origjinën e Covid-19, përfshirë edhe në Kinë.

Mbështetja nga Mbretëria e Bashkuar dhe ndoshta anëtarët e tjerë të G7 do t’i shtojnë peshë presionit të Biden për një hetim të mëtejshëm të origjinës së virusit, duke përfshirë  faktin nëse virusi ka dalë nga një laborator.

Pekini ka hedhur poshtë akuzat e Biden muajin e kaluar, duke akuzuar Uashingtonin për “manipulim politik “. Samiti gjithashtu pritet të diskutojë fillimin e një alternative të gjelbër të shtyrë fillimisht nga Biden për të rivalizuar Nismën “Një rrip, një rrugë” me një qëllim për të mbështetur zhvillimin e vendeve.

Disa vende  janë ftuar gjithashtu të jenë pjesë e samitit, duke përfshirë Australinë, e cila do të shfrytëzojë rastin për të kërkuar mbështetje në mosmarrëveshjet e saj tregtare me Kinën. Të mërkurën, Kryeministri Australian Scott Morrison bëri thirrje që kombet e G7 të mbështesin reformën e Organizatës Botërore të Tregtisë për të adresuar presionin ekonomik.

Aleanca në zhvillim ka të ngjarë të kundërshtojë më tej Pekinin. Të enjten, Ministria e Jashtme kineze goditi planin e Biden për të mbledhur aleatë ndaj Kinës, raporton abcnews.al

“Ndjekja e politikës së bllokut dhe formimi i grupeve të vogla janë diçka e papranueshme dhe të destinuara të dështojnë. Shpresojmë që vendet përkatëse të heqin dorë nga paragjykimi ideologjik dhe të shikojnë Kinën në një dritë më objektive dhe racionale,” tha zëdhënësi i ministrisë Wang Wenbin në një konferencë për shtyp.

Por në të njëjtën kohë, Kina ka deklaruar  se G7 është pjesë e së kaluarës dhe ndikimi i saj – së bashku me atë të kombeve të saj pjesëmarrëse është në rënie. Ky opinion, i cili është promovuar me forcë nga mediat shtetërore kineze, është mbështetur nga rimëkëmbja e dukshme ekonomike pas-pandemike e Kinës, raporton abcnews.al

Dhe ndërsa kombet e G7 mund të zhvendosen drejt një fronti të bashkuar në zona të caktuara, mbetet për t’u parë nëse vendet do të jenë të gatshme të rrezikojnë të dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe me Pekinin.

Vëzhguesit kinezë të cituar nga Global Times duken të bindur se “divergjencat thelbësore” të vendeve të G7 se si tia dalin me Kinën do t’i “pengojë ata të bëjnë ndonjë lëvizje thelbësore”. Në fakt, ndërsa bota fillon të rimëkëmbet nga pandemia, shumë vende perëndimore  janë më të varura se kurrë më parë nga tregu dhe investimet kineze.

Një ditë para fillimit të samitit të G7, Kina miratoi një ligj, i cili kundërshtonte sanksionet e huaja, një gjest simbolik për vendet perëndimore që masat e tyre qofshin ato mbi çështjet e Hong Kongut, Xinjiang, tregtisë ose teknologjisë – do të përballen më një hakmarrje të fortë nga Kina. Përktheu Sonila Backa-abcnews.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit