12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Një rënie e ndjeshme e çmimit të naftës në tregun botëror

Më të lexuarat

Tregtarët, të shqetësuas edhe nga paralajmërimi i drejtoreshës së FMN-së

Në tregjet botërore, çmimet e naftës ranë ndjeshëm në ditët e para të vitit 2023, sepse tregtarët kanë frikë se kërkesa për “arin e zi” do të dobësohet për shkak të ngadalësimit të rritjes së ekonomive më të mëdha në botë, raporton Reuters.

Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës u ul javën e kaluar me 8,5 për qind – në 78,57 dollarë, ndërsa në tregun amerikan, një fuçi ra me 8,1 për qind – në 73,77 dollarë.

Pas rritjes me gati 13 për qind gjatë tre javëve të mëparshme, çmimet e naftës humbën një pjesë të mirë të këtyre fitimeve javën e kaluar. Kjo është pasojë e shqetësimeve për kërkesën, veçanërisht nga Kina, importuesi më i madh në botë i “arit të zi”.

Pas kryerjes së një politike të “tolerancës zero” për virusin korona për tre vjet, autoritetet kineze po lehtësojnë me shpejtësi masat kufizuese, të cilat duhet të përshpejtojnë rritjen e ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Megjithatë, muajt e ardhshëm do të jenë shumë të pasigurt sepse virusi po përhapet me shpejtësi, ndaj shumë spitale dhe varreza raportojnë se janë nën presion për shkak të numrit të madh të të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid.

E gjithë kjo mund të dobësojë kërkesën, siç tregohet nga vendimi i Pekinit për të rritur kuotat për eksportin e derivateve.

“Ndjenja në treg është prishur nga pandemia në Kinë dhe sfidat e hapjes (të saj), të cilat kanë vënë në pikëpyetje tezën se kërkesa do të rikuperohet dhe çmimet do të rriten,” tha Norbert Ruecker, një analist në bankën zvicerane Julius. Baer.

Paralajmërim i FMN-së

Tregtarët u shqetësuan edhe nga paralajmërimi i drejtoreshës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgijeva, se ky vit do të jetë më i vështirë se i kaluari për shkak të ngadalësimit të njëkohshëm të ekonomive në SHBA, Kinë dhe Evropë, dhe se vendet që përbëjnë rreth një të tretën e ekonomisë botërore mund të zhyten në recesion.

Pritet një ngadalësim i rritjes ekonomike sepse bankat qendrore amerikane dhe evropiane, siç është paralajmëruar, do të rrisin sërish normat e interesit këtë vit për të shtypur inflacionin.

“Gjendja e ekonomisë botërore ka zëvendësuar të gjitha shqetësimet e tjera dhe do të dominojë për të ardhmen e parashikueshme,” beson Stephen Brennock i PVM Oil.

Perspektiva për ekonominë botërore do të luajë një “rol shumë më të rëndësishëm” në lëvizjet e çmimit të naftës në vitin e ri sesa politika e prodhimit të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatëve të tyre, shkruan në një shënim analistët gjermanë të Commerzbank.

Indikacionet e rimëkëmbjes së aktivitetit “në zonat kryesore ekonomike” do të shtyjnë sërish çmimet e naftës në tregun e Londrës drejt 100 dollarëve, potencialisht nga tremujori i dytë e në vazhdim, vlerëson banka gjermane.

Megjithatë, në një sondazh të Reuters, 30 analistë vlerësojnë se çmimi i një fuçie në Londër do të jetë mesatarisht 89,40 dollarë këtë vit. Në tregun amerikan, sipas këtyre vlerësimeve, çmimi mesatar mund të jetë rreth 84,85 dollarë.

Vitin e kaluar, çmimet e naftës në tregun e Londrës u rritën me rreth 10 për qind, që është më së shumti pasojë e ndërprerjeve të tregut për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa një vit më parë, falë rimëkëmbjes së ekonomisë botërore nga kriza e koronës u hodh me më shumë se 50 për qind. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit