Një kujtesë e thellë për njeriun dhe jetën

Më të lexuarat

Njeriu vjen në këtë botë i barabartë me çdo njeri tjetër. Askush nuk lind me pasuri, pushtet apo epërsi. Fëmija i mbretit dhe fëmija i më të varfrit dalin në jetë njësoj: të dobët, të pafuqishëm dhe nevojtarë. Asgjë nga kjo botë nuk na shoqëron në fillim, dhe asgjë prej saj nuk do të na shoqërojë në fund.
Edhe largimi ynë nga kjo botë është po aq i barabartë sa ardhja. Njerëzit ndahen nga jeta një nga një dhe vendosen nën dhe, në varre të zhveshura, pa tituj, pa pasuri, pa famë. Aty zhduken dallimet e rreme që i dhamë vetes në dynja, dhe mbetet vetëm ajo që kemi qenë vërtet.
Ajo që i jep vlerë njeriut nuk është ajo që posedon, por ajo që ka bërë. Janë veprat ato që e ngritin ose e poshtërojnë njeriun. Ato janë nderi ose turpi i tij. Dhe mbi to do të ndërtohet llogaria jonë e drejtë Ditën e Gjykimit, ditë në të cilën askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.
Pas kësaj bote na presin dy përfundime, dhe asnjë i tretë. Ose mëshirë, begati dhe lumturi e përjetshme, kopshte, rehati, bukuri dhe kënaqësi të Xhenetit, ose dënim, dhimbje dhe zjarr i Xhehenemit. Mes këtyre dy përfundimeve po ndërtohet sot rruga jonë.
Prandaj njeriut i mbetet të zgjedhë. Të zgjedhë çfarë do të mbjellë, sa kohë që ende merr frymë, sa kohë që dita dhe nata i jepen si mundësi. Sepse vjen një ditë kur zgjedhja mbyllet, kur pendimi nuk sjell më dobi, dhe kthimi nuk është më i mundur.
Atë ditë njeriu do të shohë fundin e vërtetë të rrugës së tij: ose Xhenetin e përjetshëm, ose humnerën. Dhe çdo hap i sotëm po e afron drejt njërës prej tyre.
MEDITO….!

/Fitim Gërguri/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit