… dhe një mbretëri që nuk shuhet

Më të lexuarat

Në shkollën fillore, ambicia ime ishte një fletë kartoni me ngjyra, me titullin Certifikatë Mirënjohjeje,
që u jepej tre nxënësve më të dalluar të çdo klase.
Atëherë besoja se gëzimi i saj nuk do të shuhej kurrë.

U rrita…dhe në horizont u shfaqën fletë të tjera kartoni.

Dëshmia e ciklit fillor.
Ende i mbaj mend kërcimet e mia nga gëzimi, teksa vrapoja pranë mureve të shkollës në të cilat nuk do të kthehesha më kurrë, në ato dhoma të zymta.
Mendoja se kjo lumturi do të më shoqëronte gjithë jetën.

Por shpejt ndalova së kërcyeri, sepse pashë diçka tjetër që më thërriste nga larg.

Dhe kështu…synova nderimin universitar, duke menduar se ishte pika e fundit në faqen e ambicies me të cilën do të ushqehesha për gjithë jetën.

Por nuk ishte veçse një copëz letre, edhe po të ishte e futur mes dy kapakësh druri.
E hodha mënjanë bashkë me dëshminë blu prej kartoni,
që i ngjante asaj në vyshkje dhe përkohshmëri.

U përpoqa të jem i kënaqur, por sërish dështova.

Tashmë tundimet më thërrisnin nga çdo anë:
postet, studimet pasuniversitare, magjistratura, doktoratura…

Dhe çdo herë, nga etja e madhe, mendoja se kisha mbërritur në lumin Eufrat, por më pas ndjeja vetëm rërën nën këmbë.

Nuk ishte aty.
Ishte vetëm një mirazh në një shkretëtirë të zhveshur.

Pse nuk mësojmë nga mësimet e mirazhit?

Është dredhia dinake e armikut. Çdo herë na thotë: kënaqësia që vjen nuk shuhet, nuk zbehet;
shtëpia e re do të jetë parajsë, marrëveshja e ardhshme do të jetë pasuria, posti që shfaqet është lavdia dhe madhështia, makina për të cilën kursen do të të mbajë të lumtur përgjithmonë; udhëtimi, shëtitja, tubimet, miqtë…

Iluzioni mashtrues i përjetësisë së kënaqësisë, të cilin armiku ynë ia zbukuroi edhe babait tonë më parë.

Nuk mjaftoi tundimi me mbretëri, as me pavdekësi, derisa na joshi edhe me idenë se ambiciet tona janë të paprekshme nga vyshkja, nga kalbëzimi dhe nga shuarja.

Problemi nuk është në arritjen e kënaqësive të lejuara,
por në iluzionin tonë se shkëlqimi i gëzimit të tyre nuk shuhet.

Askush nuk qan për lulet kur vyshken, sepse ne e dimë se ato vyshken çdo ditë…

Të gjitha kënaqësitë tona janë lule në fushën e jetës.

/Dr. Abdullah BilKasim/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit