6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

NGA TREGIMI KUR’ANOR PËR MERJEMEN R.A., KAM MËSUAR SE LEHTËSIMI VJEN ANDEJ NGA NUK E PRESIM

Më të lexuarat

Nga tregimi kur’anor për Merjem bint Imran, r.a., kam kuptuar se ligjet në kozmos kanë të bëjnë me njerëzit e jo me Allahun xh.sh., dhe i Gjithëmëshirshmi i vendos ligjet në kozmos për t’i udhëhequr ato, e jo që me këto ligje të kufizohet forca e Tij, Ai është i lartë mbi ato që Atij njerëzit ia përshkruajnë. Dhe ashtu siç Allahu e krijoi Ademin a.s., pa nënë dhe baba, ndërsa Havën nga brinja e Ademit, ashtu edhe të birin e Merjemes, Isain a.s., e krijoi pa baba biologjik, që njerëzve t’u bëhet argument i qartë i fuqisë dhe madhështisë së Allahut.

Nga tregimi kur’anor për Merjemen, r.a., kam mësuar se lutja e prindërve është “shigjetë” e cila gjithmonë e qëllon shenjën, gjegjësisht është lutja të cilën e pranon Allahu xh.sh., andaj duhet të lutemi për çdo të mirë për fëmijët tanë. Derisa Merjemja ishte ende në djep, nëna e saj lutej:

E kur ajo lindi, tha: ‘Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, – e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar.’” (Al ‘Imran, 36)

Për këtë, shejtani nuk ka mundur t’i afrohet Merjemes dhe djalit të saj, Isait a.s., të cilin Allahu e bëri pejgamber të zgjedhur të Tij.

Nga tregimi kur’anor për Merjemen a.s., kam kuptuar se zemrat pastrohen dhe lëmohen në mihrabe (xhami) e jo në sexhdet për namaz, varësisht lidhjes së tyre me tesbih dhe lutje, Allahu, xh.sh., i forcon dhe i përgatit për ta ndryshuar botën, siç nënkupton ajeti:

O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!” (Al ‘Imran, 43)

Nga tregimi kur’anor për Merjemen a.s., kam mësuar se besimtari në çdo situatë së pari i frikësohet Allahut xh.sh., dhe devotshmëria është mbi të gjitha. Kur Merjemja e pa melekun Xhibril a.s., në formën e njeriut të përsosur, fjalët e para që i tha ishin:

…Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.” (Merjem, 18)

Në atë moment nuk i ra ndërmend Zekerija a.s., i cili kujdesej për të dhe i cili e edukoi, as klerikët të cilët hodhën pendët e tyre nga kallami që të shohin se kush do të përkujdesej për Merjemen. Kështu është gjendja e besimtarit të sinqertë, në çdo moment dhe në çdo situatë së pari i bie ndërmend Allahu e pastaj njerëzit.

Nga tregimi kur’anor për Merjemen, r.a., kam kuptuar se njeriu mbetet qenie njerëzore pa marrë parasysh çfarë shkalle imani-besimi ka arritur. E para gjë që Merjemja tha, pasi lindi Isain a.s., ishte:

…Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” (Merjem, 23)

Gabojnë ata të cilët mendojnë se besimi (imani) i bën njerëzit engjëj të cilët nuk frikësohen, nuk brengosen, nuk durojnë, nuk pikëllohen, etj. Feja vetëm na frymëzon, na bën që ta kuptojmë më mirë jetën, na bën më të ndjeshëm dhe më përgjegjës, ndërsa Merjemja e dëshiroi vdekjen pasi lindi, ngase e dinte çfarë e priste kur të shkonte me djalin e saj para popullit të saj.

Nga tregimi kur’anor për Merjemen a.s., kam mësuar se kjo botë është vend i lidhjeve pasojë-shkak e ligjeve dhe Allahu xh.sh., askënd nuk e ka bërë të pavarur nga këto ligje; këtë do ta bënte me Merjemen a.s., kur ishte në kulmin e dobësisë dhe pamundësisë për shkak të lindjes. Por, edhe pas kësaj, Allahu e urdhëron:

Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!” (Merjem, 25)

Allahu e di se ajo nuk mund ta lëkundë drurin e palmës, por në këtë mënyrë na mëson që të përpiqemi sa të mundemi, sikur na mëson që të besojmë se mundi ynë në vetvete nuk do ta rrisë furnizimin tonë dhe as mungesa e mundit nuk do ta zvogëlojë furnizimin, por rëndësia qëndron tek ajo se të tërhiqet vëmendja te fakti se dynjaja nuk është krijuar pa qëllim dhe nuk i është lënë vetvetes, por ekziston në ligjet që Allahu i ka përcaktuar.

Nga tregimi kur’anor për Merjemen r.a., kam mësuar se ne ndonjëherë heshtim, jo për shkak të dobësisë dhe pafuqisë, por për shkak se disa njerëzve nuk vlen t’u flitet, pa marrë parasysh çfarë u themi. Njerëzit ndonjëherë dëgjojnë vetëm atë që dëshirojnë dhe pikërisht për këtë Merjemja, kur erdhi te populli i saj, duke bartur djalin e saj, Isain a.s., të cilin e kishte lindur si e virgjër, vetëm tha:

Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” (Merjem, 26)

Nga tregimi kur’anor për Merjemen r.a., kam mësuar se me problemet duhet ballafaquar me qetësi dhe maturi, se ne nuk mund ta lëvizim dynjanë kryengul, andaj nëse kemi ndonjë problem në jetë nuk duhet ta shikojmë tërë jetën si problem. Pa marrë parasysh të gjitha ato që i ndodhën Merjemes, mbetja shtatzënë dhe lindja e fëmijës si e virgjër, për të cilën populli i saj më vonë e lëndoi dhe shpifi, Allahu xh.sh. e urdhëron që të gjitha këto t’i hedhë pas shpine dhe të jetojë momentin e jetës dhe të kënaqet më të, andaj i shpalli:

Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: ‘Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.’” (Merjem, 26)

Nga tregimi kur’anor për Merjemen a.s., kam kuptuar se lehtësimi për njeriun vjen nga nuk e shpreson dhe se ligjet që Allahu xh.sh. ka vendosur dhe përcaktuar janë të përhershëm.

Dije për Allahun në lehtësi, Allahu do të di për ty në vështirësi dhe fatkeqësi.

Askush në tokë, duke përfshirë edhe Merjemen, nuk ka mundur të mendojë se fëmija i porsalindur do të veprojë dhe mbrojë nënën e vet para gjykimit të pamëshirshëm të masës, se do t’i heshtë të gjitha gjuhët e tyre dhe do të sjellë argumente për virgjërinë dhe pastërtinë e Merjemes.

Nga tregimi kur’anor për Merjemen a.s., kam mësuar se njeriu nuk do të jetë realisht i lirë nëse nuk është rob i Allahut xh.sh. Akidja (besimi) është identiteti i njeriut, teuhidi (monoteizmi) është nacionaliteti i tij, ndërsa vërtetimi i robërimit dhe i adhurimit vetëm ndaj Allahut, e vetmja biletë për Xhenet. Populli i tubuar priti të dëgjojë cili është ky identitet dhe nacionalitet i djalit të Merjemes, Isait a.s., dhe fëmija i porsalindur qartë u tregoi duke u thënë:

Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 30-33)

 

Ed’hem Sherkaui

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit