14.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Nga sot rryma shtrenjtohet 15 për qind  

Më të lexuarat

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar tarifat e reja për energjinë elektrike dhe se nga sot, 1 prill 2023 rryma do të shtrenjtohet për 15.4 për qind bazuar në këto tarifa.

Sipas ZRRE-së, kjo rritje ka ardhur për arsye se ende çmimet e importit për energji mbesin të larta.

Vendimi thotë se ata që harxhojnë 300kWh rritja do të jetë 2.88 euro, kurse ata që shpenzojnë 450kWh rritja do të jetë 4.18 euro dhe për harxhim 600kWh rritja do të jetë 5.49 euro.

Për ata që harxhojnë 800kWh rritja do të jetë 7.21 euro, ndërsa ata që shpenzojnë 1,000kWh rritja do të jetë 10.51 euro dhe konsumatorët që harxhojnë 1,200kWh rritja do të jetë 13.80 euro.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pas vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se kjo rritje nuk i prekë as edhe për një cent të vetëm serbët të cilët, që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, ujin, mbeturinat dhe shërbimet tjera, në ndërkohë që kanë punuar për interes të Serbisë dhe kundër institucioneve të Kosovës.

KMDLNj theksoi se diskriminimi i qytetarëve në baza etnike është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe vepër penale e kjo po ndodhë në Kosovë, shqiptarët dhe joserbët janë të detyruar të paguajnë të gjitha faturat, kurse serbët këtë nuk e bëjnë, që nga përfundimi i luftës e deri më tani.

“Në një vend normal ku ka aktivizëm qytetarë dhe deputetë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, asnjë qeveri nuk do t’i mbijetonte presionit të arsyeshëm shkaku i diskriminimit të lakuriquar në baza etnike. Po nëse ky veprim do t’iu bëhej serbëve, rasti do të shkonte deri te Kombet e Bashkuara”, u tha në reagim.

Reagime për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka pasur edhe nga partitë opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës të premten kërkoi nga qeveria që të ulë në zero tatimin për faturat e energjisë elektrike, në mënyrë që qytetarët të përballojnë shtrenjtimin e serishëm të energjisë prej 15.4 për qind. Sipas tyre, urgjente është edhe krijimi i kapaciteteve të reja gjeneruese për energji.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, në konferencë për medie të premten, tha rritja e çmimit të energjisë dy herë brenda dy viteve të Qeverisë Kurti është pamje e qartë e dështimeve ekonomike të tyre dhe shtrydhjes financiare të familjeve kosovare.

Ndërkaq, ditë më parë kundër shtrenjtimit të rrymës janë shprehur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kujtojmë se ZRRE-ja edhe më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit