22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Nga Redi SHEHU: Më mirë një salcë revizioniste në gjellën e duhur, sesa një salcë marksiste në kokën e gabuar

Më të lexuarat

Pak ditë më parë, të gjithë ishim dëshmitarë të një ngjarjeje të ashtuquajtur studentore, ku një vajzë thjesht me qetësi dhe pa bezdisjen e askujt i derdhi në kokë një lëng, i pretenduar si salcë, ministres së Arsimit të Republikës, zj. Nikolla. Ky është edhe rasti i parë që salca bie në tigan, pas disa tentativave të dështuara nga ana e ca vezëve që të gjenin tiganin e duhur.

Ngjarja ishte shqetësuese. Jo, aspak shqetësuese në atë kuptimin partiak dhe rreshtues që i karakterizon debatet tona, qoftë edhe lidhur me motin. Ishte shqetësuese në kuptimin fenomenologjik, të asaj që ndodh në një shoqëri kaotike si kjo e jona, ku dështimi është tipar themelor i saj dhe arritjet janë disa shifra minimaliste që sforcueshëm rreshtohen në disa dokumente politike që shpallen në foltoret qeveritare. Akti i vajzës, e cila shfaqet si studente, duhet lexuar brenda tekstit që shoqëron ideologjinë frymëzuese të grupimeve të tilla që kanë filluar të shfaqen “pafajshëm” në mjediset e dijes, e jo vetëm të saj, por edhe në tubime, në ceremoni, apo edhe në ngjarje kulturore, ku një tis i kuq, ngjashëm me salcën, po vërtitet në këtë Shqipërinë tonë që më së shumti është viktimë e kësaj ideologjie.

Teksa dëgjoja patosin me të cilin mbrohej nga anëtarët dhe themeluesit e asaj që ata e quanin “lëvizja politike” akti, si dhe mënyra e veprimit, e artikulimit, dhe simbolika e këtij grupimi, që përmblidhej me një grafikë ku qartë dallohej përkatësia ideologjike, pra, simolikë e përfaqësuar nga ideografia thellësisht marksiste përzier me punizëm shqiptar, një shqetësim natyrshëm të përshkon të tërin, kur si një flash historia të kalon para syve plot me fakte e shifra tmerruese. “Ne nuk gjuajtëm zj. Nikolla si person, por dëmtuam atë që ajo përfaqëson,” u shprehën ata, duke konfirmuar bindshëm, as më shumë e as më pak, thjesht thelbin e marksizmit, i cili nuk e shikon individin si të kuptueshëm jashtë një klase në të cilën ai duhet të bëjë pjesë, dhe se jeta sociale marksiste bazohet pikërisht në luftën e klasave, ku klasa e shtypur duhet të përdorë ekskluzivisht dhunën për të ardhur në pushtet dhe po dhunën (diktaturën e proletariatit) për të mbajtur pushtetin.

Pra, ndarja mes individit si subjekt i ndërgjegjes, si subjekt politik, dhe individit si përfaqësues i një klase të shoqërisë, duket se është e pamundur për bindjet e leninistëve të rinj shqiptarë, që me zhdukjen e pavarësisë individuale të ndërgjegjes fshijnë në të njëjtën kohë edhe nderin e dinjitetin që e bashkëshoqëron një individ në shoqëri. E, meqë klasa sunduese është e keqe, ajo duhet luftuar në tërësi, në kolektivitet, përmes mjeteve dhe formave të dhunshme. Madje, sipas tyre, ekziston edhe “ndërgjegjja fallso” e klasës së shtypur (që për çudi në këtë rast ishin studentët), e manipuluar nga sistemi kapitalist, ndërgjegje fallso e cila duhet çliruar sa më parë përsëri përmes dhunës.

Në këtë rast, ne këtu duhet të ndajmë hilenë që leninistët e rinj shqiptarë përdorin. Hileja e tyre përmblidhet në gjuhën populiste, antiestablishment, antisistem, antikorrupsion, antinepotizëm, etj., gjuhë dhe pretendime që për çdonjërin janë moralisht të qëndrueshme, por që ata e artikulojnë edhe duke përdorur mjete e metodologji marksiste. Hileja tjetër e tyre përmblidhet në përfaqësimin e masës (klasës së shtypur), duke i dhënë vetes atribute të pamerituara përfaqësimi, larg të vërtetës, vetëm që në emër të klasës të justifikohet dhuna. Këto hile të përdorura nga ata bëjnë që shpesh shumë njerëz të bien pre dhe ta ngatërrojnë kritikën dhe opozitën e drejtë ndaj dështimeve dhe gabimeve të qeverisjes, që normalisht duhet bërë, me mbështetjen e këtyre marksistëve vetëm për faktin se shfaqen publikisht me aksione guerrile. Madje, edhe mbështetës të opozitës së djathtë nuk ngurrojnë të shpallin një aleancë verbale me këtë grupim kundër qeverisjes, duke harruar shpejt historinë si dhe moralitetin që mund ta përshkojë një aleancë të tillë.

Ngjarje të tilla shoqërohen me kompleksitete të tipit që, nëse ti kritikon njërën palë, atëherë medoemos duhet të jesh me palën tjetër. Tipike e realitetit dyngjyrësh shqiptar, ku aksionerë të tij jemi të gjithë ne. Fakti se lëvizja marksiste është e papranueshme për bindjet e mia, nuk do të thotë se zj. Nikolla ka të drejtë. Madje ekstreme të tilla sjelljesh bëhen pikërisht për ta bunkerizuar audiencën në njërën nga dy ngjyrat, për ta pasur më të lehtë pastaj shtimin e radhëve të tyre, si dhe për ta faktorizuar ekzistencën e proletariatit anonim shqiptar.

Marksistë-leninistët e rinj shqiptarë duhet të përditësohen në këtë realitetin tonë postmodern, që në të njëjtën kohë është edhe aq postnormal, t’i lënë mënjanë librat e zverdhur të marksizmit dhe historitë tashmë të dështuara të tyre, dhe të kuptojnë se teoria marksiste që “borgjezia mbi të gjitha prodhon varrmihësit e vet” është aq pa sens, sa sot ekonomia kapitaliste e një shteti që mbahet si koka e kapitalizmit botëror, si SHBA-ja, të mbahet gjallë nga blerja e borxhit të saj nga ana e Kinës, që në drejtimin e vet ka një parti komuniste dhe ku komunizmi është shtatzënë me kapitalizmin. Sigurisht, për marksisto-punistët shqiptarë, kjo do të quhej revizionizëm, por ja që më mirë një salcë revizioniste në gjellën e duhur, sesa një salcë marksiste në kokën e gabuar. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit