Nga raporti me Allahun tek raporti me njerëzit: Si Sheriati ndërton një shoqëri të drejtë – Hoxhë Harith Selimi

Më të lexuarat

Sheriati, ligji i Allahut në tokë, ka zbritur me dy objektiva kryesorë, apo thënë ndryshe, ia përgatit besimtarit pamjen drejt dy horizonteve të ndryshme. Këto horizonte janë: e para drejt Allahut dhe e dyta drejt krijesave që na rrethojnë.

Që do të thotë, Sheriati tek pika e parë na rregullon marrëdhëniet mes robit dhe Allahut, ndërsa në pikën e dytë e rregullon marrëdhënien e robit me krijesat e tjera.

Për këto dy horizonte kemi dispozita të ndryshme që na janë vendosur si ligj për të ndërtuar raporte të shëndosha, si ato hyjnore por edhe ato ndërnjerëzore.
Kur jemi tek raportet ndërnjerëzore dhe tek dispozitat të cilat lidhen me këtë temë, dhe kur ne ndalemi tek raportet tona ndërnjerëzore, shohim se këto raporte i mirëmbajnë dy faktorë që janë: pikësepari dispozitat apo thënë ndryshe hukmet fetare dhe ligjore, si dhe vlerat morale të cilat zhvillohen si nga feja por edhe nga shoqëria.

E jo rrallëherë, kur ndalemi t’i vlerësojmë veprat tona ndërshoqërore, sikur na ka ëndja më shumë t’i vlerësojmë ato vetëm në prizmin e asaj që kemi leverdi më shumë. Në rastin më të mirë, i vlerësojmë vetëm në prizmin e dispozitave që “së paku” para Zotit të jemi në rregull, e këtu gjejmë veten duke u arsyetuar me fjalët se: “moralisht ndoshta nuk është e duhura, por parimisht është në rregull”…

E mu kjo mendësi, sado që në pamje të jashtme tregon kujdes fetar, nuk është aspak e duhur dhe as profetike!

Pasi që prej arsyeve të profecisë është ajo që tha i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem: “Me të vërtetë jam dërguar që të përsos moralin e mirë” (Silsiletu Sahiha 45), ndërsa në një hadith tjetër tha: “Më të dashurit e mi dhe më afër meje me pozitë ditën e gjykimit do të jenë ata që kanë moral më të mirë” (Tirmidhi 2018).

Prandaj, vlerësimi i duhur sheriatik është kur vlerësimi të jetë si në aspektin parimor, po ashtu edhe në aspektin moral; dhe kjo është ajo që e dallon Sheriatin tonë nga ligjet e tjera. E pikërisht me këtë dalloheshin sahabët e nderuar nga ajo që ne jemi sot, ku tregohet për Zubejr ibn Auamin (All-llahu qoftë i kënaqur me të) se kur njerëzit dilnin për udhëtim e ia linin pasurinë atij për ta ruajtur, apo thënë ndryshe amanet, – e në aspektin fikhor dihet që për gjërat amanet nuk ka garanci nëse ajo shkatërrohet nga shkaqe jashtë mundësisë së personit që e mban – Zubejri, radijallahu anhu, vetëm e vetëm që t’u jepte garanci nga vetja e tij të tjerëve, ai nuk i prante si amanet, por u thoshte: “këtë po ta marr borxh”, sepse për borxhin, çfarëdo që të ndodhë, duhet ai ta paguajë…
Ai nuk zgjodhi që të ishte rehat duke shfrytëzuar të drejtat fikhore për vete, por përkundrazi, ai zgjodhi që me moralin e tij t’i kthejë dispozitat në disfavor të tij, vetëm e vetëm t’u sjellë të tjerëve garanci.

E shumë e shumë virtyte të tjera me të cilat ata dalloheshin ishin morale që nuk mund t’i përthekosh në aspekt dispozitativ.

Ndërsa, në anën e kundërt, kur vlerësimi të jetë vetëm dispozitativ dhe jo moral, atëherë ky mentalitet avokati do të sjellë në shoqëri hilegjinj që ta dinë fikhun më mirë se një hoxhë, e kjo padyshim që është në ndesh me qëllimin e Sheriatit.

… “Me të vërtetë u dërgova që të përsos moralin e mirë”, le të jetë kjo fjalë shtylla e çdo vlerësimi të veprave tua, ku çdo marrëdhënie e jona të ndërtohet mbi dispozita të drejta dhe moral të lartë.
Harith Selimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit