Të gjithë ne në jetë hasim në sfida të ndryshme gjatë jetës sonë, dhe jeta pa dyshim ka baticat dhe zbaticat e saja, dhe gjatë këtij rrugëtimi tonë shpesh hasim në ca momente ku na rëndohet jeta dhe na ngushtohet shpirti, e ndonjëherë aq shumë i ngushtohet shpirti saqë njeriu hyn në paranoja të ndryshme, e shpesh muslimani i cili mundohet t’i përmbahet ligjërimeve fetare e gjen veten në dilemë se pse e ndjen këtë ngushtim kur ai shpreson në veprat e tija të pakta, apo mendon se është më i privilegjuar nga njerëzit tjerë dhe se nuk duheshte që ta kaplojë kjo ngushtësi…
Por përkundrazi, besimtari mu në këto momente duhet t’i shqyrtojë raportet me Allahun dhe me imanin e tij nëse imani i tij ka filluar të zbehet, të shqyrtojë pozitën e tij ndaj mëkateve se a është vigjilent siç ka qenë apo jo, për arsye se besimtari i cili një kohë ishte i devotshëm dhe më pas filloi t’i zbehet devotshmëria do ta shijojë këtë ngushtësi të shpirtit shumë më shumë sesa një mëkatar i cili nuk ka qenë i devotshëm asnjëherë dhe kjo për dy arsye:
• E para është ajo se ky në këtë moment përngjason me munafikun, hipokritin, i cili duke e ditur të vërtetën fillon të veprojë të kundërtën e saj apo shfaq diçka tjetër dhe në brendësi ka diçka tjetër, dhe fillon ta harrojë përmendjen e Allahut. Ndërsa ne e dimë shumë mirë që dënimi i hipokritëve është më i rëndë se i atyre që ishin vetëm pabesimtarë.
• Dhe e dyta, është se ky ishte një person që e ka shijuar qetësinë e imanit në nivel të duhur, prandaj asgjë jashtë asaj nuk e rehaton dhe ngushtimin e përjeton më keq, pasi që vetëm se e ka shijuar atë që është e mirë, pra gjerësinë e gjoksit që ta mundëson zemra e pastër pa mëkate.
Allahu në Kur’an thotë:
“E kush i kthen shpinën përmendjes Sime, atij i takon një jetë e ngushtë, dhe do ta ringjallim ditën e llogarisë të verbër.
— Thotë: O Zoti im, pse më ringjalle të verbër kur unë kisha shikim?
Thotë (Zoti): Kështu të erdhën argumentet Tona dhe i harrove ato, e mu kështu sot ti mbetesh i harruar” (TaHa: 124-126).
Pra, për harruesin e argumenteve të Zotit në këtë botë është një jetë e ngushtuar, e ngushtë sikur ngushtësia e të verbrit.
Edhe pse ajo që e godet besimtarin në këtë botë është vetëm se mëshirë e Allahut mbi të, pasi që dënimi i ahiretit është edhe më i madh, prapëseprapë besimtari duhet vazhdimisht të gajlohet për atë se çfarë i takon atij si rob të bëjë në momente të caktuara dhe të ketë më shumë kujdes në raport me Zotin e tij, pasi që harruesi i të mirave, përbuzësi i mirëqenies e shijon ngushtimin edhe më shumë.
E lus Allahun të na falë mëkatet, të na bëjë prej penduesve dhe atyre që kthehen shpejt tek Ai me pendim, dhe të na zgjerojë gjokset e mos të na bëjë prej neglizhuesve që kanë jetë të ngushtë.
#vesëmeditimesh.
Hoxhë Harith Selimi
