6.5 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Nga Kosova dërgohen ndihma për popullin e Sirisë

Më të lexuarat

Me moton “Populli i Sirisë thërret për ndihmë” janë nisur sot nga Mitrovica për në Siri tri maune me ndihma të grumbulluara nga qytetarët e Kosovës, ku janë përfshirë rroba, këpucë, batanije etj, vlera e të cilave kap shumën prej 1.5 milionë euro.

Organizator i këtij aksioni humanitar për ndihmë popullit sirian është organizata joqeveritare ‘Shkëlqimi’ me seli në Ferizaj.

Fatos Rexhepi, bartës i këtij projekti, tha se organizimi i këtij aksioni ka filluar më 29 nëntor të vitit 2013 dhe ka zgjatur deri më 5 janar të këtij viti.

“Qytetarët e Kosovës nuk i harruan vitet 1998-1999 kur shtete të ndryshme tubuan ndihma për vendin tonë. Andaj, jam krenar që kam qenë pjesë e këtij organizimi dhe më vjen mirë që qytetarët e Kosovës ju kanë përgjigjur kësaj ftese”, theksoi Rexhepi.

Ai bëri të ditur se në kuadër të këtyre ndihmave janë gjithsej 250 mijë palë rroba, 30 mijë palë këpucë, rreth 5 mijë batanije të reja, si dhe gjëra tjera të ngjashme.

Sipas tij, maunet me këto ndihma do të udhëtojnë deri në kufirin Turqi-Siri, ku pastaj do t’i dorëzohen shoqatës turko-siriane ‘Sima’, e cila pastaj do t’i fus ato në territorin e shtetit sirian.

“Kosova sot i është bashkëngjitur karvanit të bamirësisë sikurse edhe shumë shtete tjera, dhe për këtë më vjen jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Rexhepi, transmeton KP.

Ai ka falënderuar për mbështetje të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe Lëvizjen Bashkohu, për të cilën tha se ka qenë partner gjatë gjithë këtij projekti. /tg/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit