Në zemër të natës, kur bota fle mbi zhurmën e rehatisë së saj, Gaza zgjohet mbi tingujt e bombardimeve, thith tymnajat e rrethimit dhe shikon shpirtat e bijve të saj të drejtohen drejt të panjohurës. Aty ku gjaku përzihet me dheun dhe ku tregimet shkruhen me lot e jo me bojë, kriza njerëzore shfaqet në formën e saj më tragjike: dëbim i dhunshëm, rrethim i ashpër dhe një gjenocid i kryer para syve të botës.
Por pyetja që troket në dyert e ndërgjegjes njerëzore është: Ku është bota? Ku është ligji? Ku është drejtësia që ngrihet si slogan në forumet ndërkombëtare?
Është bërë e qartë se heshtja zyrtare, edhe pse e shoqëruar nga disa dënime të vakëta, nuk mjafton. Sot janë popujt – jo qeveritë – ata që kanë fuqinë për të ridimensionuar qëndrimet dhe për të kthyer busullën drejt së vërtetës.
Prej këtu, lindi rrjeti “Damir-Ndërgjegja” — jo thjesht një nismë për të drejtat e njeriut, por një thirrje universale që ngrihet mbi gjeografinë dhe politikën, duke iu drejtuar ndërgjegjes së gjallë globale. Është përpjekje për të bashkuar zërat e lirë, për të aktivizuar mjetet ligjore dhe mediatike të rezistencës, e për të ndjekur pushtimin në gjykatat ndërkombëtare, jo me plumba, por me të vërtetën.
“Damir-Ndërgjegja” nuk fton në luftë, por në vetëdije. Nuk ngre flamurin e përçarjes, por të njerëzimit. Është një thirrje e hapur për këdo që beson se padrejtësia nuk mposhtet me heshtje dhe se drejtësia nuk dhurohet, por merret me forcë.
Që Munsif Marzuki të jetë president nderi i rrjetit nuk është thjesht nder për individin, por për idenë se politika, kur pastrohet nga interesat, bëhet zgjatim i moralit. Dhe fakti që mes themeluesve gjenden mendimtarë e juristë nga kahje të ndryshme, është dëshmi se “Damir-Ndërgjegja” nuk është parti, as rrymë, por një thirrje e hapur për këdo që beson ende se njeriu meriton të jetojë me dinjitet.
Objektivat e rrjetit “Damir-Ndërgjegja”
Në një botë ku fjalët boshatisen nga kuptimi, të flasësh për “qëllimin” bëhet vetë një akt rezistence. Objektivat e rrjetit nuk janë slogane të zbukuruara, por të gdhendura nga guri i dhimbjes dhe të shkruara me bojën e së vërtetës, jo me bojën e politikës së lëkundshme:
• Kundërshtimi i dëbimit dhe gjenocidit
Sepse toka nuk është vetëm dhe, por kujtesë, identitet dhe e drejtë që nuk blihet e nuk shitet.
• Refuzimi i normalizimit në çdo formë
Sepse normalizimi nuk është marrëveshje, por tradhti ndaj kuptimit dhe falsifikim i historisë.
• Thyerja e rrethimit
Sepse rrethimi nuk është vetëm ndalim ushqimi e ilaçi, por mbytje e shpirtit dhe vrasje e ngadaltë e dinjitetit.
• Bashkimi i ndërgjegjes globale
Në një kohë të përçarjes së përkatësive, “Dhamir” përpiqet të krijojë një përkatësi të re: përkatësinë ndaj të drejtës.
• Dokumentim dhe ndjekje ligjore
Sepse krimi, kur dokumentohet, bëhet i ndjekshëm, dhe kur zbulohet, humbet çdo legjitimitet.
Aktivitetet dhe fushat e punës
Kur ndërgjegjja kthehet në veprim, aktivizmi për të drejtat e njeriut nuk mbetet deklaratë, por bëhet rezistencë e butë, por e thellë, që futet në ndërgjegjen e botës dhe riformëson vetëdijen kolektive:
• Konferenca dhe forume ndërkombëtare – platforma për të ridimensionuar konceptet dhe për të çmontuar narrativat mashtruese.
• Fushata mediatike dhe ndërgjegjësuese – beteja për vetëdijen dhe rikthimin e rrëfimit në duart e së vërtetës.
• Koordinim me organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut – aleanca që i kthejnë shpirtin ligjit ndërkombëtar dhe i japin atij mjetet e veprimit.
• Dokumentim dhe ndjekje gjyqësore – çdo dëshmor, çdo shtëpi e rrënuar është dosje që duhet hapur dhe çështje që duhet ngritur.
• Ndërtimi i rrjeteve vullnetare popullore – sepse veprimi për të drejtat e njeriut nuk monopolizohet, por ndahet e ndërtohet bashkërisht.
Pse duhet të bashkohesh me rrjetin “Damir-Ndërgjegja”?
Sepse je njeri.
Dhe njeriu, kur hesht përballë padrejtësisë, humb diçka nga shpirti i tij, diçka nga thelbi i tij, diçka nga kuptimi i ekzistencës së tij.
Në një kohë kur e vërteta bombardohet, kur dinjiteti rrethohet dhe kur fëmijëria dëbohet nga djepi i saj, nuk mjafton të ndjejmë keqardhje.
Ajo që thyen rrethimin është veprimi.
Ajo që ndal dëbimin është qëndrimi.
Ajo që ndëshkon xhelatin është dokumentimi, ndjekja, presioni, vetëdija dhe bashkimi.
Për besimtarin, kjo nuk është vetëm çështje ndërgjegjeje, por detyrim hyjnor.
Sepse ndihma nuk është zgjedhje, por obligim.
Allahu thotë:
“E ç’keni që nuk luftoni në rrugën e Allahut dhe për të dobëtit…”
Pejgamberi ﷺ tha:
“Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë ai i padrejtë apo i padrejtuar.”
Si mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të padrejtësisë e të fshihemi pas heshtjes?
Si mund të lexojmë vargjet e drejtësisë dhe të mbyllim sytë para masakrave?
Si mund të ngremë duart në lutje e pastaj të mungojmë në veprim?
Bashkimi me “Damir-Ndërgjegja” nuk është thjesht regjistrim në një bazë të dhënash.
Është shpallje qëndrimi.
Është britmë në fytyrën e botës: “Unë nuk e pranoj padrejtësinë dhe nuk do të jem neutral përballë krimit.”
Dhe për besimtarin, është përgjigje ndaj thirrjes së qiellit: “Qëndro në anën e së drejtës, edhe nëse je vetëm.”
Sepse ideja vetëm nuk mjafton. Sepse qëllimet e mira kërkojnë ura që i lidhin me veprimin, hapi i parë drejt ndryshimit fillon nga vendimi yt.
Të bëhesh pjesë e “Damir-Ndërgjegja” do të thotë të zgjedhësh të jesh dëshmitar, jo i heshtur; veprues, jo spektator; njeri, jo numër.
Me respekt, Rrjeti “Damir-Ndërgjegja”
Ejmen Xhad
