11.6 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Nën frikën e masakrës populli i Halepit pret evakuimin

Më të lexuarat

Civilët e Halepit në Siri të cilët përballen me sulmet e pamëshirshme të regjimit të Asadit dhe të milicëve shiitë të mbështetur nga Irani, me frikën se mund të përjetohen masakra edhe më të mëdha presin që të evakuohen sa më parë nga rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Regjimi dhe mbështetësit e tij që nga 15 nëntori e deri tani nga ajri dhe toka po kryejnë sulmet më të ashpëra të luftës së brendshme në territoret e vendbanimeve ku jetojnë qindra mijëra civilë në lindje të Halepit i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve.

Forcat opozitare në mbrëmjen e djeshme u tërhoqën nga lagjet Bab Nejrab dhe Merxhe. Numri i civilëve të vrarë në 23 ditët e fundit ka arritur në 889, ndërsa forcat e regjimit kanë izoluar më shumë se 200.000 civilë në një territor prej 15 km katrorë.

Meshkujt e familjeve të mbetura jashtë rajonit nën kontrollin e opozitarëve gjatë përparimit të shpejtë të regjimit, ose janë arrestuar ose janë dërguar në radhët e ushtrisë së Asadit për tu trajnuar për të luftuar. Ndërsa nuk dihet fati i grave, të moshuarve dhe i fëmijëve.

Dhjetëra mijëra familje të cilat nuk iu besojnë forcave të regjimit presin me shpresë që të evakuohen nga rajoni në një mënyrë të sigurtë.

Qindra mijëra persona nën frikën e masakrës përpiqen që të bëjnë të mundur dëgjimin e zërit të tyre me anë të regjistrimeve audio të dërguara gazetarëve të AA-së nga rajoni nëpërmjet internetit që është shumë i dobët.

“Kemi frikë se mos ndodhin më shumë masakra”

Refik Ebu Samir i cili bën thirrje nga lagjja nën rrethim Bustan el-Kasr ka theksuar: “Në disa lagje askush nuk mund të hyjë pas sulmeve. Njerëzit presin nën rrënoja që të shpëtohen. Spitale nuk ka, madje edhe nevojat më themelore nuk plotësohen. Kemi frikë shumë nga kjo situatë. Ne meshkujt mund të durojmë, por gratë dhe fëmijët duhet të evakuohen urgjentisht. Regjimi çdo ditë merr nën kontroll rajone të reja dhe i djeg ato rajone që merr nën kontroll. Kemi frikë se mos ndodhin më shumë masakra. Nuk mund ti besojmë regjimit dhe Rusisë. Duhet të ofrohet një garanci për ne. E vetmja gjë që ne kërkojmë është nxjerrja e civilëve shëndoshë dhe gjallë nga Halepi nën garancinë e ndërkombëtarëve.”

Ndërsa Halid Muhammed, një prej civilëve nga Halepi tha se “Halepi aktualisht po përjeton një prej momenteve më të vështira. Po përdoren armë të llojeve të ndryshme. Njerëzit po migrojnë nga pjesët qendrore dhe lindore në ato perëndimore. Ilaçe nuk ka, ndërsa spitalet janë qëlluar. Ndërsa vihen më shumë në objektiv qendrat dhe ekipet e mbrojtjes civile. Këto sulme mund të ndalen vetëm me një qëndrim ndërkombëtar.”

“A nuk ka asnjë zgjidhje?”

Ndërsa një prej banorëve të Halepit, Ala Sherif, është shprehur se “Tashmë nuk na ka mbetur më fuqi të rezistojmë. Edhe dimri po kalon shumë ftohtë. Nga kjo preken më shumë fëmijët. Në ditën e 94-të të rrethimit humbi jetën një fëmijë 4 muajsh nga i ftohti. Vdekjet ende vazhdojnë dhe njerëzia ruan heshtjen.”

Edhe Ebu Faruk duke vënë në dukje se qendrat e mbrojtjes civile janë jashtë përdorimit për shkak se janë bombarduar tha se “Mbrojtja civile tashmë nuk mund të shpëtojë askënd. Një gjë duam të dimë. A nuk ka asnjë zgjidhje?. Mos na thoni se ‘po punojmë‘. Na thoni ne se cila do të jetë zgjidhja. Këtu njerëzit janë nëpër tokë dhe në mbijetesë të vdekjes.”

Kriza e qindra mijërave

Halepi është qyteti i dytë më i madh në Siri pas Damaskut, dhe qendra e tij është rreth 40 kilometra larg kufirit të Turqisë. Ushtria e regjimit, forcat ajrore ruse dhe militantët shitë të mbështetur nga Irani që prej 15 nëntorit bombardojnë nga toka dhe ajri lindjen e këtij qyteti, rajone këto që ndodhen nën kontrollin e forcave opozitare të Sirisë. Rusia pretendon se nuk është pjesë e sulmeve ajrore në Halep, ndërsa përgjimet e opozitarëve tregojnë që rusët janë të pranishëm edhe në sulmet e artilerisë së rëndë.

Për shkak të sulmeve intensive në lindje të Halepit, qindra mijëra njerëz ndodhen nën kërcënimin serioz të vdekjes, urisë, etjes, etj. Prej 3 javësh në këtë rajon nuk ka asnjë spital të hapur. Furrat, shkollat dhe institucione të tjera të cilat i vijnë në ndihmë komunitetit ndodhen të mbyllura për shkak të sulmeve të regjimit. Në qytet mungon edhe komunikimi për shkak të bombardimeve të antenave. Komunikimi mund të kryhet vetëm nëpërmjet internetit i cili edhe ai është shumë i kufizuar.

Në një deklaratë të përbashkët të bërë ditën e djeshme nga grupet e armatosura opozitare në Halep u bë thirrje për një “armëpushim njerëzor” 5 ditor. Gjithashtu edhe SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania duke publikuar një deklaratë të përbashkët kishin kërkuar shpalljen e një armëpushimi emergjent.

Ndërsa Rusia dhe Kina kundërshtojnë shpalljen e armëpushimit me arsyen se do ti shërbejë opozitarëve të armatosur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit