Në përgjigjje të pollavrave të tryezës “Shteti dhe Feja” – Nga Ali Sefaj

Më të lexuarat

Në përgjigjje të pollavrave të tryezës “Shteti dhe Feja”

Traditat dhe vlerat kulturore të një kombi përbëjnë themelin shpirtëror, moral dhe estetik të identitetit të tij. Ato përfshijnë doket, zakonet, veshjet, gjuhën, artin, mënyrën e jetesës, moralin, besimin dhe kujtesën historike, që së bashku formësojnë vetëdijen dhe karakterin e një populli.
Nuk janë vetëm shenja të së kaluarës, por kapital i gjallë kulturor që ruan unitetin, dinjitetin dhe trashëgon mënyrën se si një shoqëri mendon, ndien dhe vepron në çdo kohë.

Në rastin e shqiptarëve, këto vlera janë ndërtuar mbi përvoja shekullore ku islami ka luajtur një rol thelbësor, jo si ideologji, por si kulturë shpirtërore që ka ndikuar në etikën, artin dhe mënyrën e jetesës. Për më shumë se pesë shekuj, ai është bërë pjesë natyrore e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në gjuhën e përditshme, në arkitekturën e qyteteve, në mënyrën e sjelljes e në ndjenjën e drejtësisë, fryma islame është pranishme dhe e pandashme nga jeta shqiptare.

E megjithatë, në disa tryeza që quhen “intelektuale dhe patriotike”, dëgjojmë akuza se feja po e rrezikon kombin, se islami është “arab” dhe s’përkon me traditat shqiptare, se “islamistët” kanë dashur të krijojnë shtet fetar, madje edhe pse “shqiptari duhet të varroset me flamur të huaj”. Këto janë fjalë të lodhura, të mbetura nga mentaliteti i vjetër jugosllav e komunist që kërkonte të ndajë shqiptarët sipas fesë.

Nëse kombi ynë nuk u rrezikua gjatë 600 vjetëve të Perandorisë Osmane, nuk do të rrezikohet as sot nga feja që e ka mbajtur gjallë shpirtin dhe moralin e tij. Kombi shqiptar është përballur me pushtime, varfëri dhe përçarje, por kurrë nuk e ka rrezikuar feja. Përkundrazi, ajo i ka dhënë qëndrueshmëri, modestinë dhe besën që e kanë bërë këtë popull të qëndrojë i fortë.

Të thuash sot se “feja s’përkon me kombin shqiptar” është si të mohosh një pjesë të vetes. Kombi ynë është ndërtuar mbi bashkëjetesë fetare, por kjo bashkëjetesë nuk do të thotë mohim i fesë, përkundrazi, nderim i ndërsjellë dhe kuptim i rrënjëve të përbashkëta.

Islami është pjesë e historisë shqiptare, pjesë e moralit dhe shpirtit të saj, një shtyllë e paqes, përkushtimit dhe e drejtësisë që e ka bërë këtë shoqëri të mbijetojë me dinjitet.

Kush e do kombin, nuk mund ta urrejë fenë e shumicës se kombit të tij.

Kush e donidentitetin shqiptar, duhet ta pranojë tërësinë e tij, me të gjitha ngjyrat, përfshirë edhe ato që burojnë nga besimi islam.

Sepse islami nuk është trup i huaj në kombin tonë, është zemra që ka rrahur bashkë me të për pesë shekuj dhe ai islam nuk është turk as arab, por feja e Zotit për njerëzit e zbritur me Kuranin famëlartë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit