10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Në Kosovë shkelen të drejtat e punëtorëve

Më të lexuarat

Sipas një raporti që ka nxjerrë Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), në Kosovë nuk respektohen të drejtat e punëtorëve.

Zbatimi i Ligjit të punës, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, më 02.11.2010, mbetet sfidë për punëtorët dhe institucionet e vendit, është thënë në tryezën e organizuar nga QPA-ja, me temën “Sfidat e zbatimit të Ligjit të punës”, ku janë prezantuar gjetjet e monitorimit të zbatimit të Ligjit të punës.

Puna pa kontratë, mungesa e sigurisë në punë, moskompensimi për lëndimet e marra në punë, moskompensimi i pushimit mjekësor, zgjatja e orarit javor të punës, moskompensimi i orëve shtesë dhe mosdhënia e plotë e pushimit vjetor, janë disa nga të dhënat që prezantohen në këtë raport. Fakt shqetësues në raportin e QPA-së është parë edhe mosnjohja e Ligjit të punës nga ana e punëtorëve, ku 75% e të intervistuarve kanë thënë që e njohin ligjin vetëm pjesërisht, 13% nuk e dinë që ekziston ky ligj dhe 12% e njohin mirë ligjin.

Ky raport është nxjerrë pas monitorimit gjashtëmujor, qershor – dhjetor 2012, në zbatimin e Ligjit të punës. Monitorimi është bërë në 5 komuna të rajonit të Prishtinës: Prishtinë, Drenas, Obiliq, Podujevë dhe Fushë-Kosovë.

Gjatë këtij hulumtimi janë intervistuar 500 të punësuar në sektorin e ndërtimtarisë, të tregtisë dhe të hotelerisë, si dhe 50 punëdhënës. Sipas raportit, deklarimet e të punësuarve dhe të punëdhënësve bien ndesh me njëra-tjetrën.

“Punëdhënësit pretendojnë se 92% e të punësuarve kanë kontrata”, thuhet në raport

Shqipe Pantina, drejtoreshë e QPA-së, ka thënë se gjatë monitorimit që kjo qendër ka bërë, rreth 53% e punëtorëve kanë deklaruar se punojnë pa kontrata pune.

“Lidhja e marrëveshjes së punës vetëm me një marrëveshje verbale krijon pasiguri te punëtorët dhe ua pamundëson të drejtën për ankesë apo padi në gjykatë, në rast të shkeljes së të drejtës së tyre nga punëdhënësi”, ka thënë ajo.

Shkaktar për këtë gjendje, sipas raportit, është numri i vogël i inspektorëve. Sipas raportit, në rajonin e Prishtinës, Inspektorati i Punës ka vetëm 16 inspektorë kurse në këtë rajon ka 39.900 biznese.

“Brenda një viti një inspektor i cili mbulon rajonin e Prishtinës dhe të Fushë-Kosovës, duhet të mbulojë 2.936 biznese, një inspektor në rajonin e Drenasit duhet të mbulojë 2.805 biznese, një inspektor në rajonin e Podujevës duhet të mbulojë 1.803 biznese dhe një inspektor në rajonin e Obiliqit duhet të mbulojë 590 biznese”, ka thënë Pantina.

Gjithashtu ajo ka thënë se punëtorët kosovarë nuk kanë siguri në punë dhe nuk janë të pajisur me mjete mbrojtëse të sigurisë.

“Vetëm gjatë vitit 2012, sipas Inspektoratit të Punës, janë identifikuar 7 raste të vdekjes dhe mbi 40 lëndime të rënda në vendin e punës”, ka thënë ajo.

Pantina ka thënë se siguria dhe mbrojtja në punë do të mbeten problem derisa të aprovohet Ligji për sigurime sociale dhe sigurime shëndetësore.

Edhe Minire Beqaj udhëheqëse e Departamentit Ligjor në MPMS-së, ka thënë se kjo ministri ka bërë rreth 900 interpretime ligjore, lidhur me implementimin e Ligjit të Punës.

“Pengesa më shumë janë hasur në marrëdhënien e punës dhe në kontratat e punës, të cilat edhe po të kenë qenë, kanë qenë me elemente të cilat nuk i ka paraparë ligji”, ka thënë ajo.

Shukrije Rexhepi, nga Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka kërkuar nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) që të bëjë mbikëqyrjen e implementimit të Ligjit të punës.

“Duhet të bëhet një intervenim në shtimin e numrit të inspektorëve, si dhe të punohet në formimin e fondit shëndetësor, i cili do të zgjidhte shumë probleme”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Gjylnaze Gola, nga MKRS-ja tha se e brengos mosdija e punëtorëve për ekzistencën e Ligjit të punës.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit