10.4 C
Pristina
Monday, October 11, 2021

Ndikimi i frustrimit politik në mirëqenien e të rinjve në Maqedoninë Veriore

Më të lexuarat

Besoj fort se të gjithë jemi të vetëdijshëm për gjendjen alarmante në të cilën gjendet Republika e Maqedonisë së Veriut. Nga fusha të ndryshme lexojmë të dhëna, statistika si dhe analiza të shumta të cilat ofrojnë një pasqyrim aspak të dëshirueshëm për vendin tonë. Falë qasjeve në burime të ndryshme sot ne mund të shohim se krahas këtyre problemeve, josigurisë, dhe dështimeve përcillen një numër i madh i sugjerimeve të llojit – “si të përmisojmë atë ku ndodhemi dhe ta transforomojmë Maqedoninë e Veriut në një vend më të banueshëm dhe paqesor”. Në të gjitha këto burime targetohet “establishment politik”.

Qëllimi i këtij punimi të shkurtër është që të shqyrtoj një nga shkaqet kryesore pra “frustrimin politik’ i cili tangon mirëqenien e rinisë në vendin tonë (atë edukative, ekonomike dhe sociale) që si e tillë, i hapë rrugë jostabilitet shoqëror, ekonomik dhe ngecjes në zhvillimin arsimor dhe kulturor.

Sipas raportit te përgatitur nga USAID të ashtuquajtur ‘Cross Sectoral Youth Assessment North Macedonia” ne korrik të vitit 2019 në një nga shkaqet kryesore (36%) për migrimin e të rinjve nga vendi është frustrimi politik. (No, n.d.)

Si rezultat i jostabilitetit politik dhe ekonomik në vendin tonë, në periudhën 2013-2018 numri i studentëve që migruan është 30%, ndërsa 80 % e studenteve aktivë planifikojnë të largohen në të ardhmen e afërt. (Philosophy et al., 2018) Luftërat ndërpartiake, përfaqësimi i dobët i interesit publik, si dhe disintegrimi institucional vazhdojnë të zbehin shpresat dhe dekurajojnë të rinjtë për të kontribuar në shoqeri.

Emigrimi i të rinjve të arsimuar mund të ketë një ndikim të dëmshëm në rritjen ekonomike të një vendi. Ikja të rinjve të arsimuar nga RMV paraqet një rënie të stokut të kapitalit njerëzor, por edhe një rënie të fuqisë punëtore në sektorë të veçantë siç janë sektorët e kujdesit shëndetësor dhe TI të cilët janë jetikë për zhvillimin ekonomik. Studentët nga Maqedonia e Veriut lëvizin jashtë vendit për mundësi më të mira: punësim, kushte më të mira pune, standarde më të mira jetese, arsim, etj. Puna jashtë vendit iu lejon atyre të rrisin të ardhurat, të grumbullojnë kursime dhe të fitojnë aftësi të reja.(Kingdom et al., 2020)

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, “gjysma e të rinjve në Maqedoninë e Veriut dëshirojnë të shkojnë jashtë vendit, dhe madje një e treta e tyre as nuk mendojnë të kthehen në shtëpi. Perspektiva, pasiguria politike dhe partizimi i thellë janë faktorët kryesorë që i shtyjnë të rinjtë të mos e planifikojnë të ardhmen e tyre në Maqedoni, dhe madje 67% e të anketuarve nga sondazhi i realizuar ankohen për probleme financiare dhe nuk besojnë se do të gjejnë punë pas arsimimit” (Додевска, 2016).

Ndërsa me statistikën e dhënë shohim se vetem se problem është rrënjësor, ku vetëm 10% nga numri i të anketuarve prononcohet se është lehtë të jesh financiarisht i ndihmuar nga shteti në gjetjen e punës, kurse një përqindje shqetësuese prej 87 % deklaron se është vështirë të gjendet punë nëse familja ose personi nuk posedon lidhjet e duhura me personat në pushtet.

Ndërsa sipas (Petar-Emil Mitev, Boris Popivanov, Siyka Kovacheva, 2019) RMV renkohet si shteti i fundit ne mes të shteteve të Ballkanit Veri-Perendimor në bazë të nivelit të dëshiruar të arsimit. Edhe ky një rezultat i frustrimit politik dhe keq qeverisjes. Në të njejtin punim shohim se është konstatuar që pjesëmarrja në aspektet praktike të arsimit është përmirësuar në të gjitha vendet përveç RMVsë.

Nga ana tjetëe sipas Friedrich Ebert Stiftung (2018) Youth Study North Macedonia 2018/2019 Zakonet dhe sjelljet e rrezikshme për shëndetin dhe jetën, si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe substancave psikotrope, janë të zakonshme tek të rinjtë në Maqedoni.

Nga ana tjetër, duke pasur parasysh një sektor të pazhvilluar të OJQ -ve rinore, nuk është për t’u habitur që vetëm një pakicë e të rinjve marrin pjesë në aktivitete vullnetare ose qytetare. Në të njëjtën kohë, aktivizmi dhe madje edhe vullnetarizmi nuk inkurajohen shoqërisht, dhe kjo reflektohet qartë në rëndësinë e ulët të të ashtuquajturave vlera të grupit të veprimeve shoqërore për të rinjtë e anketuar nga FES. Nëse inkuadroj edhe eksperiencën personale- është shumë evidente që shumica OJQ-ve të pakta në RMV posedojnë prapavijë partiake, duke drejtuar dhe kontrolluar aktivistët të plotsojnë dëshirat dhe të implementojnë ato projektë që kënaqin partinë.

Nëse do të flisnim për atë se çfarë duhet të bëhet cshtë shumë e thjeshtë dhe e nevojshme se duhen reforma strukturale që ndoshta do zgjasin me dekada, një shoqeri që do ta kuptojë rëndësinë e meritokracisë, do të çmojë vlerat dhe moralin, do të dijë se çfarë është e bukur dhe etike, para së gjithash do ta dojë vendin shumë, do i dhimbset ta lë atë të shkretë. Nevojiten njerëz të cilëve do të iu jipet detyra e jo ata që e posedojnë dhe e ëndërrojnë kolltukun e mirëqenies personale.

Si përfundim, mendoj se duhet eliminuar frustrimi partiako-politik që rinia të frymojë më ndryshe. /tesheshi.com/

Nga Emine Haxhiu Memishi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit