Ministret Shqiptare i drejtuan Hollandës një letër, si një lutje për t’i thënë “Po” hapjes së negociatave. Aty ato e vlerësojnë Hollandën për dy ndër gjërat më të (pa)diskutueshme të moralit njerëzor: abortin dhe martesat gay.
Në letër, “gratë” e Ramës e vlerësojnë Hollandën pikërisht për lejimin e abortit e martesave të të njëjtit seks, duke e shndërruar lutjen e tyre në një vetëposhtërim.
Myftiu i Tiranës Lauren Luli në Facebook thotë se Evropa nuk ka vënë kushte të tilla për hapjen e negociatave.
Postimi i tij i plotë:
Profeti Muhamed a.s në Hutben e Lamtumirës na le amanet familjen:
“Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit dhe të dinjitetit njerëzor.
Njeriu është vepër madhështore e Zotit dhe mjerë për atë, që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Zotit.”
Të dashur vëllezër dhe motra, qytetarë të thjeshtë dhe ata me përgjegjësi publike, rruga e Shqipërisë është Europa, nuk ka asnjë diskutim dhe mëdyshje për këtë!
Vonesat drejt kësaj rruge nuk janë përgjegjësi e popullit, por e atyre që kanë marrë përgjegjësi publike për të çuar në destinacion këtë mision.
Europa është qytetërimi i vlerave, shtetit të së drejtës dhe lirisë!
Europa nuk ia ka mbyllur derën vendit tonë për shkak të familjes apo vlerave që derivojnë prej saj. Kërkesat e Europës janë publike, secili prej nesh e ka të qartë se cilat janë ato.
Njerëzit me përgjegjësi publike duhet të jenë shumë të kujdesshëm në komunikimin e tyre me Europën dhe shtete të veçanta të saj. Numri i aborteve në Shqipëri, vetëm gjatë vitit 2018, ishte mbi 5-mijë. Ky është një krim!
Inkurajimi dhe promovimi i të tilla fenomeneve bie ndesh jo vetëm me parimet hyjnore, por edhe me parimet shoqërore dhe traditën shqiptare.
Shqipërisë nuk i duhet të shkatërrojë qelizën bazë të shoqërisë, familjen, për t’u integruar në Evropë.
Shqipërisë i duhet të luftojë me padrejtësinë, korrupsionin, si dhe të ndërtojë shtetin e së drejtës!
Myftiu i Tiranës,
Lauren LULI
Reagimi i Kishës Katolike
Janë tetë ministre gra që u janë drejtuar deputetëve të Parlamentit holandez me një letër. Në këtë letër shkruajnë se janë ‘nëna dhe bija, gra që luftojnë për familjet tona dhe për kombin tonë.
Më poshtë shkruajnë: ‘Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën’. E pse? Sepse ‘ju ishit ndër të parët në botë që keni legalizuar abortin’ dhe ‘keni qenë vendi i parë në botë që keni legalizuar martesën e së njëjtës gjini në 2001.
Disa komente. ‘Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën’. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë ‘nëna’. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Holandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave?
Janë ‘bija’, dhe, supozojmë (pasi janë edhe nëna), të martuara. Sigurisht, kanë lindur fëmijë jo nga një grua tjetër, por nga një burrë. Dhe thanë se ‘luftojnë për familjet’ – imagjinojmë se e përkufizojnë familjen si bashkësi që përfshin burrin dhe gruan bashkë me fëmijët e tyre. Këto fjalë janë krejt në kundërshtim me pohimin e tyre, ku kanë miratuar qëndrimin e Hollandës që ka legalizuar martesën e së njëjtës gjini.
Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi?
Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë!”, shkruan kleriku më i lartë katolik i Shqipërisë.
Për paradoks, vetë Rama është vetëshpallur me besim katolik.
