28.3 C
Pristina
Tuesday, June 28, 2022

Mustafa: Shkollat s’janë për t’u paguar arsimtarët pa punuar

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka ftuar të gjithë mësimdhënësit që të mos mbajnë grevë, sepse nuk ka arsye, meqë Qeveria po e zbaton vendimin për pagesën e 0,5 për qind të përvojës së punës.
 
Kreu i ekzekutivit ka thënë në mbledhjen e Qeverisë së për arsimin është bërë më shumë se për cilindo sektor tjetër, që paguhet me para të buxhetit.
 
Edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, dhe ai i Financave, Avdullah Hoti, kanë theksuar se nga nesër të gjithë, të 24 mijë arsimtarët dhe 4 mijë veta staf administrativ dhe teknik, do t’i marrin pagat shtesë prej 0,5 për qind për përvojë të punës.
 
Kryeministri Mustafa, duke u bërë thirrje arsimtarëve dhe Sindikatës së Arsimit, raporton KP,tha se askush nuk ka të drejtë të paguhet nga shteti dhe të mos e mbajë mësimin, sepse shkollat janë për t’i mësuar fëmijët e jo për të marrë paga pa punuar.
 
“Një gjë është e qartë: se shkollat ne nuk i kemi për të paguar pagat për arsimtarë. Shkollat ekzistojnë për t’u dhënë mësim fëmijëve tanë. Ai është funksioni themelor i shkollës, që të sigurohet mësimi për fëmijët dhe jo që dikush të marrë pagën dhe të mos punojë dhe të mos mbajë mësim. Duhet të gjithë të kemi përgjegjësi për këtë, duhet të kenë përgjegjësi edhe punonjësit e arsimit, edhe organizatorët e grevës sepse nuk mund askush me ligj të marrë pagë, ndërsa mos ta bëjë punën për të cilën e merr pagën”, tha Mustafa.
 
Madje, Mustafa tha se është bërë më shumë se sa e mundëson buxheti i Kosovës.
 
Ministri i resorit, Arsim Bajrami, e ka quajtur të paarsyeshme dhe pa objekt grevën e mësimdhënësve sepse po realizohet vendimi i Qeverisë për pagesën prej 0,5 për qind për përvojën e punës.
 
“Implementimi i këtij vendimi për të cilin s’kemi pasur asnjë dilemë në proces, ka pasur një keqkuptim teknik tek MF-ja por është tejkaluar kjo çështje, e bënë krejtësisht të paarsyeshme dhe pa objekt grevën e thirrur nga sindikata e arsimit. Dhe, unë shfrytëzoj rastin edhe një herë t’i ftoj të gjithë mësimdhënësit, të gjithë nxënësit që të mos humbin asnjë orë mësimi. Jemi në fund të vitit shkollor dhe të gjithë kemi përgjegjësi që ta përfundojmë me sukses këtë vit shkollor. Qeveria e kaluar ka dyfishuar pagat në nivelin e arsimit. Pagat parauniversitar deri universitar janë të krahasueshme me rajonin, ndërsa në nivelin universitar mbi rajonin dhe gjithë kemi përgjegjësi që duke pasur paga relativisht të mira të punojmë në ngritjen e standardit të cilësisë”, tha ministri Bajrami.
 
Edhe ministri i Financave Avdullah Hoti e ka quajtur të paarsyeshme grevën e mësimdhënësve, duke thënë se përvoja e punës prej 0,5 për qind do t’u paguhet të gjithë mësimdhënësve deri në vitin 2015.
 
“Ne mendojmë që kjo grevë është plotësisht e paarsyeshme. Unë po ju jap informatë që deri në muajin mars shtesën prej 0,3 për qind të përvojës së punës e kanë marrë vetëm 19 mijë arsimtarë, e kanë marrë 0,3 për qind të pagës së vitit 2010. Në përvojën e punës së këtyre 19 mijë arsimtarëve nuk është përfshirë përvoja prej vitit 2008 e këndej, pra kanë munguar 7 vite të përvojës së punës. Tani me këtë vendim të Qeverisë, me kalkulimet që dje kemi përfunduar në MF, në pagesën e përvojës së punës jo 0,3 për qind, por 0,5 do të përfshihen të gjithë arsimtarët, 24 mijë arsimtarë, do të përfshihen 4 mijë veta staf administrativ dhe teknik nëpër shkolla në të gjitha komunat… është e papranueshme që 420 mijë nxënës sot mos të shkojnë në shkollë pa ndonjë arsye, sepse nuk ka ndonjë kauzë më”, tha Hoti.
 
Arsimtarët e arsimit parauniversitar sot kanë hyrë në grevë, pasi, sipas tyre, nuk u është paguar përvoja e punës 0,5 për qind, edhe pse Qeveria kishte marrë vendim javë me parë.kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit