15.8 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Mosmirënjohës jemi!

Më të lexuarat

Shkruan: Burim Sogojeva

 

 

Sapo e lexova lajmin se FIFA ka marrë vendim që t’i lejoj motrat tona të mbuluara të marrin pjesë në manifestimet futbollistike në botë. Edhe këtu në Gjermani dhe në shumë vende të Evropës perëndimore lejohen motrat tona të marrin pjesë me mbulesat e tyre madje edhe nëpër shkolla. E të mos flasim për mësimin fetar Islam që gradualisht ka filluar të futet në sistemin shkollor të Gjermanisë, pranë atij të krishterë, madje edhe nëpër Universitete.

Kurse në atdheun tonë përderisa sipas regjistrimit të fundit zyrtar të popullatës, publikuar nga Enti statistikor i Kosovës jetojnë 96% musliman, motrave tona të mbuluara iu ndalohet me një urdhëresë administrativ përkatësisht në kundërshtim me kushtetutën vijimi i mësimit nëpër shkollat publike. Ndërsa për mësimin fetar në ato shkolla e pamë se çfarë problemi të madh shkaktuan, kështu që deri në një afat të pacaktuar u desh të qitet anash kjo çështje.

SubhanAll-llah, sa mosmirënjohës që jemi ndaj dhuntive të All-llahut Bujar. Po a nuk ishim për gati një shekull të shtypur e të robëruar nga shkau gjakpirës, dhe Ai me dhuntinë e Tij të madhe na e dhuroj lirinë. Përderisa para çlirimit ishim në një gjendje të mjerë dhe më të dashur për njëri-tjetrin, tani shumë kush pothuajse e ka harruar mjerimin që ka përjetuar populli jonë me kulmimin e saj në vitin 1999.

Shumë kush gjatë dëbimit dhe vrasjeve në vitin 1999 i pa humbur shpresat që do të kthehen sërish ndonjëherë në atdheun e tyre të quajtur Kosovë, ashtu siç u ndodhi të parëve tanë në dimrin e vitit 1877-1878, kur u dëbuan tërësisht nga tokat e të parëve në Sanxhakun e Nishit përkatësisht nga Toplica, e kështu me radhë.

All-llahu Mëshirëplotë me dhuntinë e Tij të madhe na e mundësoj të kthehemi sërish në atdheun tonë të çliruar nga barbarët shkije.

Natyrisht se në ato kohë mjerimi, ka pasur njerëz që i janë lutur Krijuesit të Gjithëpushtetshëm për ndihmë dhe shpëtim! Po si qëndron puna tanimë kur me gjithë problemet e dunjasë popullit tonë i bie pak ndër mend t’i lutet Atij dhe që të bëj vepra të mira. Ka edhe raste ekstreme, ku njerëzit janë pasuruar tmerrësisht pas luftës, në mënyra të ndryshme, gjithsesi se edhe përmes rrugëve të ndaluara/haram. Ka edhe raste të tilla kur njëri vëlla ka ndërtesa të vetat dhe tjetri vëlla, pra prej babait e nënës së njëjtë, nuk ka kulm mbi kokë. SubhanAll-llah!

Sigurisht se kjo liri është dhuratë e madhe e Dhuruesit më të mirë, Zotit Madhështor e Bujar. Por se sa mirënjohës po i jemi Atij për tërë këtë gjë? Për fat të keq shumë pak, për të mos thënë fare. Madje jemi dhënë pas dunjasë, saqë veç kur po vdes dikush po na bie ndër mend se edhe ne do të ikim nga kjo dunja, dhe edhe kjo kujtesë veç për kohë të shkurtër po na mbetet në mendje. Madje-madje nuk pëlqehet fare të flitet për vdekjen e paevitueshme. SubhanAll-llah.

All-llahu i Madhërishëm na mëson në Kur’an se Ai nuk e udhëzon një popull, i cili ia kthen shpinën udhës së Tij (Kur’an 2,264; 9,24; 9,109; 39,3; 40,28 dhe 63,6). E përderisa ka mjaft njerëz në atdheun tonë që e kanë brengë të madhe ushqimin e fëmijëve të tyre, deputetët e zgjedhur nga populli rrehen e fyhen ndër veti sikurse fëmijët dhe rrugaçët dhe nuk u bie ndër mend për popullin e mjerë.

Si zakonisht rreth mosmirënjohjes sonë nga Atij, ja edhe disa citate Kur’anore:

17,67: … Por, pasi Ai ju shpëton në tokë, ju i ktheni shpinën. Njeriu është mosmirënjohës.

22,66: Ai ju dha jetë dhe pastaj do t’ju bëjë të vdisni e më vonë do t’ju ringjallë. Me të vërtetë, njeriu është mosmirënjohës.

25,50: Ne e kemi përsëritur (dhuntinë) që të vënë veshin, por shumica e njerëzve kundërshtojnë e janë mosmirënjohës.

35,36: … Ja, kështu Ne do t’i dënojmë mosmirënjohësit.

42,48: … Kur Ne i japim njeriut të shijojë mëshirën Tonë, ai i gëzohet asaj. Por, nëse atë e godet ndonjë e keqe për shkak të asaj që kanë bërë duart e tij, atëherë, ai bëhet mosmirënjohës i vërtetë.

76,1-2: Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë; Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.

80,17: Mallkuar qoftë njeriu! Sa mosmirënjohës që është ai!

100,6-8: Njeriu është vërtet mosmirënjohës ndaj Zotit të vet, dhe ai, pa dyshim, këtë e dëshmon. Vërtet, ai është i pangopur për pasuri.

Të gjitha lavdet, lavditë, madhështitë e falënderimet i takojnë Zotit tonë Bujar, që na ka bërë prej muslimanëve!

Paqja, mëshira dhe bekimi i All-llahut Madhështor qofshin me juve!

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit