12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Mos e fajësoni Sheriatin për ekstremizmin – fajësoni kolonializmin

Më të lexuarat

Nga Mark Fathi MASSOUD

Duke iu referuar asaj se “ekstremistët islamikë” duan të imponojnë rregulla fetare fundamentaliste në komunitetet amerikane, ligjvënësit e krahut të djathtë në dhjetra shtete të SHBA-ve kanë tentuar ndalimin e Sheriatit, një term arab që shpesh nënkuptohet si ligj islamik.

Këto debate politike – që citojnë terrorizmin dhe dhunën politike në Lindjen e Mesme për të argumentuar se Islami është i papajtueshëm me shoqërinë moderne – përforcojnë bindjet e gabueshme që bota muslimane është e pacivilizuar.

Ata gjithashtu pasqyrojnë injorancën e tyre lidhur me Sheriatin, pasi Sheriati realisht nuk është një kod i rreptë ligjor. Sheriati do të thotë “rrugë” ose “kahje”: Është një grup vlerash dhe parimesh etike të nxjerra nga Kur’ani – libri i shenjtë i Islamit – dhe jeta e Profetit Muhamed. Si i tillë, njerëzit dhe qeveritë e ndryshme mund ta interpretojnë Sheriatin në mënya të ndryshme.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që bota është përpjekur të kuptojë se ku përshtatet më së miri Sheriati në rendin global.

Në vitet 1950 dhe 1960, kur Britania e Madhe, Franca dhe fuqitë e tjera evropiane i tërhoqën kolonitë e tyre në Lindjen e Mesme, Afrika dhe Azia, krerët e vendeve të saposovranizuara me shumicë muslimane u ballafaquan me një vendim që pati pasoja të mëdha: A duhet t’i ndërtojnë qeveritë e tyre mbi vlerat islame apo të përqafojnë ligjet evropiane të trashëguara nga sundimi kolonial?

Debati i madh

Pa dyshim, hulumtimet historike tregojnë se udhëheqësit politikë të këtyre vendeve të reja zgjodhën të mbajnë sistemet e tyre të drejtësisë koloniale dhe jo të vendosin ligjin fetar.

Shtetet e sapopavarësuara si Sudani, Nigeria, Pakistani dhe Somalia, ishin vetëm disa nga ato që kufizuan zbatimin e Sheriatit në kontestet martesore dhe trashëgimore brenda familjeve muslimane, ashtu siç kishin bërë pushtuesit e tyre kolonialë. Pjesa tjetër e sistemeve të tyre ligjore do të vazhdonte të bazohej në ligjin evropian.

Për ta kuptuar pse ata zgjodhën këtë drejtim, unë studiova procesin e vendimmarrjes në Sudan, vendi i parë sub-saharian që ka fituar pavarësinë nga britanikët.

Në arkivat dhe bibliotekat kombëtare të kryeqytetit Khartoum dhe në intervistat me avokatët dhe zyrtarët sudanezë, zbulova se gjyqtarët kryesorë, politikanët dhe intelektualët në fakt e shtynë Sudanin që të bëhej shtet demokratik islam.

Ata parashikuan një sistem ligjor progresiv në përputhje me parimet e besimit islam, ku të gjithë qytetarët – pavarësisht nga feja, raca ose përkatësia etnike – mund të praktikonin lirisht dhe haptazi besimet e tyre fetare.

“Njerëzit janë të barabartë ashtu si dhëmbët e një krehëri”, shkruante në vitin 1956 Kyetari i Gjykatës Supreme të Sudanit, Hassan Muddathir, duke cituar Profetin Muhamed, ku thotë se “një arab nuk është më i mirë se një joarab, dhe një i bardhë nuk është më mirë se një me ngjyrë”.

Pse t’i mbajmë ligjet e pushtuesve?

Hulumtimi im identifikon tre arsye pse Sudani i atëhershëm mënjanoi zbatimin e Sheriatit: politikë, pragmatizëm dhe demografi.

Rivalitetet mes partive politike në Sudanin postkolonial çuan në ngërçin parlamentar, gjë që e vështirësoi kalimin e legjislacionit të duhur. Pra, Sudani thjesht mbajti ligjet koloniale që tashmë ishin të shkruara në libra.

Kishte arsye praktike pse u mbajt ligji i përbashkët anglez gjithashtu.

Gjyqtarët sudanezë ishin trajnuar nga zyrtarët kolonialë britanikë. Prandaj, ata vazhduan të zbatojnë parimet e ligjit të përbashkët anglez ndaj mosmarrëveshjeve që trajtoheshin në sallat e tyre të gjyqit.

Baballarët themelues të Sudanit u përballën me sfida urgjente, të tilla si krijimi i ekonomisë, krijimi i tregtisë së jashtme dhe përfundimi i luftës civile. Ata mendonin se nuk ishte mjaft e thjeshtë që të rishikohej sistemi i qeverisjes në Khartum.

Përdorimi i vazhdueshëm i ligjit kolonial pas pavarësisë reflektonte edhe diversitetin etnik, gjuhësor dhe fetar të Sudanit.

Edhe atëherë, si tani, qytetarët sudanezë flisnin shumë gjuhë dhe i përkisnin dhjetra grupeve etnike. Në kohën e pavarësisë së Sudanit, njerëzit që ushtronin traditën sunite dhe sufite jetonin kryesisht në Sudanin verior, por edhe krishterimi ishte një besim i rëndësishëm në Sudanin jugor.

Shumëllojshmëria e bashkësive fetare të Sudanit nënkuptonte se mbajtja e një sistemi të huaj ligjor siç ishte ligji i përbashkët anglez, ishte më pak i dikutueshëm sesa versioni që do të ofronte Sheriati.

Përse ekstremistët triumfuan

Hulumtimi im zbulon se paqëndrueshmëria e sotme në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut është pjesërisht pasojë e këtyre vendimeve post-koloniale që kundërshtuar Sheriatin.

Në ruajtjen e sistemeve ligjore koloniale, Sudani dhe vendet e tjera me shumicë muslimane ndoqën një rrugë të ngjashme me atë të fuqive botërore perëndimore, të cilat dikur i shtynin kolonitë e tyre drejt laicizmit.

Tani qeveritë e reja e shmangnin zgjidhjen e pyetjeve të vështira në lidhje me identitetin fetar dhe ligjin. Kjo krijoi një shkëputje midis qytetarëve dhe qeverive.

Në termat afatgjatë, kjo shkëputje ndihmoi në nxitjen e trazirave midis disa qytetarëve që bënin thirrje për të bashkuar fenë dhe shtetin njëherë e përgjithmonë.

Në Iran, Arabi Saudite dhe një pjesë të Somalisë dhe Nigerisë, këto interpretime triumfuan, duke imponuar versionet e tyre të Sheriatit mbi miliona njerëz.

Me fjalë të tjera, vendet me shumicë muslimane e minimizuan potencialin demokratik të Sheriatit dhe e lanë atë në duart e ekstremistëve që e përdorën për politikat e tyre.

Nëse analizohet mirë, vërehet se nuk ka asnjë tension ndërmjet Sheriatit, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Ashtu si për çdo gjë, aplikimi i Sheriatit varet nga kush e përdor atë – dhe pse.

Udhëheqësit e vendeve si Arabia Saudite dhe Brunei kanë zgjedhur të kufizojnë lirinë e grave dhe të drejtat e pakicave. Por shumë dijetarë të Islamit dhe organizatave bazë e interpretojnë Sheriatin si një mënyrë fleksibile, të orientuar drejt një etike me parimet e barazisë.

Feja dhe ligji në mbarë botën

Feja është e qëndisur në strukturën ligjore të shumë popujve post-kolonial, dhe poqese nuk do të përdorej për interesa të ngushta politike, do të shërbente për lirinë dhe  stabilitetin.

Pas themelimit të tij në vitin 1948, Izraeli debatoi rolin e ligjit hebre në shoqërinë izraelite. Në fund të fundit, kryeministri David Ben-Gurion dhe aleatët e tij zgjodhën një sistem ligjor të përzier që kombinonte ligjin hebre me ligjin e përbashkët anglez.

Në Amerikën Latine, katolicizmi i imponuar nga pushtuesit spanjollë nënvizon ligjet që kufizojnë abortin dhe divorcin.

Dhe gjatë gjithë shekullit të 19-të, gjyqtarët në SHBA rregullisht cituan maksimën që “krishterimi është pjesë e ligjit të përbashkët.”

Ligjvënësit amerikanë ende referohen në besimin e tyre të krishterë kur mbështesin ose kundërshtojnë një ligj të caktuar.

Vetëm kur bëhet fjalë për vendet me shumicë muslimane, Sheriatit i mvishet faji për ligjet regresive – e jo njerëzve që përpunojnë ato politika në emër të fesë.

Fundamentalizmi dhe dhuna, me fjalë të tjera, janë një problem post-kolonial – jo një pashmangshmëri fetare.

Për botën muslimane, gjetja e një sistemi qeverisjeje që pasqyron vlerat islame, duke promovuar demokracinë, nuk do të jetë i lehtë pas më shumë se 50 vjetësh të rregullave të dështuara laike. Por ndërtimi i paqes mund ta kërkojë atë si një domosdoshmëri. /tesheshi.com/

Mark Fathi Massoud është Profesor i Asociuar i Politikës dhe Studimeve Ligjore në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit