6.9 C
Pristina
Wednesday, September 22, 2021

Milionat e PTK‘së i merr era

Më të lexuarat

Rrezikohet që depozita e PTK’së prej 16 milionë eurove, që humbën me falimentimin e Bankës Kreditore të Prishtinës, të mos kthehet kurrë. Sipas Auditorit, për PTK’në ekzistojnë pasiguri në rikuperimin e bilanceve me këtë bankë. Deri tani janë kthyer mbi 3 milionë euro.

Kthimi në tërësi i depozitave të Postës dhe Telekomit të Kosovës, prej 16 milionë euro, që humbën me falimentimin e Bankës Kreditore të Prishtinës, mund të mos bëhet kurrë. Deri tani nga një proces i tejzgjatur i likuidimit të aseteve të kësaj banke janë kthyer mbi 3 milionë euro.

Megjithatë, raporti i Auditorit për PTK-në i vitit 2011 tregon se ekzistojnë pasiguri të konsiderueshme në rikuperimin e bilanceve me këtë bankë. Rreziku i parë qëndron në atë se a ka asete të mjaftueshme të likuidimit për të mbuluar pretendimet e kreditorëve. “Pasi që ende nuk është e mundur që të përcaktohet rezultati i procesit të likuidimit dhe shuma e depozitave të garantuara nga BPK-ja, ekzistojnë pasiguritë e konsiderueshme në rikuperimin e bilanceve me këtë bankë”, thuhet në raportin e Auditorit, i cili u publikua të premten.

Problem tjetër është paqartësia se si do të vazhdojë procesi i likuidimit pas privatizimit të ndërmarrjes. Nuk dihet se kujt duhet t’i kthehen paratë, Qeverisë apo kompanisë që e merr PTK-në.

Këto paqartësi i kanë edhe vetë zyrtarët e PTK-së, të cilët në deklarimet e mëhershme kanë sqaruar së bëhet fjalë për një proces që nuk po i shihet fundi dhe se rreziku që këto mjete të mos kthehen ekziston gjithmonë, shkruan Express.

Ndërkohë, procesi i likuidimit ka filluar që nga viti 2005, por që në rastin e PTK-së nuk është kthyer as një e treta e mjeteve të humbura. PTK-ja asokohe kur banka veç kishte falimentuar, kishte si depozita afër 16 milionë euro.

Sipas raportit të Auditorit, është siguruar një humbje e shkaktuar nga 100 për qind të shumave të mbajtura me bankën. Nëse ka asete të mjaftueshme të likuidimit për të mbuluar pretendimet e kreditorëve, të ardhurat do të njihen në periudhat e ardhshme deri në shumën e përmirësuar.

Gjithashtu, sipas Auditorit, është bërë provizion për pasqyrat financiare për këtë vit dhe vitet paraprake për bilancet më 31 dhjetor 2011 dhe 2010, respektivisht 11.923 mijë euro dhe 12.492 euro, pasi që një pasiguri e rëndësishme ekziston në rikuperimin e bilanceve me këtë bankë.

“Në vitin 2011, 569 mijë euro (2010: 10 mijë euro) janë kompensuar dhe njihen si të ardhura në përputhje me rrethanat”, thuhet në raportin e PTK-së.

Për më tepër, jozyrtarisht burimet i kanë thënë gazetës se menaxhmenti i PTK-së i asaj kohe i kishte shpallur të humbura këto mjete ende pa falimentuar banka. Madje, kjo potencohet edhe në raportet financiare të PTK-së të asaj kohe.

“Është e çuditshme se si ka qenë e mundur gjithë kjo shumë e mjeteve të deponohet në një bankë”, ka thënë ky burim, duke aluduar në atë se i gjithë ky marifet ka mundur të kryhet në bashkëpunim. Madje, për këtë rast, po vazhdojnë hetimet për zyrtarë të ndryshëm që kanë qenë të përfshirë.

Deri në fund të vitit 2005, Banka Kreditore e Prishtinës, me të cilën PTK kishte depozitat më 31 dhjetor 2005, hyri në pranueshmëri pas tërheqjes së licencës nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës më 13 mars 2006.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit