10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Mesxhid al-Aksa e përgatitur për Ramazan nëpërmjet aktiviteteve vullnetare të palestinezëve

Më të lexuarat

Mesxhid al-Aksa, kibla e parë e muslimanëve që gjendet në Qytetin e Vjetër të Kudsit Lindor nën okupim, është bërë gati për muajin e Ramazanit dje me pjesëmarrjen e qindra palestinezëve.

Qindra anëtarë të krahut jugor të Lëvizjes Islame Palestina 1948, e themeluar nga palestinezët që janë me shtetësi izraelite, kryen pastrimin e faltores së shenjtë në Kudsin Lindor.

Oborret e Mesxhid al-Aksasë u lanë, u rregulluan dhe varrezat muslimane në pjesën e poshtme të mureve të Haram al-Sharifit u pastruan nga organizata e ndihmës humanitare me emrin 48 Igatha, që vepron në kuadër të lëvizjes.

Në kuadër të projektit “Zbarkimi në Mesxhid al-Aksa” që organizohet tashmë 12 vjet, shoqata Igatha 48 transportoi qindra palestinezë në Kudsin Lindor të okupuar me 120 autobusë nga qytetet ku jetojnë qytetarët palestinezë me shtetësi izraelite.

“Sot, brenda fushës së aktiviteteve të kampit ‘Së pari Kudsi’ të organizuar për të 12-tën herë me radhë, qindra qytetarë nga e gjithë pjesa e brendshme e Palestinës (qytetet palestineze të Izraelit) erdhën në Mesxhid al-Aksa me 120 autobusë”, tha për Anadolu Agency (AA) Gazi Isa, drejtori i shoqatës.

Ai deklaroi se vullnetarisht përgatitën faltoren e shenjtë për muajin e Ramazanit së bashku me Autoritetin e Vakëfeve Islame të Kudsit.

“Ne pastrojmë Mesxhid al-Aksa-në për ta përgatitur atë për adhurimin e muslimanëve dhe për të mbështetur Autoritetin e Vakëfeve. Ne lajmë oborret e Haram al-Sharifit, duke rregulluar pjesët e tij dhe duke pastruar varrezat”, shtoi Isa.

Siç theksoi ai, kampi në fjalë mbështetet nga të gjitha organizatat e lidhura me Lëvizjen Islame Palestina 1948.

“Ne i sjellim fëmijët, gratë dhe burrat tanë këtu për të forcuar besnikërinë e tyre ndaj Mesxhid al-Aksa-së”, potencoi Isa, duke shtuar se këtë aktivitet e cilësojnë si një nder për ta.

“Kudsi dhe Mesxhid al-Aksa janë prioriteti ynë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Vakëfeve Islame të Kudsit, i lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Shenjtërive të Jordanisë, tha në një deklaratë me shkrim se sikurse çdo vit, edhe kësaj radhe janë vendosur mjete hijezuese për muajin e Ramazanit.

Autoriteti theksoi se Mesxhid al-Aksa, e cila aktualisht është mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), është përgatitur me të gjitha pajisjet e nevojshme për ta përjetuar atmosferën e Ramazanit.

Kreu i Autoritetit të Vakëfeve Islame të Kudsit, Sheikh Azzam al-Hatib, më 23 shkurt publikoi një deklaratë me shkrim mbi qëndrimin që ata do të ndjekin në Ramazan.

Hatib tha se Mesxhid al-Aksa do të jetë e hapur për adhurim gjatë muajit të Ramazanit.

Çdo vit gjatë muajit të Ramazanit, mesatarisht 10 mijë muslimanë kryejnë adhurimet çdo ditë në këtë faltore ndërsa ky numër shkon deri në 150 mijë gjatë xhumasë.

Sipas të dhënave të Qendrës zyrtare të Statistikave të Izraelit, rreth 2 milionë e popullsisë së vendit me më shumë se 9 milionë banorë janë palestinezë dhe kjo shifër korrespondon me 20 për qind të popullsisë.

Bllokada dhe Muri i Ndarjes vazhdojnë të jenë pengesë

Në vitet e mëhershme, Izraeli bllokoi hyrjen në Kuds për burrat nën 40 vjeç nga Bregu Perëndimor i okupuar, i rrethuar nga Muri i Ndarjes (Muri i Turpit), dhe po ashtu ndaloi hyrjen e palestinezëve nga Gaza e bllokuar, e cila ka një popullsi prej afërsisht 2 milionë banorësh.

Ekzistojnë disa pika kontrolli ushtarake izraelite përgjatë murit prej betoni të lartë 5 metra të ndërtuar në vitin 2003 midis Bregut Perëndimor të okupuar dhe Kudsit.

Izraeli nuk lejon palestinezët në Bregun Perëndimor të kalojnë në Kuds në ditë të zakonshme, përveç me leje speciale. Ndërkaq, palestinezët që jetojnë nën bllokadën izraelite në Rripin e Gazës nuk kanë liri të udhëtojnë në Kuds ose diku tjetër.

Kudsi Lindor dhe Bregu Perëndimor janë të pushtuara nga Izraeli që nga viti 1967.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit