Mes asaj që dëshiron Allahu dhe asaj që na vjedh Ramazanin – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Mes asaj që dëshiron Allahu dhe asaj që na vjedh Ramazanin

“Vjedhësit e Ramazanit kanë dalë me të gjitha forcat e tyre për të vjedhur ditët dhe netët më të çmuara të jetës sate; prandaj kujdes! Kujdes!”

Ka thënë Imam Abdurahman Ibën el-Xheuziu (Allahu e mëshiroftë):

“Pasha Allahun, sikur t’u thuhej banorëve të varreve: ‘Shprehni një dëshirë’, ata do të dëshironin një ditë nga Ramazani.”

Ti je sot në ditë që miliona njerëz nën dhé do të donin t’i jetonin edhe një herë.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَاللَّهُ يُرِيدُ أَن يَتُوبَ عَلَيْكُمْ وَيُرِيدُ الَّذِينَ يَتَّبِعُونَ الشَّهَوَاتِ أَن تَمِيلُوا مَيْلًا عَظِيمًا﴾
“Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, ndërsa ata që ndjekin epshet dëshirojnë që ju të devijoni shumë.”
(En-Nisa, 4:27)

Ky është dallimi mes asaj që Allahu dëshiron për ne në Ramazan dhe asaj që na ofrojnë disa televizione dhe rrjete sociale.

Allahu na fton drejt pendimit, pastërtisë, përmirësimit dhe afrimit me Të.
Ndërsa shumë media dhe platforma sociale na ftojnë drejt shkujdesjes, epsheve, humbjes së kohës dhe largimit nga fryma e Ramazanit.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Shfrytëzoji pesë para pesë: rininë tënde para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para angazhimit dhe jetën para vdekjes.”
(Transmeton El-Hakimi, dhe hadithi është i saktë sipas shumë dijetarëve)
Ky hadith na kujton se koha është pasuria jonë më e madhe, dhe Ramazani është kulmi i saj.
Prandaj:
Mos lejo që Ramazani yt të vidhet nga serialet, rrjetet sociale, zbavitjet e kota dhe shpërqendrimet.
Mos e këmbe muajin e faljes me momente kalimtare.
Zgjidh atë që të afron me Allahun, jo atë që të largon prej Tij.
O Allah, na ndihmo në përmendjen Tënde, në falënderimin Tënd dhe në adhurimin e bukur ndaj Teje!
Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit