11.1 C
Pristina
Friday, May 24, 2024

Merkel dhe Schulz përplasen mbi politikën ndaj Turqisë në debatin parazgjedhor

Më të lexuarat

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe rivali i saj i qendrës së majtë Martin Schulz u përballën mbi politikën e Gjermanisë kundrejt Turqisë në një debat televiziv të dielën në mbrëmje

BERLIN (AA) – Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe rivali i saj i qendrës së majtë Martin Schulz u përballën mbi politikën e Gjermanisë kundrejt Turqisë në një debat televiziv të dielën në mbrëmje, tre javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 24 shtatorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lideri i Partisë Social Demokrate (SPD) Schulz bëri thirrje për një qëndrim më të ashpër ndaj Turqisë dhe sugjeroi ndalimin e menjëhershëm të bisedimeve të anëtarësimit të Ankarasë në BE, dhe ngrirje të fondeve para anëtarësimit në vlerë prej katër miliardë eurosh.

“Nëse do të bëhesha kancelar, do të ndaloja bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në BE”, tha ai, në mes të rritjes së tensioneve midis Gjermanisë dhe Turqisë.

Schulz ka mbrojtur prej kohësh anëtarësimin e Turqisë në BE, por së fundmi ka sinjalizuar ndryshim të politikës, pasi sondazhet e fundit zbuluan një rënie të konsiderueshme në mbështetjen e SPD-së.

Kandidatët kryesorë për kancelar të Gjermanisë debatuan natën e së dielës, ndërsa sondazhet treguan se blloku Demokristian i Merkelit (CDU/CSU) mund të fitojë 38 për qind të votave në zgjedhjet e 24 shtatorit, ndërsa SPD 24 për qind.

Merkel mbron një qasje të kujdesshme

Pavarësisht manovrimit politik të papritur të Schulz në natën e së dielës, kancelarja Merkel mbajti qëndrimin e saj të kujdesshëm dhe mbrojti politikën e saj të angazhimit në dialog me Turqinë për të kapërcyer tensionet e vazhdueshme.

“Unë nuk kam për qëllim të thyej marrëdhëniet diplomatike me Turqinë”, theksoi ajo.

Merkel gjithashtu argumentoi se ndalimi i bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë në BE mund të jetë një mesazh i gabuar për qytetarët turq që vazhdojnë të mbështesin reformat demokratike dhe perspektivat për anëtarësimin e vendit në BE.

Megjithatë, ajo ka mbështetur masat e fundit ekonomike që kanë për qëllim rritjen e presionit politik ndaj Ankarasë, dhe gjithashtu foli për mundësinë e azhurnimit të këshillave të udhëtimit për Turqinë.

Duke komentuar thirrjen e Schulz për t’i dhënë fund bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë në BE, Merkel nënvizoi se një veprim i tillë ka nevojë për mbështetje nga shtetet e tjera anëtare të BE.

Ajo gjithashtu kujtoi se deri më tani ministri i Jashtëm i qeverisë së koalicionit, Sigmar Gabriel, një politikan socialdemokrat, nuk i ka mbështetur thirrjet e tilla.

Por, Merkel tha se ajo tani do të bisedojë me kolegët e saj dhe do të shohë nëse ka një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë.

Tensionet midis Berlinit dhe Ankarasë u përshkallëzuan tutje javën e kaluar, pasi politikanët gjermanë kritikuan ashpër të enjten arrestimet e dy shtetasve gjermanë me prejardhje turke në Turqi, me dyshimin për mbështetjen e grupeve terroriste.

Që nga tentativa për grusht shteti në Turqi në korrik të vitit 2016, disa shtetas gjermanë janë arrestuar me dyshimin se kanë ofruar mbështetje për grupe të paligjshme ose terroriste.

Teksa politikanët gjermanë kanë kërkuar lirimin e tyre, autoritetet turke kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se gjyqësori i vendit është i pavarur dhe se çdo ndikim politik në procedurat ligjore është jashtë diskutimit.

Tensionimi i marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Berlinit

Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Berlinit u tensionuan që nga përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit, pasi udhëheqësit turq kanë kritikuar Gjermaninë për shpërfillje ndaj grupeve të jashtëligjshme dhe organizatave terroriste që janë armiqësore ndaj Turqisë.

Politikanët gjermanë në anën tjetër kanë shprehur shqetësime mbi sundimin e ligjit dhe çështjet e të drejtave të njeriut në mes të hetimeve të autoriteteve turke ndaj organizatës terroriste FETO, e cila orkestroi tentativën për grusht shteti që martirizoi 250 persona dhe plagosi 2.200 të tjerë.

FETO ka një rrjet të madh në Gjermani, me dhjetëra shkolla private, biznese dhe organizata mediatike.

Që nga tentativa e grushtit të shtetit, gati 4.000 të dyshuar të FETO-s kanë shkuar në Gjermani nga Turqia dhe vende të tjera, sipas raporteve të medias lokale.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Ankaraja për të arrestuar figurat kryesore të FETO-s, autoritetet gjermane kanë kundërshtuar kërkesat për ekstradim dhe kanë argumentuar se Ankaraja së pari duhet të ofrojë prova të shëndosha ligjore.

Përveç FETO-s, organizata terroriste PKK është gjithashtu aktive në vend dhe kryen aktivitete të rëndësishme të propagandës, rekrutimit dhe financimit.

Organizata ka rreth 14.000 pasues në mesin e popullsisë emigrante kurde në Gjermani, bën të ditur Agjencia e brendshme e inteligjencës BfV.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit