***
-Medreseja e Shkodrës, feston 25-vjetorin e themelimit të saj
25-vjetori i Medresesë së Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia” është festuar përmes një aktiviteti madhështor në teatrin “Migjeni”, ku të pranishëm ishin personalitetet më të larta fetare nga të gjitha trevat shqipfolëse, përfaqësues nga ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë dhe TIKA, kryetari i shoqatës “Vëllazërore, Humanitare dhe Kulturore Istanbul”, sponsorizuese e fuqishme e kësaj medreseje, Ritvan Seferaj, autoritete të pushtetit vendor dhe qendror, deputetë, etj.
Rrugëtimi jo lehtë i këtij institucioni arsimor, që nisi pak pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ishte temë e një dokumentari që u shfaq në nisje të aktivitetit duke veçuar si sukses të madh urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, dhënë në vitin 2011 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit” nga Këshilli i Bashkisë Shkodër, titulli “Pishtar i dijes dhe arsimit islam në Shqipëri” nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë” etj. Por si në çdo përvjetor të rëndësishëm nuk munguan poezitë, këngët, e interpretimet nga nxënës e ish-nxënës të kësaj shkolle.
Drejtori i përgjithshëm i medresesë “Haxhi Sheh Shamia“, Kujtim Dervishi që nga viti 2005 e në vazhdim, në një prononcim ekskluziv për radion “Zëri i Turqisë” shprehu emocionet e këtij viti jubilar. 
“…Ju faleminderit për intervistën! Sigurisht, sot është ditë emocioni. Përkujtohet një ngjarje e rëndësishme për arsimin në qytetin e Shkodrës për arsimin që ofron diturinë në fushën e edukimit islam, por edhe në fushat e tjera. Është një rast që të falënderojmë dhe të urojmë të gjithë ato plejada mësuesish që kanë punuar me përkushtim, me mund dhe sakrificë për 25 vjet me radhë, veçanërisht ato nismëtarët, intelektualët shkodranë dhe familjet qytetare shkodranë që bënë të mundur ngritjen e këtij institucioni. Sot, medreseja ka 1100 nxënës, është institucion që ofron një shërbim para-universitar të nivelit të standardeve bashkëkohore, është një institucion që ofron të gjithë përkujdesjen maksimale për nxënësit me laboratorë, me klasa, me ngrohje qendrore, etj. Dhe për sa i përket rezultateve dhe arritjeve mendoj se është një shkollë që konkurron në rang rajonal, por edhe në rang kombëtar. Është rasti të falënderojmë edhe sponsorin, shoqatën “Istanbul”, e cila investon fuqishëm për të gjitha projektet mësimore dhe edukative, por edhe të gjitha projektet kulturore e humanitare.
Ndërsa për rëndësinë e dhënies së titullit “Nderi i Qarkut Shkodër” për trupën e medresesë, Dervishi tha:
“…Nderi Qarkut, sigurisht është një vlerësim dhe është një nder i madh. Nuk është hera e parë që Këshilli i Qarkut e personalisht kryetarja e këtij këshilli, Greta Bardeli i ofron bashkëpunim medresesë, është një drejtuese që sigurisht na ka bërë të ndihemi mirë në marrëdhënie me të, kemi bërë disa takime në zyrën e saj me përfaqësues të qeverisë së nxënësve si dhe kemi bashkëpunuar për projekte të rëndësishme me të në fushën e edukimit të problemeve në marrëdhëniet mësues-nxënës. Dhe këtë proces ne do ta vazhdojmë. Unë e falënderoj dhe një herë personalisht këtë zonjë të nderuar…“.
I pyetur që përveç bashkëpunimit me Këshillin e Qarkut Shkodër a do të ketë bashkëpunime edhe me institucione të tjera, drejtori i përgjithshëm i medresesë theksoi:
“… Sigurisht, është vendi që të falënderoj edhe Bashkinë e Shkodrës, pa përjashtim të gjithë kryetarët e bashkisë që në procesin e rritjes së medresesë si infrastrukturë dhe vazhdimisht ka gjetur përkrahjen e të gjithë kryetarëve, sidomos ish-kryetarin Lorenc Lukën e falënderoj, kryetaren aktuale Voltana Ademin edhe të tjerët më përpara. Kjo është një gjë e rëndësishme, sepse pa këtë faktor ne nuk do kishim mundur të kishim këto rezultate. Falënderoj edhe institucionet e tjera si: Universitetin e Shkodrës, qendrën kulturore të fëmijëve, bibliotekën publike “Marin Barleti”,ambasadën turke,ambasadën amerikane që kanë ofruar një projekt të rëndësishëm bashkë me nstitutin “Për demokraci dhe ndërmjetësim”, Myftininë e Shkodrës dhe të gjithë institucionet e tjera“.
Në fund, drejtori Dervishi i uroi suksese të mëtejshme Turqisë, pas referendumit të 16 prillit…
“…Sigurisht, unë dëshiroj që populli turk të bëjë zgjedhjen më të mirë, zgjedhjen më demokratike, që të jetë në shërbim të interesit kombëtar të Turqisë, sepse është edhe në interesin kombëtar të Republikës së Shqipërisë.“.
Ndërsa, Kryetari i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Naim ef.Tërnava në fjalën e tij përshëndetëse tha:
“… Më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj të gjithëve për ketë 25-vjetor të themelimit të shkollës “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, duke i falënderuar të gjithë ata për të cilët dhanë kontribut 25 vjet me radhë që kjo shkollë të nxjerrë kuadro që e kanë lakmi edhe shumë e shumë vende të tjera me një traditë edhe shumë më të gjatë, ndaj duke e ditur se porosia e të Madhit Zot e para në Kur’an është që ne të mësojmë të lexojmë dhe të arsimohemi. Unë do të citoj edhe një thënie të urtë të enciklopedistit tonë shqiptar të madh, Sami Frashërit, i cili thotë: “Uji, i cili pihet ngadalë, e shuan etjen më shpejt”. Prandaj, shpresoj që kjo medrese me vështirësitë e veta në fillim eci dalë nga dalë, por shumë e sigurt dhe arriti që të shuajë etjen që kishin qytetarët e Shkodrës, por jo vetëm të Shkodrës, edhe më gjerë shoi etjen për mësime fetare, si dhe të ngopë atë vakum, i cili një kohë relativisht të gjatë pa fajin e qytetarëve nga një sistem i kaluar komunist dhe ateist ishte e ndaluar që të manifestohej këtu në Shqipëri. Zoti ju shpërbleftë me të mirat e tij…“.
I pranishëm në këtë cerem oni madhështore ishte edhe zv.Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Sinan Xhem Bash (Sinan Cem BAŞ), i cili në urimin e tij falënderoi kontribuuesit e hapjes dhe mirëmbajtjes së kësaj vatre dijeje, e cila sipas tij përçon kulturë, moral dhe harmoni…
“… Përgëzoj të gjithë drejtuesit, mësuesit dhe nxënësit e medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër. Uroj suksese të më tejshme dhe dëshiroj që edhe me ndihmën e Zotit të Madh të festojmë së bashku edhe në 50-vjetorin e kësaj shkolle. Faleminderit të gjithëve…”
***
– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –
