Me sulmin në Doha, Netanyahu i ka shpallur luftë botës

Më të lexuarat

Pavarësisht se ku ndodhesh, “krahu i gjatë” i Izraelit mund të vijë për ty

Nga Belén Fernández, Al Jazeera

Dhe kështu, Izraeli sulmoi sërish.

Të martën, agresori i përhershëm i Lindjes së Mesme lëshoi raketa mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, duke vënë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit të përfshirë në negociatat rreth një propozimi të Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Rripin e Gazës, ku gjenocidi izraelit ndaj palestinezëve ka vrarë zyrtarisht mbi 64 mijë njerëz në më pak se dy vjet.

Të mos keqkuptohemi: Izraeli nuk ka qenë kurrë i prirur për armëpushime – madje as për ato të propozuara nga hegjemonia globale dhe mbështetësi më i devotshëm i mizorive të tij. Në fund të fundit, vetë ekzistenca e shtetit është ndërtuar mbi zhdukjen e palestinezëve dhe mbi veprime të pandërprera luftarake.

Ndërkohë, edhe pse kushdo me një grimë mendjeje e ka konsideruar prej kohësh Izraelin si një shtet mashtrues, sulmi i paprecedentë ndaj Katarit duket se ua ka hapur sytë disa fuqive ndërkombëtare përmasave të vërteta të pakontrollueshmërisë së qeverisë izraelite.

Për shembull, fuqi botërore si Britania, Franca dhe India – të cilat, në shkallë të ndryshme, kanë ndihmuar gjenocidin në Gaza dhe kanë mbyllur sytë para akteve të tjera të terrorit të ushtrisë izraelite në rajon – arritën të bien dakord për një dënim jo karakteristik pas sulmit në Doha.

Kjo nuk do të thotë, sigurisht, se vënia në shënjestër e udhëheqësve të Hamasit në një vend që pret bazën më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme është më tronditëse moralisht sesa therja e dhjetëra mijëra njerëzve në Gaza, shumica gra e fëmijë.

Thjesht është për t’u vënë re se edhe apologjetët e pamaturisë gjenocidale të Izraelit duket se kanë tërhequr një vijë të kuqe të re: që izraelitët nuk mund të bombardojnë njerëz e vende sipas oreksit.

Pas sulmit në Doha, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se “bombardimi i njëanshëm brenda Katarit, një kombi sovran dhe aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara që po punon shumë dhe me guxim po merr rreziqe për të ndërmjetësuar paqen, nuk çon përpara qëllimet e Izraelit apo të Amerikës”.

Megjithatë, për të mos lënë pa një shfajësim, ajo shtoi: “Eliminimi i Hamasit, që ka përfituar nga mjerimi i atyre që jetojnë në Gaza, është një qëllim i denjë.”

Nga ana e tij, Presidenti amerikan Donald Trump u ka “siguruar” katarianëve se “një gjë e tillë nuk do të ndodhë më në tokën e tyre”, sipas fjalëve të Leavitt.

E megjithatë, Katari ka arsye të mos ndihet aspak “i sigurt”, duke qenë se është bërë krejt e qartë që Trump ka hequr dorë nga çdo kontroll mbi atë që Izraeli bën ose nuk bën në tokën e vendeve të tjera.

Për ta vërtetuar këtë realitet, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi të mërkurën në rrjetet sociale: “Krahu i gjatë i Izraelit do të veprojë kundër armiqve të tij kudo. Nuk ka vend ku ata mund të fshihen.”

Ndërkohë, kryeministri Benjamin Netanyahu kërcënoi drejtpërdrejt Katarin, duke lënë të kuptohet se sulmi mund të mos ketë qenë i fundit: “I them Katarit dhe të gjitha kombeve që strehojnë terroristë, ose dëboji ata, ose sillini para drejtësisë – sepse nëse nuk e bëni ju, do ta bëjmë ne.”

Si zakonisht, vendi që sot mban monopolin mbi terrorizmin rajonal – pa përmendur afro tetë dekada spastrim etnik, shpronësim dhe masakra ndaj palestinezëve – e merr përsipër të përcaktojë se kush janë “terroristët” dhe më pas t’i sulmojë.

Duke pasur parasysh këtë përkufizim të rremë për “terrorizmin”, nuk është vetëm Katari që duhet të shqetësohet. Siç tha edhe Netanyahu, “të gjitha kombet që strehojnë terroristë” janë të pranueshme për versionin izraelit të “drejtësisë”, i cili në praktikë nënkupton krime lufte dhe shkelje të pafundme të ligjit ndërkombëtar.

Sipas raportimeve të Al Jazeera-s të mërkurën, Izraeli kishte kryer sulme ushtarake në jo më pak se gjashtë vende në 72 orët e fundit. Përveç Palestinës dhe Katarit, edhe Libani, Siria, Tunizia dhe Jemeni “u nderuan” nga prirja shkatërrimtare e Izraelit.

Tani, mbetet çështje fati se kush mund të ndihet i sigurt nga “krahu i gjatë” i Izraelit – dhe gjasat janë të pakta. Dekada më parë, agjencia izraelite e spiunazhit Mossad kishte treguar se ishte krejt e qetë me vrasjen e palestinezëve në tokën evropiane. E tashmë, me një gjenocid të plotë në Gaza, sa më shumë “terroristë” të gjenden jashtë vendit, aq më mirë për Izraelin në drejtim të shpërqendrimit dhe legjitimimit të operacioneve të tij gjakosura.

Izraeli mund të mburret sot me mosndëshkimin total që gëzon dhe me aftësinë për të shkaktuar shkatërrim sipas dëshirës. Por ndërsa mbetet të shihet se çfarë manovrash të tjera djallëzore ka “krahu i gjatë” nën mëngë, deklarata e Netanyahut që i shpall botës luftë duhet të shërbejë të paktën si një thirrje zgjimi për ata që ende besojnë në oksimoronin vdekjeprurës të “drejtësisë” izraelite. /Tesheshi.com/

Belén Fernández është kolumniste për Al Jazeera-n.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit