9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Mbretërimit 165-vjeçar të naftës po i vjen fundi, a do të mund të jetojmë ndonjëherë pa të?

Më të lexuarat

Nga Hannah Osborne, Livescience

Gjatë shekujve XVII-XX, njerëzit vranë miliona balena për vajin që bartnin në trupin e tyre. Ata e kryenin këtë proces si t’i hiqnin lëkurën një molle. Vaji viskoz zihej dhe më pas grumbullohej nëpër fuçi për t’u përdorur në çdo gjë, nga llambat deri tek lubrifikantët në industritë e kohës.

Ishte kjo procedurë e përgjakshme, ajo që solli dritë në shoqërinë njerëzore. “Është e tmerrshme”, shkruante Çarls Nordof mbi përvojën e tij në një anije gjuetie balenash në vitin 1895. “Megjithatë tymi i vajit të tyre është si temjan në vrimat e hundës së njerëzve. Sepse vaji i balenave sjell shumë fitime”, shtonte ai.

Për më shumë se 100 vjet, uria e pangopur për vaj, i çoi në prag të zhdukjes balenat në Atlantikun e Veriut. Sot gjuetia komerciale e balenave është e ndaluar me ligj. Vaji i tyre përdoret vetëm në një pjesë të vogël të produkteve, dhe popullatat e balenave janë shtuar  disi.

Një ndryshim i ngjashëm po vjen edhe për naftën, megjithëse se kur dhe si do të ndodhë, mbetet ende e paqartët. Super-parashikuesit më të mirë, të kombinuar me Inteligjencën Artificiale, janë të saktë vetëm në parashikimin e ngjarjeve gjeopolitike deri një vit përpara, thotë për Live Science Luke Kemp, bashkëpunëtor kërkimor në Qendrën për Studimin e Rrezikut Ekzistencial dhe në Universitetin e Kembrixhit.

“Në rastin më të mirë, ne mund të krijojmë një panoramë të përgjithshme”, thekson ai. Por tendencat e përgjithshme janë të qarta. Ne jemi distancuar tashmë nga përdorimi i energjisë së naftës në shtëpitë tona. Dhe ndërsa ndryshimi i klimës na shtyn ta përshpejtojmë këtë tranzicion, po zhvillojmë teknologji të reja, të cilat do të ndihmojnë botën të tejkalojë gjithnjë e më shpejt varësinë e saj nga nafta.

Në disa industri, si transporti dhe plastika, kockat e kalbura të kafshëve të ngordhura prej kohësh, do të jenë burimi kryesor i energjisë edhe për një kohë të gjatë. Por bota post-naftë është duke ardhur. “Industria e gjuetisë së balenave, është një analogji shumë e mirë. Në kulmin e saj, industria e gjuetisë së balenave ishte shumë e madhe. Por përgjatë dekadave, hyri në një rënie të pandalshme”, thotë Dejvid Mekdonald, profesor i gjeologjisë së naftës në Universitetin e Aberdenit në Britaninë e Madhe.

Njerëzit e kanë përdorur naftën për mijëra vite. Rreth 40.000 vjet më parë, njerëzit në atë që është sot Siria përdornin bitumin – një nënprodukt i naftës së papërpunuar – për të ngjitur dorezat në veglat e tyre. Përpara 35.000 vjetësh, dhe mesopotamianët përdorën të njëjtën substancë ngjitëse për të izoluar anijet e tyre.

Babilonasit e përdorën për të ndërtuar kopshtet e varura, ndërsa egjiptianët për të balsamuar mumjet e tyre. Në Kinë, njerëzit digjnin naftë të papërpunuar dhe gaz për ngrohje dhe dritë që në vitin 500 Para Erës Sonë. Ndërkohë në shekullin IV të Erës Sonë, ata bënin shpime në tokë për këtë  burim natyror dhe e transportonin atë nëpërmjet tubave prej bambuje.

Por nafta nisi të nxirrej në volume të mëdha vetëm pas vitit 1859, kur Edvin Drejk zbuloi një burime nafte në Pensilvani, SHBA. Ndodhi kjo me të njëjtën teknikë shpimi të përdorur në Kinë më shumë se 1500 vjet më parë, edhe pse më të modernizuar, Drejk gjeti një rezervuar natyror nafte 21 metra nën sipërfaqen e tokës. Kështu lindi industria e naftës në SHBA.

Nafta e papërpunuar, e cila përbëhet nga lidhje të thjeshta kimike karboni dhe hidrogjeni, formohet nga mbetjet e kafshëve dhe bimëve që u fundosën në fund të kënetave, liqeneve dhe oqeaneve. Gjatë miliona viteve, ato u mbuluan nga shtresat e rërës dhe shkëmbinjve, dhe nxehtësia dhe presioni i fortë i shndërruan këto mbetje në naftë dhe gaz natyror.

Më pas ato u mbyllën në rezervuarë – disa afër sipërfaqes, të tjerët qindra ose mijëra metra më poshtë – me xhepat e gazit që zakonisht gjenden në majën e një rezervuari të madh nafte. Gjatë 165 viteve të fundit, nafta e papërpunuar ka transformuar thuajse çdo aspekt të shoqërisë njerëzore.

Nëse nafta do të zhdukej befas nesër, tregtia globale do të hynte në kolaps, për shkak të ndërprerjes së punës nga industria e anijeve dhe e aviacionit. Siguria ushqimore do të ishte e pasigurt pa naftën që do të furnizonte bujqësinë në shkallë të gjerë ose paketimet për ta mbajtur ushqimin e freskët.

Kujdesi mjekësor do të degradonte, për shkak të mungesës së pajisjeve sterile të nevojshme në spitale. Nga ana tjetër, projektet e energjisë së rinovueshme do të ngriheshin pa elementët përbërës të nevojshëm për të prodhuar panele diellore ose turbina me erë. Natyrisht, tranzicioni ynë larg naftës do të jetë shumë më i butë se kaq.

Në përgjithësi, ne ia kemi dalë të heqim dorë nga përdorimi i naftës për prodhimin e energjisë elektrike. Në tetor të vitit të kaluar, një raport nga Autoriteti Ndërkombëtar i Energjisë, zbuloi se kërkesa për naftë do të arrijë kulmin këtë dekadë. Ndërkohë, rritja e përdorimit të automjeteve elektrike (EV), do të sjellë rënien tjetër të madhe të përdorimit të naftës.

Sipas një raporti të vitit 2018 nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), automjetet zënë gati 50 për qind të përdorimit global të naftës bruto. Por kjo përqindje do të bjerë në dekadat e ardhshme. Vlerësohet se shitjet e EV do të zënë 2/3 e tregut global deri në vitin 2030.

Nëse ne jemi agresivë në uljen e emetimeve të karburanteve fosile me treçerekun deri në vitin 2050, industria e EV mund të jetë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e reduktimit në kërkesën totale për naftë”, theksohet në raportin e BP Energy Outlook të vitit të kaluar

Edhe aviacioni mbështetet kryesisht tek  nafta. Avionët punojnë për disa dekada dhe kushtojnë dhjetëra miliona deri në qindra miliona dollarë për t’u ndërtuar. Por teknologjia po ecën me shpejtësi edhe në këtë sektor. Avionët e rinj janë shumë më efektivë në përdorimin e karburantit sesa avionët 40 vjet më parë.

Dhe kjo industri është e angazhuar të ketë zero emetime ndotëse në atmosferë deri në vitin 2050.  Lëndët djegëse të qëndrueshme të aviacionit (SAF), do të jenë çelësi për heqjen dorë nga nafta. Këto biokarburante prodhohen nga lëndët e para të përdorura për proceset industriale, duke përfshirë mbetjet, biomasën, vajin e gatimit dhe mbetjet e yndyrës shtazore. Kompania Boeing planifikon që t’i bëjë të gjithë avionët e tij komercialë të aftë për të fluturuar me SAF deri në vitin 2030. Ndërkohë transporti detar ka një problem më të madh. Anijet qarkullojnë falë naftës. Ashtu si avionët, edhe ato janë jashtëzakonisht të shtrenjta për t’u ndërtuar. Rreth 90 për qind e tregtisë botërore kryhet nga industria ndërkombëtare e transportit detar, me mbi 105.000 anije tregtare që lundrojnë aktualisht nëpër oqeane, dhe që zënë rreth 5 për qind të konsumit të naftës.

Sipas Dhomës Ndërkombëtare të Transportit, pa anijet që transportojnë mallra në të gjithë planetin “gjysma e botës do të vdiste uria dhe gjysma tjetër do të ngrinte”.

Fredrik Bauer, pedagog në Universitetin Lund në Suedi, kryen kërkime mbi gjetjen e rrugëve të reja të furnizimit të anijeve. Por ai nuk është i bindur se industria e anijeve do të jetë në gjendje të distancohet së shpejti nga nafta. Hidrogjeni shihet si një lëndë djegëse e mundshme alternative. Anijet mund të pajisen me qeliza karburanti hidrogjeni, por kjo strategji ka problemet e saj. Për shembull, që të mbetet  lëngshëm, karburanti duhet të ruhet në temperatura jashtëzakonisht të ulëta. Dendësia e saj e energjisë është e ulët, duke e rritur sasinë e ruajtjes së kërkuar në çdo anije. Po ashtu, hidrogjeni është tejet shpërthyes. Anijet me hidrogjen janë ende në fazat e tyre të hershme. Tragetet e para dhe anijet e vogla që përdorin këtë teknologji janë duke u testuar, ndërsa anijet e mëdha të ngarkesave oqeanike me karburant hidrogjeni janë ende në fazën e projektimit .

Xhej Ept, profesor në Shkollën e Biznesit të Universitetit Carnegie, thotë për Live Science se transporti ka të ngjarë të jetë një përdorues i pangopur i naftës edhe për disa dekada. “Transporti në distanca të gjata, do të mundësohet nga përdorimi në shkallë të gjerë i gjerë të naftës të paktën edhe për 100 vite të tjera”, shprehet ai.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit