14.7 C
Pristina
Sunday, May 26, 2024

“Marshi për Halepin” mbërrin në Maqedoni, deri tani kaloi mbi 1.500 km nëpër Evropë

Më të lexuarat

“Ne nuk duhet t’i lëmë njerëzit në nevojë të vetëm. Populli sirian nuk e kishte fatin të lind në një vend të sigurtë dhe të qetë sikurse unë. Mendoj se kjo nuk është e drejtë dhe dua t’i tregoj këtij populli se unë jam me ata”, u shpreh Alboth

KUMANOVË (AA) – Grupi i aktivistëve që para 116 ditëve filluan marshimin nga Berlini për në Halep dhe i cili deri më tani ka kaluar më shumë se 1.500 kilometra nëpër Evropë, mëngjesin e sotëm ka arritur në kufirin verior të Maqedonisë, në afërsi të qytetit të Kumanovës, ku u prit nga shoqatat joqeveritare humanitare të cilat ndanë paketa ushqimore sikurse refugjatëve që kalonin nëpër territorin e këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Marshi qytetar për Halepin”, i cili u themelua në fund të vitit 2016 si Lëvizje ndërkombëtare e solidaritet, shkon në drejtim të kundërt me rrugën e refugjatëve që vijnë në Evropë. Përmes këtij marshi, pjesëmarrësit apelojnë që t’i jepen fund bombardimeve që vrasin mijëra civilë në Siri dhe njëkohësisht të ndihmohen qytetarët sirianë të cilët janë larguar nga vendi i tyre për shkak të konfliktit të armatosur.

Gazetarja polake Anna Alboth, e cila është njëra nga iniciatoret e idesë për AA bëri të ditur se në territorin e Maqedonisë do të qëndrojnë rreth dhjetë ditë. Ajo shtoi se momentalisht grupi i marshimit është i përbërë prej rreth 30 personave, mirëpo theksoi se me mijëra persona tjerë u janë bashkangjitur në destinacione të shkurta.

“Unë mendova që duhet të bëj diçka dhe të mos qëndrojë pasive në shtëpi. Prandaj vendosa që në këtë mënyrë të ndihmojë popullin sirian. Ne nuk duhet t’i lëmë njerëzit në nevojë të vetëm. Populli sirian nuk e kishte fatin të lind në një vend të sigurtë dhe të qetë sikurse unë. Mendoj se kjo nuk është e drejtë dhe dua t’i tregoj këtij populli se unë jam me ata”, u shpreh Alboth për AA.

Në grupin e aktivistëve të “Marshit qytetar për Halepin” e pranishme ishte edhe 76 vjeçarja Elia, e cila për AA theksoi se ajo që ndodh në Siri është e tmerrshme dhe çdo njeri duhet të bëj diçka në ndihmë të popullit sirian.

“Unë jam lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe babai im humbi jetën në Poloni. Kështu që, unë mendoj se duhet të bëjmë patjetër diçka për paqe. Kjo që ndodh në Siri është e tmerrshme dhe patjetër duhet të parandalohet”, theksoi Elia për AA.

Nga territori i Maqedonisë marshi do të largohet më 30 prill për të vazhduar më tej drejt Greqisë. Gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoni, pjesëmarrësit e marshit do të organizojnë aktivitete të ndryshme me qëllim të ngritjes së vetëdijes tek publiku rreth vështirësive të popullit sirian.

Marshi filloi më 26 dhjetor të vitit të kaluar nga Berlini dhe që atëherë ka kaluar përmes Gjermanisë, Çekisë, Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë. Marshi në Siri pritet të arrijë nga fundi i verës 2017.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit