14.3 C
Pristina
Saturday, July 27, 2024

Marrëzia e modernitetit: vajza të vogla të fiksuara pas shmangies së rrudhave?!

Më të lexuarat

Kompanitë kozmetike i nxisin të reklamojnë kremra kundër plakjes në rrjetet sociale

Nga Arianna Cerone, Today.it

Serum pastrues, kremra që pastrojnë njollat në lëkurë dhe ato kundër plakjes. Është rutina e mëngjesit, e filmuar dhe e shpërndarë në rrjetet sociale në çdo hap të përpiktë si në rutinën të mbrëmjes, së cilës i shtohen disa hapa të mëtejshëm që përbëhen nga maska me produkte kozmetike aromatike dhe “masazherë” argëtues për fytyrën.

Sigurisht, kjo nuk është një përmbajtje e re në rrjetet sociale. Në kamera nuk shfaqen modele influencuese 30-vjeçare, por vajza nga 8 deri në 13 vjeçe. Ato enden nëpër dyqane kozmetike në kërkim të produktit më të fundit që është viral në rrjetet sociale.

Dhe nuk është rastësi që në platformën TikTok, ato identifikohen me hashtagun #SephoraKids. Kryesisht janë vajza, por ka edhe djem në moshën e para-adoleshencës. Në një dhomë-jehone që lind dhe ushqehet në mediat sociale, dukuria tashmë i riemërtuar si “cosmeticorexia”, i sheh fëmijët e mitur në një garë për kërkimin e përbërësit aktiv më të fundit të shtrenjtë për të “kuruar” dhe parandaluar njollat e lëkurës, të përmendura në mënyrë të pandërprerë në videot e shkurtra (reels) në Instagram dhe TikTok.

Në një fiksim të përhershëm me “kujdesin e përsosur të lëkurës”, #SephoraKids u kërkon prindërve të blejnë produkte të shtrenjta, me përbërës aktivë që janë absolutisht të papërshtatshëm për moshën e tyre, madje në disa raste të dëmshme.

Pra në listën e tyre të dëshirave për Krishtlindje nuk ka lodra, por kremra dhe serume të bazuara tek vitamina C, acid hialuronik, lloje të ndryshme të acideve për një pastrim të thellë të lëkurës, si acidet shumë të njohura alfa dhe beta hidroksi.

Me ambalazhe të këndshme dhe me një kosto që në shumë raste shkon disa dhjetëra euro, kozmetika është një temë diskutimi mes brezit Alfa (të lindurit mes viteve 2010 dhe 2024), sidomos në rrjetet sociale, ku vajzat 10 vjeçe shkëmbejnë mendime dhe këshilla mbi serumin më të fundit hidratues të testuar në video që janë të denja për influencuesit më me përvojë.

Rreziqet e produkteve kozmetike në lëkurën e fëmijëve

Përmes një mjeti të fuqishëm siç janë mediat sociale, në formësimin e proceseve të imitimit dhe në bashkëpunim me shumë marka të reja kozmetike me një prezantim tërheqës dhe “të ri”, kategoria e para-adoleshentëve, që shpeshherë janë ende fëmijë, janë bërë objektivi i ri i industrisë së bukurisë. Një sektor që ndër të tjera është shumë i zhvilluar edhe në Itali.

Raporti i fundit nga Cosmetica Italia, shoqata kombëtare e kompanive kozmetike, flet për një xhiro totale prej 15.1 miliardë eurosh në këtë sektor vitin e kaluar, ose 13.8 për qind më shumë në krahasim me vitin 2022.

Shifrat parashikohen të rriten më tej deri në fund të këtij vit, me një xhiro prej mbi 16.6 miliardë euro (9.8 për qind më shumë sa në viti 2023). Kjo tendencë shumë shqetësuese nisi në Shtetet e Bashkuara, dhe arriti shumë shpejt në vendet evropiane dhe në Itali.

Nuk është rastësi që në Suedi, rrjeti kryesor i farmacive në vend, Apotek Hjärtat, ka ndaluar shitjen e produkteve kozmetike për fëmijët nën 15 vjeç, dhe që disa marka u ndjenë nën presion për të nisur fushata informuese mbi “sëmundjen” e re të Gjeneratës Z dhe Alfa, mbi “ankthin e moshës” dhe frikën nga plakja.

Së fundmi, Shoqata Britanike e Dermatologëve ka ngritur alarmin për përdorimin e produkteve të lëkurës me përbërës kundër plakjes apo përbërësve të tjerë aktivë të fuqishëm, të cilët mund të shkaktojnë probleme të pakthyeshme si ekzema dhe alergjitë në lëkurën delikate të fëmijëve .

“Që anoreksia kozmetike të përcaktohet si një çrregullim të vërtetë, do të duhej një certifikim shkencor. Por është se sigurt se kemi të bëjmë me një prirje shumë shqetësuese, e cila është produkt i kohës që po jetojmë”, shprehet Stefano Rosi, psikolog i fëmijëve dhe adoleshentëve, që bashkëpunon me shkollat për të ndihmuar prindërit që kanë adoleshentë me probleme të sjelljes.

“E pavetëdijshmja është në internet”: ç’mund të bëjnë të rriturit?

Nëse miti i performancës dhe prirja drejt narcisizmit duket i përshtaten në mënyrë të përsosur dinamikës së adoleshencës, për fëmijët duket se vlen edhe dimensioni i fortë i lojës. Në fund të fundit, luajnë edhe vajzat 9 ose 10 vjeçare që qëndrojnë përpara një videokamere duke hapur, nuhatur dhe lyer me përmbajtjen e tubetave shumëngjyrëshe. Vetëm se në vend të ngjitësit dhe fletëve prej letre, ato kanë në duar produkte kozmetikë për të rritur dhe video të bashkëmoshatarëve që përsërisin të njëjtat gjeste. “Fëmija – shpjegon Rosi – nuk e ka ende atë konceptimin estetik që ka adoleshenti. Ky i fundit, është si një artist që duhet të krijojë pikturën e tij dhe merr frymëzim nga ajo që e rrethon, duke pasur brenda vetes një narcisizëm, i cili megjithatë është i shëndetshëm”.

Parakohshmëria e këtij fenomeni, është në fakt një sulm i madh i marketingut mbi mendjet e fëmijëve, të cilët nuk i kanë ende mjetet për t’i dhënë kuptim gjesteve që kryejnë. Por nëse gjesti përsëritet dhe shndërrohet një kulturë, është shqetësuese një dominim ekstrem i manisë për t’u paraqitur gjithnjë në mënyrë të përsosur.

Stefano Rossi merret me edukimin emocional të adoleshentëve dhe prindërve të tyre, duke pasur parasysh një objektiv të dyfishtë: “mendjet kritike dhe zemrat inteligjente”. “Për këtë lloj dukurie, puna që duhet bërë është mbi mendjen kritike. Sot kemi brezin e adoleshentëve më konsumator në histori, por ky nuk është faji i tyre. Ata janë të bombarduar me mesazhe nga marketingu, dhe ndaj duhet gjetur kohë për t’i pyetur se çfarë mendojnë mbi bukurinë dhe lumturinë”, thotë Rossi, që shton se e pavetëdijshmja është tashmë online: “Pak e shumë ne të gjithë mendojmë sipas kategorive të mediave sociale, nga të cilat kryesore është pëlqimi (like). Adoleshenti i djeshëm, ishte një figurë që përpiqej të qëndronte jashtë shoqërisë. Sot adoleshentët janë hiperkonformistë”.

“Hiper-adoleshentizimi” i fëmijërisë

“Prapa këtyre vajzave të vogla që blejnë dhe porosisin online produkte kozmetike, qëndron miti i performancës. Në një botë vertikale, atyre u kërkohej të ishin thjesht ‘fëmijë të mirë’. Ndërkohë, sot jemi dëshmitarë të një shoqërie horizontale, pra një gare të madhe, me diktatin e nënkuptuar për të qenë Nr. 1.

Vala e gjatë e kësaj shoqërie të performancës, i jep formë dukurive të këtij lloji, me rrezikun e nxitjes së ndjenjës së pamjaftueshmërisë edhe tek para-adoleshentët. Për këtë lloj fenomeni specifik nuk ka ende kërkesa për këshilla nga prindërit, pasi tek e fundit është një dukuri sociale dhe jo klinike. Por informacioni që marr nga shkollat, flet për një lloj ‘hiper-adoleshentizmi’ të fëmijërisë.

Ne jemi një shoqëri e përqendruar tek adoleshenca me prindërit dhe madje disa gjyshër që vazhdojnë të sillen si adoleshentë. Pas asaj që shfaqet si narcisizëm nga ana e gjeneratave të reja, fshihet shpesh narcisizmi i prindërve, të cilët nuk e kufizojnë veten në dëshirën për të pasur një fëmije të mirë, por thuajse një ‘fëmijë hyjnor’. Pas prindit narcisist, qëndron një i rritur i shqetësuar mbi të ardhmen dhe që e projekton tek fëmija thelbin e kësaj shoqërie të performancës”, shpjegon eksperti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit