Agjencia AFP thekson se të dyja palët kanë zhvilluar disa përplasje – nga shkëmbime të armatosura deri në luftë të gjithanshme – që nga ndarja e përgjakshme e vitit 1947.
India dhe Pakistani shkëmbyen zjarr me armë të ndryshme të mërkurën përgjatë kufirit të kontestuar në Kashmir, në një eskalim të madh mes fqinjëve të armatosur me armë bërthamore, raporton AFP.
Kjo krizë e fundit shpërtheu pasi New Delhi nisi sulme me raketa ndaj rivalit të tij më të madh, dhe në të dyja anët janë raportuar dhjetëra viktima.
India akuzon Pakistanin
New Delhi e akuzon Pakistanin për mbështetjen e sulmit më vdekjeprurës në vite ndaj civilëve në Kashmirin nën administrimin indian, më 22 prill, ku u vranë 26 burra. Islamabadi i ka mohuar akuzat.
Luftërat dhe përplasjet historike:
• 1947 – Ndarja
Përfundon sundimi dy shekullor britanik më 15 gusht 1947, duke ndarë nënshtetin në Indi me shumicë hinduiste dhe Pakistan me shumicë myslimane.
Ndarja e papërgatitur shkakton një gjakderdhje të madhe me më shumë se 1 milion të vrarë dhe 15 milionë të zhvendosur.
• 1965 – Lufta për Kashmirin
Pakistani nis luftën e dytë në gusht 1965 duke sulmuar pjesën e Kashmirit të kontrolluar nga India. Mijëra u vranë përpara një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Sovjetik dhe SHBA.
• 1971 – Lufta për Bangladeshin
Pakistani përpiqet të shtypë lëvizjen për pavarësi në Bangladeshin e sotëm, atëherë i njohur si Pakistani Lindor.
3 milionë njerëz vriten, miliona të tjerë ikin në Indi. India ndërhyn ushtarakisht dhe ndihmon në krijimin e shtetit të pavarur të Bangladeshit.
• 1989-1990 – Kryengritja në Kashmir
Kryengritje në Kashmir në vitin 1989 për shkak të pakënaqësive ndaj sundimit indian. Dhjetëra mijëra ushtarë, rebelë dhe civilë janë vrarë që prej atëherë. India akuzon Pakistanin për financimin dhe stërvitjen e rebelëve.
• 1999 – Kargil
Grupa të armatosura të mbështetura nga Pakistani pushtojnë pozicione ushtarake indiane në malet Kargil.
Pakistani tërhiqet nën presionin e fortë të Washingtonit, i shqetësuar nga informacionet se Islamabadi kishte lëvizur armë bërthamore më afër vijës së konfliktit. Rreth 1,000 persona u vranë gjatë 10 javëve të luftimeve.
• 2019 – Pulwama
Në një sulm vetëvrasës ndaj një konvoji të forcave indiane të sigurisë në Pulwama, vriten 40 persona.
India bombardon caqe në territorin pakistanez, duke goditur një kamp trajnimi të dyshuar të grupeve të armatosura.
Një avion luftarak indian rrëzohet mbi territorin pakistanez dhe piloti kthehet në Indi brenda pak ditësh.
Burimi: Agjencitë
