8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Marrëdhënia me pushtetin dhe politikën? – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Qëndrimi ndaj pushtetit dhe politikës është një marrëdhënie e vështirë, ndaj të cilit nuk mund të jesh vetëm pro ose kundra. Nuk ka receta të gatshme dhe as formula fikse, që funksionojnë në çdo rast dhe çdo kohë, por gjithsesi ka parime dhe interesa madhore të cilat ngelen të përhershme. Dhe këto parime dhe interesa merren nga burimet bazike të Islamit dhe nga shpjegimet e modelet e dijetarëve islamë ndër shekuj.

Shumë prej njerëzve në planin teorik janë shpesh ekstrem, ose duke refuzuar çdo afrim dhe mbyllur tërësisht derën e komunikimit me pushtetin dhe politikën, sepse ajo të ndyn dhe të korrupton moralisht ose ia hapin asaj të gjitha kanatet pa asnjë filtër, me justifikimin e mbrojtjes së interesit të fesë.

Sigurisht që mes këtyre dy ekstremeve gjen një mori qëndrimesh, ku gjithsecili pretendon se është i mesëm dhe në hak, se ruan ekuilibrin mes ekstremeve, duke kritikuar të tjerët dhe justifikuar veten.

Padyshim që të gjithë gjejnë argumente nga burimet e fesë dhe praktika të dijetarëve apo justifikime personale me të cilat ata përligjin dhe interpretojnë qëndrimet e tyre. Por ajo që shpesh harrohet nga shumica është se këto qëndrime a janë fryt i njohjes dhe shqyrtimit akademik fetar të mëparshëm apo janë qëndrime të nxituara, pas të cilave për shkak të sedrës dhe nevojës nuk ka më kthim pas? Mendoj se në shumicën e rasteve qëndron kjo e dyta.

Sigurisht që parë me objektivitet nga burimet fetare asnjë prej qëndrimeve ekstreme absolute nuk është i saktë, dhe duke qenë e tillë, gjetja e së mesmes së artë dhe atë që është më pranë së vërtetës dhe së drejtës që e pranon Allahu, nuk është e lehtë në praktikë, ndaj dhe për raste konkrete do të gjesh ixhtihade shpesh të kundërta mes tyre.

Mirëpo ajo që mund të thuhet me siguri në këtë rast është se hoxhallarët në radhë të parë dhe ata që flasin në emër të fesë, por edhe besimtarët më pas, duhet të kenë gjithmonë parasysh ruajtjen e parimeve madhore të fesë dhe mos lejimin e cenimit të tyre nga ata vetë, siç janë besimi në Zot, teuhidi, profetësia, shtyllat e Islamit dhe Imanit, hallallet dhe haramet e mëdha, dhe më pas interesat madhore të muslimanëve që lidhen me lartësimin e kësaj feje.

Sigurisht që këto janë fjalë shumë të përgjithshme dhe çdokush pretendon se i ka parasysh, ndaj dhe lipset që qëndrimet karshi pushtetit dhe politikës të jenë të mirëstudiuara për çdo rast dhe të ketë për to një aprovim sa më të gjerë paraprak nga mesi i hoxhallarëve dhe jo pasi ato të bëhen fakt i kryer në terren.

Në kushtet e mungesës së një institucioni dinjitoz gjithpërfshirës, dhe aktualisht të paaftë akademikisht fetarisht dhe praktikisht ku ne ndodhemi, kjo çështje e rëndësishme për mbarëvajtjen e besimtarëve në këtë vend ngelet gjithmonë produkt individual i çdo hoxhe, ndaj dhe me keqardhje do të shohim vazhdimisht ekstreme, sidomos në shumicën e rasteve nga ato që bëjnë pis pozitën e drejtuesit të fesë dhe korruptojnë qëndrimet morale të tyre karshi shtetit dhe politikës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit