13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Maqedonasit kritikojnë thirrjet e politikanëve nga Kosova për regjistrim të diasporës shqiptare

Më të lexuarat

Thirrjet e politikanëve nga Kosova, drejtuar diasporës shqiptare, për t’u regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë – që ka nisur në Maqedoninë e Veriut fillimisht me shtetasit që jetojnë jashtë vendit – kanë nxitur reagime të shumta në brenda këtij vendi.

“Meqë edhe me Kushtetutën aktuale, të drejtat politike të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut diktohen dhe burojnë nga numrat, regjistrimi i çdo qytetari është tejet i rëndësishëm”, u ka thënë mërgimtarëve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Kurti ka thënë mes tjerash se qendrat e LVV-së, që ndodhen në shtetet e ndryshme në Evropë dhe gjetiu, do të vendosen në shërbim të shqiptarëve, të cilët janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, nëse ata kanë nevojë për ndihmë gjatë regjistrimit.

Mesazhe të ngjashme për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë kanë dërguar edhe Vjosa Osmani, kandidate për pozitën e presidentit të Kosovës, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratikë të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Thirrje e tilla, liderët e opozitës maqedonase i kanë vlerësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Opozita maqedonase ka reaguar dhe ndaj takimeve që ka realizuar zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi me zyrtarë të lartë të Kosovës, për çështjen e regjistrimit.

Ata kanë thënë se regjistrimi është shndërruar në operacion politik, në vend se të jetë statistikor, andaj edhe kanë kërkuar urgjentisht anulimin e regjistrimit.

Opozita maqedonase “E Majta” (Levica), i ka konsideruar thirrjet e Kurtit si ndërhyrje flagrante në politikbërjen e Maqedonisë së Veriut.

“Thirrja nga ana e zyrtarëve të Kosovës, drejtuar diasporës shqiptare, që ajo në mënyrë masive të regjistrohet, paraqet dëshmi flagrante për përzierje në punët e brendshme në Maqedoni (të Veriut). Problem shtesë paraqet edhe numri i madh i letërnjoftimeve për të cilat ka dyshime se u janë shpërndarë në rrethana të dyshimta shtetasve të Kosovës”, theksohet në reagimin e partisë maqedonase në opozitë “E Majta”.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Konceptit Maqedonas, Petar Bogojeski me ç’rast, siç ka theksuar ai në një status në profilin e tij në Facebook, Albin Kurti duhet të shohë oborrin e vet.

“Albin Kurti duhet ta shohë oborrin e vet në Kosovë. Kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë (së Veriut) dhe është e papranueshme. Artan Grubi, bën thirrje të regjistrohen shqiptarët dhe harron se është zëvendëskryeministër i Maqedonisë (së Veriut) dhe gjithë qytetarëve të shtetit. Bujar Osmani, bën turne me para shtetërore që të regjistrohen shqiptarë dhe harron se Ministria e Punëve të Jashtme është e Maqedonisë (së Veriut) dhe se duhet të takohet me të gjithë nga diaspora e shtetit maqedonas”, ka thënë Bogojeski.

/zhurnal. mk

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit