6.6 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Mahmoud Abbas: Pa Kudsin nuk mbajmë zgjedhjet

Më të lexuarat

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas vendosi të enjten të shtyjë zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 22 maj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke potencuar si arsye refuzimin e Izraelit për mbajtjen e zgjedhjeve në qytetin e okupuar të Kudsit Lindor, Abbas tha ata nuk do të mbajnë zgjedhje me përjashtimin e Kudsit nga votimi.

“Ne nuk do të shkojmë në zgjedhje pa Kudsin e okupuar. Unë dua zgjedhje në Kuds si në Bregun Perëndimor”, deklaroi ai në një fjalim televiziv.

Ai tha se pala izraelite nuk i kishte dhënë përgjigje kërkesës palestineze për hapjen e qendrave të votimit në Kuds “sepse nuk ka qeveri izraelite për të marrë një vendim të tillë”.

Abbas shtoi se Bashkimi Evropian informoi palën palestineze për zhgënjimin e tyre për mosmarrjen e një përgjigjeje nga pala izraelite.

Abbas zbuloi se izraelitët kërcënuan me arrestimin e Hanna Nasser, kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëse ai shkonte në Kuds për përgatitjen e zgjedhjeve.

Megjithatë, ai theksoi se sapo Izraeli të lejojë zgjedhjet në Kuds, votimi do të mbahet “brenda një jave”.

Hamas, nga ana e tij, kritikoi hapin e pritur të Abbas-it.

Një nga krerët e lartë të Hamasit, Jamal al-Tawil, deklaroi për AA më herët se grupi kundërshton shtyrjen e zgjedhjeve palestineze.

“Vendimi i shtyrjes (së zgjedhjeve), nëse ndodh, është një vendim serioz. Ky vendim është i papranueshëm dhe përbën shkelje të interesave më të mëdha të popullit palestinez”, tha ai.

Tawil shtoi se mbajtja e zgjedhjeve në Kuds është e nevojshme dhe mund të bëhet “teknikisht dhe politikisht”, pa lejen e Izraelit.

Ndërkohë, qindra palestinezë të zemëruar janë mbledhur në qendër të Ramallahut për të dënuar vendimin e presidentit palestinez.

Në fillim të kësaj jave, e përditshmja “Al-Quds”, e afërt me Autoritetin Palestinez, zbuloi se Abbas ishte nën presionin arab dhe amerikan për të shtyrë zgjedhjet.

E përditshmja shtoi se presioni erdhi pasi kishte frikë se Hamasi mund të fitonte zgjedhjet. /aa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit