12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Lufta e la me pasoja, sot s’ka mundësi financiare të mjekohet

Më të lexuarat

Lufta la pasoja të rënda në të. Ngjarjet e tmerrshme që i pa për së afërmi i kujtohen vazhdimisht. Ai shpesh kthehet në kohë 16 vite pas, bie dhe zgjohet me pamjet e përgjakshme të luftës, që nuk po e lënë të frymojë i qetë. Që nga paslufta, 38 vjeçari Muhamet Dili nga Podujeva, përballet me probleme mendore. Ajo që ka mbetur pa përkujdesje është vajza e tij e vogël, vetëm 8 vjeçare. Së fundmi, vajzën e vogël e ka marrë nën përkujdesje motra e Muhamedit. Muhamet Dili jeton në kushte mjaftë të vështira ekonomiko-sociale, bashkë me babanë e tij. Terapia atij i kushton shumë dhe si e tillë është e papërballueshme për familjen Dili. Ndërsa fatkeqësisht, pa atë terapi Muhameti pothuajse nuk mbijeton. Deri tani, plaku Murat Dili ia mbulonte disi shpenzimet e djalit, duke i shitur edhe ato krerë lope që i kishin mbetur. Nga 13 lopë sa kishte, tani i ka mbetur vetëm një. Plaku rrëfen për KosovaPress, gjendjen e vështirë të djalit. Thotë se Muhameti edhe bëhet agresiv nëse nuk e përdorë me rregull terapinë. Ndërkohë, sigurimi i tyre vetëm me asistencë sociale është i pamundur. “Rregullisht duhet me i marrë, se ky pa to menjëherë ndryshon, sikur ne që hamë bukë dy-tre herë në ditë ktij i duhet terapia, pa to nuk bënë hiq”, thotë ai. Ai e ka shumë të vështirë të rrëfejë për jetën të cilën po e bënë ai dhe i biri, të vetëm. Qëndrimi i mbesës së vogël në një shtëpi tjetër, larg tyre, po e pikëllon atë shumë. Murat Dilit kanë filluar t’i shteren mundësitë. Ai tregon se deri tani është munduar të mbulojë shpenzimet e djalit duke i shitur bagëtitë. E shpenzimet për barna veç po i rritën. “E kam dërguar atë ditë në Tiranë, 100 euro e kam paguar taksinë. Aty u bë 700 euro, 800 krejt. Unë i pata shit çka pata”, thotë ai. KosovaPress ka takuar edhe mjekun Shaban Jashari, i cili merret me rastin e Muhamet Dilit që nga shfaqja e sëmundjes së tij. Ai rrëfen për gjendjen e pacientit që nga paslufta. Siç tregon mjeku, një kohë gjendja e Muhametit ka qenë edhe më rëndë. Ai nuk ka mundur as të përdorë ushqim, e as të bëjë gjumë natën. “Ka pas frikë, depresion, ëndrra të tmerrshme gjatë natës, parafytyrime të tmerrshme që i ka përjetuar gjatë luftës dhe babai i tij Murati e ka sjellë tek unë, e kemi trajtuar ne me ekipin mjekësor”, thotë ai. Jashari është i njoftuar mjaftë mirë me gjendjen e Muhamedit dhe të familjes së tij. Ai tregon se kjo familje po përballet me kushte tejet të vështira. Madje, nganjëherë nuk kanë para të sigurojnë terapinë që i duhet Muhametit. “Ky person jo vetëm që vuan për shëndet mendor por ka edhe probleme tjera sociale për shkak se i mungojnë të hollat për me ble terapinë dhe shpesh herë kur nuk e merr terapinë, këtij personi i keqësohet gjendja, bëhet agresiv”, thotë ai. Ai mendon se do të ishte më mirë që Muhameti të shtrihej në një qendër rehabilituese. Kështu, edhe do t’i ofrohej një kujdes, gjë që i mungon tani. Ai jeton vetëm me të atin që është mjaftë i moshuar. I ati i Muhametit, Murat Dili është në hall vetëm të sigurojë terapinë që i duhet për djalin. Thotë se vështirësitë tjera i përballon disi. Mjafton që barnat t’ia sigurojë djalit. “Për djalë do barna me mujt me i siguru diku, ajo do të ishte më së miri. Tjerat të gjitha kapërcejnë”, thotë ai. Familja Dili jeton në Orllan të Podujevës. Në shtëpinë e tyre dikur plotë, sot ka mbetur vetëm i zoti i shtëpisë Murat Dili me djalin e sëmurë. Ata po përballen me kushte shumë të rënda ekonomike. Kanë nevojë për ndihmë, që së paku të mund të sigurojnë medikamentet që iu duhen për Muhametin, i cili kur kalon në agresivitet edhe fshatarët për rreth i bënë të ndjehen të rrezikuar. Që të mos arrij gjendjen agresive atij i duhet të përdorë terapinë që i është shkruar nga mjekët. Pa mjekim, ai pothuajse nuk mund të mbijetoj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit