Pse Donald Trump i frikësohet kaq shumë kritikave të Robert De Niros?
Është një skenë që e kemi parë shumë herë, por që nuk pushon kurrë së qeni alarmante. Një individ që mban postin më të lartë sot në botë, që lëshon një lumë fjalësh fyese kundrejt njërës prej ikonave më të mëdha të artit botëror.
Sulmi i fundit i Donald Trump ndaj Robert De Niros në “Truth Social”. Nuk është thjesht një zhurmë tjetër digjitale. Ajo është dëshmia e radhës e një njeriu që nuk duron dot pasqyrën që De Niro guxon t’i mbajë përpara.
Arsyeja pse Trump lëshon sulme kaq primitive dhe të mbushura me vrer nuk ka të bëjë me inteligjencën e aktorit, por me vërtetësinë e tij të pamëshirshme. Trump i frikësohet De Niros, sepse ai nuk është një politikan që mund të blihet apo një burokrat që mund të frikësohet me presione administrative.
Ai është një simbol i kulturës që përdor të vetmen armë që Trump nuk e zotëron dot: vërtetësinë emocionale. Në stilin e tij tipik, Trump përdor fjalorin e një bullisti të shkollës fillore për të goditur inteligjencën e De Niros, duke e quajtur fituesin e dy çmimeve Oscar si njeri me “IQ jashtëzakonisht të ulët”.
Kjo flet shumë për pasigurinë e tij kronike. Është ironike që njeriu që e quan veten “gjeni” sulmon një aktor që ka kaluar dekada duke zbërthyer kompleksitetin e sjelljes njerëzore, ndërkohë që vetë nuk mund të artikulojë asnjë politikë pa u zhytur në sulme personale.
Kur De Niro e përshkroi atë si “dështak, të pafuqishëm dhe të dëshpëruar”, përgjigja e Trump – plot britma me shkronja të mëdha dhe fantazi për dëbimin nga SHBA-ja të dy kongresmeneve myslimane – vetëm sa vërtetoi diagnozën e aktorit.
Kur De Niro flet për “ndjenjën e tradhtisë nga vendi i tij”, ai i jep zë miliona njerëzve që shohin institucionet e tyre duke u gërryer nga narcisizmi. Ai nuk po mbron një parti, por moralin. Thirrja e tij “edhe ne jemi amerikanë” e godet në zemër strategjinë përçarëse që kërkon të monopolizojë patriotizmin me slogane boshe.
Trump e tall De Niron pse u përlot në postimin e tij, duke e quajtur “sjellje prej fëmije”, sepse në botën e tij ndjeshmëria është dobësi. Por për publikun, lotët e De Niros janë shprehja më e lartë e dashurisë për vendin.
Një koncept që Trump e ka të pamundur ta kuptojë jashtë interesit personal. Më e rrezikshmja mbetet gjuha autoritare: sugjerimi se kritikët duhet të “shtrohen në çmendinë” ose të “hipin në varkë dhe të ikin nga SHBA”, nuk është gjuha e një udhëheqësi demokratik, por e dikujt që e sheh mospajtimin si sëmundje mendore dhe opozitën si krim.
Historia do ta mbajë mend Robert De Niron si njeriun që nuk heshti kur ishte më e lehtë të qëndroje anash. Në këtë përplasje mes një aktori që luan role dhe një politikani që jeton në një realitet të sajuar, është e qartë se kush po aktron dhe kush po thotë të vërtetën e hidhur. /tesheshi.com/
