6.7 C
Pristina
Wednesday, October 16, 2024

Liria e shprehjes, shkeljet e saj dhe propaganda anti-islame

Më të lexuarat

Çështja e lirisë së shprehjes është e hapur, së paku, që nga koha e Platonit, kur ai shtroi disa rregulla që duhej të vlenin për poetët në shtetin ideal që ai projektoi.

Prej atëherë e deri në ditët tona, janë bërë përpjekje të shumta që të vendosen rregulla, që do ta mundësonin lirinë e shprehjes, por edhe rregulla që do ta kufizonin atë. Meqë zgjidhjet e ofruara deri tani janë të konceptuara për t’iu përshtatur një realiteti social, politik, kulturor e qytetërues konkret, mund të thuhet se liria e shprehjes si vlerë esenciale ende nuk është një e arritur universale e njerëzimit.

Dallimet në aspektin e lirisë së shprehjes ndërmjet vendeve dhe qytetërimeve të ndryshme, janë të mëdha dhe ato i shpalosin kundërthëniet dhe krizat që ekzistojnë në botën e sotme. Ka shumë vende në botë, veçmas vendet e mbetjeve totalitare, ku liria e shprehjes është maksimalisht e ngulfatur dhe ku thyerja e censurës sanksionohet me ndëshkime të rënda. Ka shumë vende të tjera me sisteme kuazidemokratike, ku liria e shprehjes është vazhdimisht e shantazhuar, gjoja nga nevojat që të ruhen interesat e mëdha kombëtare ose fetare.

Liria për vete – fyerja për të tjerët

Sot për sot mund të thuhet se arritjet më të mëdha në promovimin e lirisë së shprehjes në fushën e politikës, të mediave, të kulturës dhe të besimit, i ka arritur bota perëndimore. Por, kjo liri është e bazuar në konceptimin humanist të botës, që do të thotë se është e shkëputur nga udhëzimet dhe nga obligimet hyjnore, që janë rezervuar për njeriun dhe njerëzimin. Prandaj, këto arritje janë vetëm lokale, e jo universale. Vlejnë vetëm brenda një formacioni ose një qytetërimi, ndërsa ndaj të tjerëve aktivizohen skemat e vjetra të ekskluziviteteve përjashtuese, qoftë fetare, qoftë ideologjike.

Rrjedhimisht, shfaqet një kontradiktë ndërmjet realizimit lokal të këtij standardi dhe përpjekjes për imponimin global të tij, duke mos respektuar specifikat e shoqërive dhe të qytetërimeve të tjera. Pikërisht mungesa e konsideratës ndaj të tjerëve, përkatësisht arroganca e lirisë së shfrenuar të shprehjes e planifikuar si provokim dhe si poshtërim, veçmas ndaj muslimanëve, u rishfaqen me publikimin e karikaturave që kanë tematizuar figurën e profetit Muhamed.

Në të vërtetë, po të mbetej botimi i tyre vetëm në faqet e gazetës daneze, Jyllands-Posten do të mund të pranohej se paskësh qenë fjala për një botim aksidental. Por, botimi i tyre nga shumë gazeta të tjera në Evropë, zbuloi se solidariteti në këtë rast nuk kishte të bënte me profesionin dhe me mbrojtjen e lirisë së shprehjes, por kishte të bënte me sulm të koncentruar dhe arrogant ndaj ndjenjave më të thella të muslimanëve. Kësisoj, ky sulm i orkestruar në shumë gazeta, mori përmasat e një kryqëzate mediatike. Nuk besojmë që papa Urbani II, gjatë fjalimit të tij në Klermont, të ketë ëndërruar një mobilizim të tillë mediatik, por fyerjet e tij ndaj profetit Muhamed, gjetën përgjigje identike në fushatën e botimit të atyre karikaturave të shëmtuara nëpër shumë media të Evropës. Edhe pse nuk ishte fjala për përkushtim kristian të njëjtë, ndërmjet papës luftarak dhe mediave liberale të shekullit XXI, rezultoi se është fjala për ndjenja të ngjashme islamofobe. Ky paradoks mbetet të hulumtohet në të ardhmen.

Shumë intelektualë dhe politikanë liberalë e kanë arsyetuar këtë fushatë abuzimi me lirinë e shprehjes, si një arritje të madhe të Perëndimit dhe kanë apeluar që të mos hiqet dorë prej saj në asnjë rast, pra, as kur është fjala për tematizimin keqdashës të figurës së profetit Muhamed. Megjithatë, pak njerëz janë ndalur për të hulumtuar se çfarë shkruhet në dokumentet që e rregullojnë lirinë dhe përgjegjësinë e shprehjes së lirë të medias në shtetet perëndimore, përfshirë dhe Danimarkën. Të shohim, pra çka thonë dokumentet?

Çka thonë dokumentet?

Prandaj, në vazhdim të këtij teksti do të fokusoj disa nga ato dokumente themelore, për të shikuar se a është vërtet fjala për respektimin e tyre, apo ka ndodhur një shkelje drastike e tyre, në emër të lirisë së shprehjes, që në fakt është shndërruar në akt të shkeljes së lirisë së të tjerëve.

Në “Orientimet Themelore të Kodeksit Profesional të Procedimit” të Kuvendit të Gazetarëve të Danimarkës thuhet: “Garantimi i lirisë së fjalës në Danimarkë është i lidhur ngushtë me qasjen e lirë të gazetarëve në mbledhjen e informatave dhe lajmeve, dhe publikimin e tyre sa më korrekt. Komenti i lirë është në funksion të lirisë së shprehjes. Duke ndjekur këto detyra, gazetarët pajtohen se secili individ, qytetar, meriton t’i respektohet integriteti i tij personal, moscenimi i privatësisë dhe nevoja e mbrojtjes nga shqetësimi i padrejtë.” Se a janë mbrojtur nga “shqetësimi i padrejtë” muslimanët në Danimarkë, nga botimi i karikaturave është lehtë të konkludohet.

Ndërsa, në nenin 3 të Përmbajtjes së këtij Kodeksi thuhet se “Informatat që mund të shkaktojnë paragjykime ose ta fyejnë dikë, përkatësisht, mund të nënçmojnë mendimin e personit tjetër, duhet të verifikohen në mënyrë të themeltë.” As ky nen nuk është respektuar në rastin e gazetën daneze, sepse karikaturat kanë fyer ndjenjat e muslimanëve në Danimarkë dhe e kanë nënçmuar mendimin e tyre, pa bërë kurrfarë verifikimi të themeltë të informatës dhe mesazhit të karikaturave të publikuara. Në nenin 5 të Kodeksit shkruhet edhe kjo: “Nuk bën të keqpërdoret besimi i njerëzve të tjerë. Ndaj personave që nuk janë në gjendje të shprehin qartë mendimet e tyre duhet pasur respekt i posaçëm. Ndjenjat e njerëzve të tjerë, ose pamundësia e shprehjes, nuk bën të keqpërdoren.” Edhe kësaj radhe është e qartë se veprimi i gazetës daneze ka qenë në kundërshtim të qartë me Kodeksin e Kuvendit të Gazetarëve, i cili është i miratuar edhe nga Parlamenti i Danimarkës, edhe nga sindikatat nacionale të gazetarëve në vitin 1992.

Për ta mbyllur komentimin e Kodeksit danez të gazetarëve, po citojmë edhe nenin 7: “Informatat e pasakta do të korrigjohen me iniciativë personale të redaktorit, sapo të vërtetohet se gabimi i publikuar ka peshë. Korrigjimi duhet të bëhet në atë mënyrë që lexuesit t’i jepet mundësia që ta vërejë korrigjimin lehtësisht”. Dihet se gazeta daneze nuk e ka bërë korrigjimin, dhe nuk ka kërkuar falje nga ata që janë ndier të goditur nga karikaturat e saj, me çka ajo në fakt ka shkelur në rend të parë Kodeksin e Kuvendit të Gazetarëve të vendit të vet. Atëherë shtrohet pyetja: si është e mundur që liria e shprehjes të shfrenohet në atë masë, sa të mos respektojë rregullat e vendosura në mënyrë demokratike? Apo, mos është fjala, në këtë rast, për përdorimin e medias dhe të lirisë së shprehjes, për të thelluar një luftë ideologjike dhe propagandistike kundër Islamit?

Atyre që eventualisht duan të thonë se rregullimi i lirive, përgjegjësive dhe mosrespektimi i tyre në Danimarkë, mund të trajtohet si precedent lokal i një vendi të vogël, vlen t’ua përkujtojmë se ka një korpus rregullash të qarta në nivel të Federatës Evropiane të Gazetarëve, të cilat janë të obligueshme për të gjithë gazetarët dhe për të gjitha mediat që janë anëtare të saj. Kështu, në “Deklaratën mbi Parimet e Sjelljes së Gazetarëve”, në nenin 4, thuhet: “Gazetari do të shfrytëzojë vetëm metodat e ndershme në mbledhjen e informatave, fotografive ose dokumenteve”. Ndërsa, në nenin 7 të po këtij dokumenti themelor të gazetarisë evropiane thuhet: “Gazetari është i vetëdijshëm nga rreziku i diskriminimit, të cilin mediat mund ta nxisin, prandaj do të bëjë gjithçka që është në mundësinë e tij, për të evituar përkrahjen e diskriminimit të bazuar, ndër të tjera, në racë, gjini, orientimin gjinor, gjuhë, religjion, qëndrime politike dhe të tjera, si dhe në prejardhjen nacionale dhe shoqërore.” Besoj se është e qartë që gazeta daneze dhe të gjitha mediat e tjera evropiane që kanë botuar karikaturat fyese ndaj profetit Muhammed, kanë shkelur me të dyja këmbët edhe ‘Deklaratën mbi Parimet e Sjelljes së Gazetarëve’ të Federatës Evropiane të Gazetarëve. Prandaj mund të thuhet me siguri të plotë se kjo shkelje është bërë me qëllim dhe me synime që kanë të bëjnë me objektiva jashtë mbrojtjes së lirisë së shprehjes, pra, me objektiva ideologjikë, të provokimit të muslimanëve dhe të luftës propagandistike kundër Islamit.

Në Deklaratën e Konferencës Ndërkombëtare të Federatës së Gazetarëve, ku morën pjesë gazetarë nga shtatëdhjetë shtete, e që u mbajt në Bilbao më vitin 1997, thuhet: “Gazetarët veçmas duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e fjalëve dhe të fotografive të tyre, meqë janë brenda shoqërive në të cilat është e rrënjosur frika, shqetësimi nga konfliktet qytetare dhe nga ekskluziviteti shoqëror”. Ndërsa, në Deklaratën e Mynhenit, të miratuar në vitin 1971, nga shtetet anëtare të atëhershme të Bashkimit Evropian dhe nga Zvicra e Austria, dhe që është dokument obligativ për shtetet e Bashkimit Evropian, janë precizuar rregullat dhe përgjegjësitë e gazetarisë në këto vende. Në nenin 3 të Deklaratës së Mynhenit kërkohet që: “të publikohen vetëm informatat, burimi i të cilave është i njohur, përkatësisht të përcillen me distancimet e nevojshme, të mos fshihen informatat me rëndësi dhe të mos ndërrohet përmbajtja e teksteve dhe e dokumenteve”. Në nenin 4 thuhet edhe kjo: ”Të mos përdoren metodat jolojale dhe jolegjitime për të siguruar informata, fotografi ose dokumente.” Pra, edhe ky dokument kyç i rregullimit të lirisë së mediave, cakton obligime që të mos ndërrohet përmbajtja e dokumenteve, dhe të mos përdoren metoda jolojale dhe jolegjitime për informatat, fotografitë dhe dokumentet që shfrytëzohen. Pra, po të kufizohemi vetëm në respektimin e kësaj Deklarate, tematizimi i figurës së profetit Muhammed nuk është i lejuar, sepse nuk ka fotografi autentike, ashtu që çdo përpjekje, do të ishte “ndërrim i përmbajtjes” dhe përdorim i “metodave jolojale dhe jolegjitime”.

“Shtrembërimi i qëllimshëm është absolutisht i papranueshëm”

Lista e dokumenteve që mund të citohen për të argumentuar shkeljen drastike të tyre nga gazeta daneze, dhe nga të gjitha gazetat që botuan karikaturat fyese, është shumë e gjatë, por ne po e mbyllim me citimin e “Kodit Etik të Shoqatës së Gazetarëve Profesionalë Amerikanë”, në të cilin thuhet se “shtrembërimi i qëllimshëm është absolutisht i papranueshëm”, dhe: “të shqyrtohen vlerat personale kulturore dhe të evitohet që ato vlera t’u imponohen të tjerëve”.

Në rastin që po trajtojmë, të botimit të karikaturave të pështira kundër profetit Muhammed, e që u shndërrua në uragan të keqpkuptimeve dhe të dhunës, ka ndodhur ashiqare edhe shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve, sepse paraqitja e profetit Muhammed dhe e Islamit si militant dhe militar është shtrembërim i plotë. Po ashtu edhe imponimi i vlerave të një kulture, ose një qytetërimi, ndaj të tjerëve është në kundërshtim me obligimet që ka parashtruar Kodi Etik i sapocituar.

Duke i shikuar këto rregulla që janë vendosur në mënyrë të lirë dhe që respektohen në vendet perëndimore ndaj qytetarëve dhe shoqërive të veta, mund të konkludohet me siguri, se në rastin e botimit të karikaturave janë përdorur kute të dyfishta, një për vete dhe një për të tjerët, duke e promovuar diskriminimin fetar dhe provokimin e gjerë të muslimanëve në ato shtete dhe në botë.

Kriza e rëndë e botës muslimane

Lidhur me mënyrën e reagimit të muslimanëve ndaj provokimit të bërë me botimin e karikaturave fyese ndaj profetit Muhammed, do të thosha se ajo mënyrë reagimi ka zbuluar krizën e rëndë të botës muslimane. Në fakt, reagimet me dhunë, janë larg të qenit moralisht dhe fetarisht të arsyetueshme. Reagimet e dhunshme, nga të cilat kanë pësuar njerëz të pafajshëm, është në kundërshtim me natyrën paqësore të Islamit. Ideja e ndëshkimit kolektiv, ta zëmë të danezëve, me thirrjen “kudo që të gjenden ata”, pavarësisht se çfarë bindjesh politike dhe fetare kanë ata, është më shumë e lidhur me idenë fashiste të ndëshkimit kolektiv, e kurrsesi me Islamin, i cili synon paqen, bindjen, integrimin, pajtimin dhe faljen. E dyta, ka ndodhur një manipulim i fortë me masat në disa shtete arabe, për të përmirësuar legjitimitetin e humbur të qeverive të tyre. Në ndonjë rast tjetër, protestat janë sponsorizuar për të dobësuar presionin që zhvillohet mbi disa shtete për reforma të vërteta islame dhe demokratike. Duke i nxitur masat që të dalin në rrugë, që të shprehin “patriotizmin e tyre”, ato qeveri i kanë bërë një shërbim armiqësor Islamit, sepse e kanë paraqitur para botës si të dhunshëm dhe primitiv, gjë që nuk ka të bëjë asgjë me Islamin e vërtetë. Me këtë manipulim, tek qytetarët evropianë dhe amerikanë është transmetuar mesazhi se gjoja Islami është i dhunshëm dhe antiperëndimor, prandaj ata duhet të rrinë sa më larg tij.

Nga kjo tablo mund të konkludohet se muslimanët në këtë rast janë viktima të dyfishta: viktima të arrogancës së sponsorizuar në nivel të kryqëzatës të disa mediave të Perëndimit, dhe viktima të qeverive të tyre të korruptuara, të cilat me këtë ngjarje kanë gjetur shansin që të tregohen “patriotike” dhe t’ia zgjasin jetën vetes. Por, muslimanët janë bërë në fakt viktima të injorancës së vet, për vetë faktin se nuk janë aq të organizuar që të bëjnë transformime rrënjësore të shoqërive të veta, e të mos presin që dikush nga jashtë t’ua transformojë shoqëritë e tyre, qoftë dhe me bomba e me burgje si ai i Ebu Graibit dhe kampi i Guantanamos.

Mundësitë që janë në dispozicion

Muslimanët duhet të gjejnë mundësi që ta riafirmojnë Islamin si program jete të tyre, në pajtim me vlerat e vërteta të demokracisë dhe të botës së sotme. Vetëm ashtu do të mund ta rikthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur dhe vetëm në atë rast askush nuk do të tallet me ta, e aq më pak me Profetin e njerëzimit, të cilin ata, nga injoranca e tyre ekstreme, duan ta paraqesin vetëm si të tyre.

E në një rast të tillë, vetë muslimanët do të mund të ofronin një shembull të lirisë së shprehjes, të bazuar në ligjin Hyjnor, dhe i cili do të vlente për mbarë njerëzimin, si një e drejtë dhe obligim universal, ashtu sikundër është vetë Islami në të vërtetë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit