Milot Rashica arriti ta bëjë një hap të madh në karrierën e tij duke u larguar nga Vitesse për t’iu bashkuar Werder Bremenit.
Sulmuesi i talentuar nga Kosova i kushtoi më shumë se shtatë milionë euro ish-kampionëve të Gjermanisë.
Por kohën e mrekullueshme të kaluar në Arnhem nuk e ka harruar lehtë vushtrriasi.
Ai ka shkruar një letër të gjatë duke falënderuar të gjithë në klubin e Vitesses por edhe tifozët verdh e zi.
“Unë jam duke i shikuar dy vite e gjysmë të mrekullueshme me të gjithë ju. E mbaj mend ditën time të parë në qytetin e juaj të bukur. Gjithmonë së bashku me shokët e mi me krenari kemi dhënë gjithçka nga vetja për klubin dhe tifozët”, tha ndër tjera Rashica.
![]()
“Ishte e pabesueshme kur arritëm të marrim Kupën ‘KNVB Beker’, isha shumë i lumtur me të gjithë ju”, vazhdoi tutje Miloti.
“Werder më kërkuan shumë të luaja me ta dhe më duhej ta merrja një vendim shumë të vështirë”.
“Qëllimi i një sportisti duhet të jetë për ta arritur maksimumin, aq sa është e mundur. Ardhja e një shansi për të luajtur në Bundesliga me Werder Bremen është thjesht një mundësi e madhe”, shkroi Rashica.
![]()
Ai në fund i ka falënderuar nga zemra të gjithë në qytetin e bukur të Arnhem.
“Unë kurrë nuk do ta harroj se të gjithë ju më keni ndihmuar për të arritur këtu dhe për t’i ndjekur ëndrrat e mija”.
“Këto fjalë janë nga thellësia e zemrës, nuk do ta harrojë kurrë kohën me ju. I uroj skuadrës gjitha të mirat dhe suksese. Ju lutem, më mbani mend mua si njëri nga ju dhe më dëshironi fat për këtë sfidë të re”, ka shkruar reprezentuesi kosovar.
![]()
Rashica duke festuar një gol me fanellën e Vitesses
Rashica iu bashkua Vitesses në verën e vitit 2013 nga klubi kosovar Vushtrria.
Ai në tri vite ka arritur të zhvilloj 100 ndeshje me klubin verdh e zi duke shënuar 13 gola dhe duke bërë 20 asistime.
