20.5 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

Letër Suu Kyi-së: “Edhe sa muslimanë të Arakanit duhet të vdesin”

Më të lexuarat

“Edhe sa muslimanë të Arakanit duhet të vdesin, sa gra muslimane duhet të përdhunohen dhe në çfarë mase populli do të asgjësohet derisa ti të reagosh”, shkruhet në letër

ANKARA (AA) – Pesë laureate të Çmimit Nobel përmes një letre të hapur i kanë bërë thirrje ministres së Jashtme të Mianmarit dhe ministres së Presidencës, Aung San Suu Kyi, të mbrojë të drejtat e muslimanëve të Arakanit, të cilët janë duke u përballur me dhunë nga ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në letrën e publikuar nga organizata me emrin “Femrat Nobeliste” thuhet se Kyi, si lidere de fakto e Mianmarit dhe nobeliste, ka përgjegjësi personale dhe morale të mbështesë dhe mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj.

“Edhe sa muslimanë të Arakanit duhet të vdesin, sa gra muslimane duhet të përdhunohen dhe në çfarë mase populli do të asgjësohet derisa ti të reagosh deri në ngritjen e zërit për mbrojtjen muslimanëve të Arakanit, të cilët nuk bëzajnë. Heshtja jote nuk përputhet me botëkuptimin tënd për demokracinë, për të cilin ti na ke folur me vite dhe të cilin të gjithë ne të kemi mbështetur”, thuhet në letër.

“Ne si gra të përkushtuara për paqe, motrat e tua dhe nobeliste, të bëjmë thirrje të marrësh qëndrim serioz për krizën që po përhapet shpejt, të njohësh muslimanët e Arakanit si shtetas me të gjitha të drejtat dhe sa më shpejt të marrësh të gjitha masat për mënjanimin e mundësive për persekutimin e civilëve të pafajshëm nga zyrtarët e Mianmarit”, theksohet më tej.

Letra është nënshkruar nga laureatet e Çmimit Nobel për Paqe në të kaluarën, Mairead Corrigan, Jody Williams, Shirin Ebadi, Leymah Gbowee dhe Tevekkul Karman.

Suu Kyi ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991 për “luftën kundër dhunës në favor të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 200 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, Lumit Naf ose rrugëve detare.

Fondacioni Emergjent për Fëmijët i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) më herët bëri të ditur se numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladesh ka arritur në afro 400 mijë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit