Së fundmi, pashë një lajm se në një plazh, se di ku, një grua a dikush tjetër, kishte kapur një të moshuar që fotografonte apo filmonte vajzat me rroba banje. Plakun “pervers” e kishin bërë rezil në sy të njerëzve.
Edhe pse në mendësinë e sotme etike moderne, ky reagim qytetar duket normal, dalja në plazh pothuajse cullak, mbuluar vetëm me “gjethe” para e pas, si njerëzit e xhunglës, duket po ashtu normale dhe e pranueshme! Kjo do të thotë se në publik, ku të shohin me qindra e mijëra sy njerëzish, mund të dalësh gjetherënë, dhe kjo qenka normale, por kur të tjerët të ngulin sytë apo të fotografojnë, kthehet në perversitet!
Ti që ke lirinë tënde të dalësh lakuriq apo gati lakuriq në mes të meshkujve, je plotësisht e ndershme dhe brenda normave të moralit publik, por të tjerët nuk kanë liri të të vështrojnë me ëndje dhe as të tërhiqen nga hiret e tua femërore, që i ke ekspozuar publikisht si mall vitrine, përndryshe janë perversë!
Perversiteti pra ngelet vetëm i njëanshëm, nga meshkujt që nuk përmbajnë dot veten kur shohin femrat blec, ndërsa këto të fundit që janë zhveshur lakuriq ndershmërisht, mund t’i kundrojë vetëm dielli dhe ndonjë qenie humane që nuk ua prish terezinë morale!
Ky është absurditeti i të ashtuquajturave kritere etike që ka vendosur mendësia e sotme moderne e lakuriqësisë së ndershme! Lakuriqësi publike e lejuar dhe normale, por shikim i ndaluar dhe me preferenca subjektive!
Perversiteti ka shkak dhe pasojë, dhe asnjëra nuk është e pavarur nga tjetra. Nuk mund të fajësosh vetëm njërën, pa ngarkuar sadopak me përgjegjësi edhe tjetrën, përndryshe mbërrijmë në këtë absurditet ku jetojmë, tek sforcohemi në mënyrë të panatyrshme të kërkojmë etikën kontradiktore të intimitetit publik!
Masiviteti i së turpshmes në hapësirat e plazhit nuk e zhbën lakuriqësinë publike nga morale diku në amorale diku tjetër. Asnjë femër e ndershme nuk do të guxonte të dilte në rrugë, ashtu siç del në plazh, atëherë ku është dallimi? Asgjë më shumë sesa një justifikim kontradiktor dhe absurd logjik, që përligj të turpshmen për morale në mënyrë arbitrare, ndërkohë që pasojat janë të njëjta.
✍️🏼 J.T
