Kush harron mirësinë tënde, e ka harruar mirësinë e Allahut
Ka njerëz që të afrohen, të përqafojnë, të mbështesin, por jo sepse të duan me të vërtetë. Ata janë aty vetëm sa të kenë diçka për të marrë. Kur u jep, të buzëqeshin. Kur u plotëson nevojat, të thonë: “Ti je i veçantë.” Por kur nuk kanë më nevojë për ty, largohen si të mos të kishin njohur kurrë. Harrojnë kujdesin, përkushtimin, sakrificën. Harrojnë se ti u dole në krah kur askush tjetër nuk ishte aty.
Mos u lëndo.
Bëje të mirën për Allahun, jo për njerëzit. Sepse kur veprat tua janë për Të, zemra jote nuk thyhet edhe kur të mohojnë, nuk tronditet edhe kur të lënë vetëm. E mira që bëhet për Allahun është gjithmonë e mbrojtur, edhe kur bota e harron.
Por çfarë është më e dhimbshme se kjo?
Nuk është vetëm harresa ndaj një njeriu të mirë. Është harresa ndaj Atij që jep çdo të mirë. Është kur njeriu harron mirësitë e Allahut, Krijuesit të tij. Allahu është Ai që të dha jetë, shëndet, familje, dashuri, dituri, punë, forcë dhe shpresë. Ai të nxori nga sprova, të solli dritë në errësirë, të mbrojti kur askush nuk të pa. Dhe prapë, sa shumë janë ata që jetojnë çdo ditë me frymën që Allahu ua dhuron, por jetojnë si të mos e kishin njohur kurrë Atë.
Njeriu më i mirë që ka ecur ndonjëherë në sipërfaqen e tokës, Muhamedi ﷺ, ka thënë:
مَنْ لَا يَشْكُرُ النَّاسَ لَا يَشْكُرُ اللَّهَ
“Kush nuk falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar Allahun.”
(Transmeton Imam Tirmidhiu, 1594. Hadithi është i saktë – Sahih)
Ky hadith na mëson një të vërtetë të thellë:
Mosmirënjohja ndaj njerëzve nuk është vetëm mungesë edukate, është shenjë e një zemre që nuk e njeh vlerën e dhuntive të Allahut.
Kujto:
Sa të mira ju ka dhuruar Allahu, e ju nuk falënderoni.
Ai ju shpëtoi nga sprova, dhe ju e harruat.
Ai ju dha mundësi kur të gjithë të kthyen shpinën, dhe ju vepruat njësoj me Të.
Ai ju solli dritë në errësirë, dhe ju zgjodhët të mbyllni sytë.
Mos u bëj nga ata që harrojnë…
Mos u bëj si ata që qëndrojnë pranë vetëm për interes.
Mos u bëj si ata që mohojnë çdo të mirë sapo ta kenë kaluar nevojën.
Mos u bëj si ata që e harrojnë Allahun, kur Ai kurrë nuk i harroi ata.
Falëndero. Kujto. Ji ndryshe.
Mos e lejo mirësinë tënde të shuhet nga heshtja e atyre që nuk e njohën vlerën tënde.
Dhe asnjëherë mos harro: falënderimi është dritë në shpirtin tënd dhe urë që të lidh me Krijuesin tënd.
– Fitim Gërguri
