Në Gaza, kjo nuk është më një pyetje poetike,
as një meditim i rastësishëm në errësirë,
por një e vërtetë që troket çdo natë në derën e çdo shtëpie.
Nënat nuk i dërgojnë më fëmijët në shkollë,
por i përgatisin për largim.
I puthin ballëkuq,
sikur është për herë të fundit,
dhe shuajnë dritat para kohe –
jo për gjumë, por nga frika se mos ndriçojnë mbi një kasaphanë.
Në errësirën e natës,
familjet mbështillen me njëri-tjetrin,
dhe bisedat nisin me zë të ulët, si lutje:
– A ende dëgjohen avionët lart?
– A ka rënë një tjetër dëshmor sonte?
– A do të jetë shtëpia jonë ajo që s’do ta shohë më agimin?
Askush nuk ka përgjigje…
Veç Allahu e di kë do të thërrasë vdekja sonte,
e kush do të shpëtojë me trupin gjallë,
por me shpirtin të groposur në një mëngjes tjetër.
Këtu, koha nuk është më orë apo minuta,
është një baste gjaku:
A do të kalojë kjo natë pa u shembur muret mbi dashuritë tona?
E ardhmja s’është më ëndërr,
por një listë e varur te porta e varrezave,
ku çdo emër pret radhën e vet –
në heshtje, me lot që s’kanë më kohë të bien.
Në Gaza, edhe gjumi është bërë një akt faljeje,
ndërsa harta e bombardimeve është ditari i përditshëm i dhimbjes.
Lamtumira nuk është më një ngjarje e rrallë,
por një gjuhë e përditshme:
gjuha e nënave, e fëmijëve, e gjithë qytetit.
Dhe fëmijët nuk pyesin më:
“Kur do të jetojmë?”
por vetëm:
“Kush do të ikë i pari?”
Rami Ebu Zubejdeh – Gaza
