14.6 C
Pristina
Thursday, September 29, 2022

Kurti: Serbia paturpshëm mohon gjenocidin në Srebrenicë

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia paturpshëm mohon gjenocidin në Srebrenicë – vendin ku forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjatë luftës së viteve ’90. Më 11 korrik bëhen 27 vjet nga kjo masakër, e cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. “Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit…”, shkroi Kurti në Facebook. Autoritetet në Serbi, por edhe udhëheqësit e serbëve të Bosnjës refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”. Kjo, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur masakrën si gjenocid. Vitin e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg. Masakra e Srebrenicës ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, më 1995. Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq. “Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por, ai mund të njihet duke u pranuar”, shkroi Kurti në Facebook. Kosova është në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Procesi ka nisur në vitin 2011, mbi një dekadë pas përfundimit të luftës në Kosovë, të iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb. Gjatë luftës së viteve 1998/99, në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000. Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1,600 persona.

/rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit