Dr. Abdullah bin Mu’juf el-Xhejd
Falënderimi i takon Allahut, i Cili e bëri thirrjen (da’ven) një jetë që nuk jetohet vetëm me gjuhë; dhe salavatet e selamet qofshin mbi atë, fjalët e të cilit ishin dritë, heshtja e tij udhëzim dhe shqetësimi i tij mëshirë.
Da’veja dikur ishte në zemrën e thirrësit si një kandil i ndezur:
ndizej nga brenda dhe drita e tij shtrihej jashtë.
Njerëzit nuk vinin tek ai vetëm për bukurinë e shprehjes, por për nxehtësinë e imanit që depërtonte ndërmjet fjalëve të tij.
Por kandili, sado i fortë të jetë, mund të zbehet nëse i zoti i tij neglizhon vajin… Kështu ndodh që thirrësi ndonjëherë tërhiqet nga fusha — jo me hapa që shihen, por duke lënë pas dore vajin që ushqente dritën e zemrës së tij.
Fillimi: një çarje e vogël që askush s’e sheh
Çdo tërheqje shpirtërore nis nga një vend që s’e sheh askush, përveç Allahut.
Një çast ku mungon ai përulësim (hushu’) që hapte portën; një çast ku shtyhet dhikri që ia gjallëronte shpirtin; një çast ku zjarri i sinqeritetit (ihlasi) zëvendësohet me ftohtësinë e kryerjes formale.
Dhe ashtu si muri nuk bie menjëherë…
as thirrësi nuk rrëzohet papritur.
Por shtohen çarjet e vogla: angazhim i tepruar, plogështi, ngushtim nga njerëzit, rëndim i vullnetit… derisa zgjohet e e gjen veten në skaj të rrugës, pasi dikur ecte në zemër të saj.
Shenjat e shuarjes: prani që i ngjan mungesës
Disa thirrës u zbehet hapi, pa iu zhdukur hija. Shihen në tubime, dëgjohen në takime, përmenden në raste… por diçka në sytë e tyre nuk shkëlqen më si dikur, dhe diçka në zërin e tyre nuk e mban më shpresën që ua lehtësonte njerëzve dhimbjet.
Sikur da’veja të ishte bërë një rrobë që e vesh, jo një shpirt që e banon.
Sikur zemra që digjej për të tjerët, tani të kërkonte një ngrohtësi që ta ndezë vetë — e s’po e gjen.
Njerëzit mund të mos e vënë re ndryshimin…
por zemra e di fare mirë se tani flet më shumë sesa ndikon, dhe merr pjesë më shumë sesa ngjall.
Shkaku më i thellë: kur lumi thahet nga burimi
Da’veja nuk është thjesht aftësi, as zanat, as rol shoqëror.
Ajo është një lumë që rrjedh prej lidhjes së robit me Zotin e tij.
Kur burimi thahet, shtrati i lumit mbetet vetëm si vizatim — pa ujë.
Thirrësi mund t’i fajësojë rrethanat, njerëzit, ose kohën… por e vërteta është se tharja nis atëherë kur thirrësi harron se vaji që e ndriçon kandilin e da’ves është: sinqeriteti i fshehtë, vetmia e natës, dhe kërkimi i vërtetë.
Nuk dobësohet një thirrje që mbështetet te Allahu;
nuk vyshket një zemër që e ka shtyllë mihrabin;
dhe thirrësi nuk e humb gjurmën e tij, përveçse kur e humb lidhjen me Zotin.
Çasti i përballjes: a po derdhet ende drita?
Thirrësit i duhet nganjëherë të ndalet para vetes me guxim:
A është ende rruga — rrugë?
A kalojnë ende fjalët nga zemra në zemër, apo nuk dalin më prej zemre fare?
A është ende da’veja dritare drejt ahiretit, apo është bërë dritare vetëm drejt njerëzve?
Lloji më i rrezikshëm i mungesës është:
që njeriu të jetë i munguar ndërsa rri në vendin e tij;
që zemra të ketë dhënë dorëheqje, ndërsa gjuha vazhdon të punojë.
Kjo lloj mungese nuk shihet…
por e fshin gjurmën që Allahu ia kishte shkruar në jetën e njerëzve.
Rruga e kthimit: ringjallja e kandilit para rregullimit të rrugës
Kthimi në fushë nuk është në shtimin e aktiviteteve dhe as në shumimin e programeve; por në ringjalljen e kandilit brenda zemrës:
– kthimi te çasti kur thirrësi tha për herë të parë: “O Zoti im, më bëj shkak që dikush të udhëzohet për tek Ti.”
– kthimi te një abdes i gjatë, një sexhde e sinqertë, dhe një lot që e pastron zemrën nga pluhuri i dynjasë;
– kthimi te Kur’ani — jo vetëm si metodë, por si zë që i flet shpirtit;
– kthimi te shoqëria që sjell jetë, jo ajo që prodhon justifikime.
Kur zemra kthehet tek Allahu,
kthehet drita në kandil;
kandili kthehet në rrugë;
dhe rruga kthehet te njerëzit.
Përmbyllje: mos lejo që drita jote të venitet pa e kuptuar
Thirrësi mund të harrohet nga një post, mund të anashkalohet nga një komision — këto janë humbje të dynjasë që kapërcehen.
Por humbja e madhe…
është të tërhiqet nga vendi i kumtimit në emër të Allahut, ndërsa ende mendon se është aty.
Të mendojë se drita vazhdon, ndërsa s’ka mbetur prej saj veç një gjurmë e vjetër.
Da’veja nuk është një etapë që mbyllet, as një punë që përfundon; ajo është një frymë që del prej një zemre që e sheh Allahun para se t’i shohë njerëzit.
Ruaje frymën tënde nga shuarja,
ruaje kandilin tënd nga venitja,
sepse zemrat që Allahu i ka ndriçuar njëherë… meritojnë që të mos i fikësh me dorën tënde.
Përktheu: Bekir Halimi
