9.4 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Kur përulet i fuqishmi i tokës, mëshiron i fuqishmi i qiellit.

Më të lexuarat

Mundhir ibn Said, kryekadiu i Kordovës dhe një nga dijetarët më të shquar të medhhebit dhahiri në Andaluzinë islame. Jetoi në kohën e kalifit të parë në Andaluzi; Abdurrahman Ngadhënjimtarit (Nasirit), i cili pasi e provoi si emisar në shumë raste dhe mbajti me sukses shumë detyra, e emëroi kryekadi dhe imam në xhaminë Zahra, xhaminë e madhe të Kordovës.

Kur thatësira goditi Andaluzinë, Nasiri i dërgoi Mundhir ibn Saidit një lajmëtar për faljen e namazit për kërkimin e shiut.

Do të dal – i tha imam Mundhiri, por dua të di si është kalifi?

Kurrë më parë nuk e kam parë kaq të përulur –ia ktheu lajmëtari. I vetmuar, me rroba të ashpra, me dheun për shtrat, qan me dënesë dhe pranim faji. Thotë: A po e dënon rajanë për fajet e mia, e ti je më gjykues e më i drejtë se çdokush?!

Mundhirit i shkëlqeu fytyra dhe iu drejtua djaloshit që ishte me të: O djalosh! Merre çadrën me vete! Kur përulet i fuqishmi i tokës, mëshiron i fuqishmi i qiellit.

Njerëzit u mblodhën në namazgjanë e Rabadit, në periferi të Kordovës dhe imam Mundhiri erdhi në këmbë e i përulur. Kur u ngrit para njerëzve të mbante hytben lotoi nga pamja që pa. U dha selam dhe heshti gjatë. Nuk ishte zakon i oratorit të Andaluzisë të heshte. Njerëzit vështronin njëri-tjetrin të habitur.

Pastaj u dha edhe një herë selam dhe tha: Zoti juaj ia ka detyruar vetes mëshirën. Kërkojini falje zotit! Kthehuni tek ai! Afrohuni me punë të mbara! Gulçimat dhe lotët mbushën vendin dhe njerëzit zunë të luten. Mundhir ibn Saidi zuri të thoshte: O njerëz! Ju jeni nevojtarë për Allahun, ndërsa Allahu, ai është i pavaruri, i lëvduari. E njerëzit nuk ishin ngritur akoma kur ia behu një shi i begatë.

Vëllezër të nderuar! Ne, myslimanëve të kohës sonë, do të na kapë mbarësia atëherë kur t’i përulemi vetëm Allahut të madhëruar, atëherë kur të kuptojmë se i fuqishëm në të vërtetë është vetëm zoti ynë, atëherë kur të kuptojmë se mbështetja e vërtetë është vetëm te krijuesi dhe jo te krijesat.

(Historia është marrë e përmbledhur nga libri i njohur i imam Dhehebiut “Jetëshkrimet e personaliteteve të ndritura”)

Nga Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit