16.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Kur je vetëm statistikë

Më të lexuarat

Nga: Hamza Jusuf

Kur je vetëm statistikë

Hamza Yusuf
Thuhet se një liberal është vetëm një konservator që nuk është sulmuar ende. Ndonjëherë duhet të ndodhë diçka traumatike që ne të kuptojmë realitetin e situatës tonë dhe të detyrohemi të mendojmë për besimin dhe sjelljen tonë.
Amerikanët janë para së gjithash njerëz qytetarë dhe të ndershëm dhe jo pronë e reagimeve të dhunshme, por aktualisht miliona amerikanë po ekspozohen ndaj pikëpamjes së shtrembëruar dhe joreale për Islamin se 1) Islami është një fe negative; 2) lindi në mes të dhunës dhe nxit dhunën mes ndjekësve të saj; dhe 3) një numër i madh myslimanësh amerikanë po punojnë për të shkatërruar qeverinë e këtij vendi dhe për të vendosur ligjin sheriatik.
Këto ide mund të duken të çuditshme dhe të panatyrshme, por disa prej faqeve më të mëdha të internetit që nxisin këto pikëpamje kanë qindra mijëra vizitorë çdo muaj. Problemi me një keqinformim të tillë është se kur dikush ka dëshirë të mësojë për Islamin dhe bën një kërkim në google, ka shumë gjasa që ai të shohë imazhin e një vajze me hundë të prerë. Akoma më keq, pjesa më e madhe e 10 artikujve kryesorë që gjen nga një kërkim i tillë, nuk janë artikuj përshkrues që shpjegojnë se çfarë është sheriati – por janë artikuj që propagandojnë mendimin se sheriati nuk duhet të zbatohet dhe se është negativ.
Prandaj, edhe nëse njerëzit kërkojnë me sinqeritet të dhëna për Islamin, ata mund të keqinformohen dhe të hasin në propagandë anti-islamike. Veç kësaj, edhe njerëzit e shkolluar e kanë shumë të vështirë ta dallojnë atë që është e saktë nga propaganda kundër Islam. Gjithashtu në internet qarkullojnë shumë e-mail-e, që citojnë gabimisht Kuranin dhe hadithin, ose bëjnë citime jashtë kontekstit.
Në fakt, nëse futesh në një librari sot dhe kërkon libra që kanë të bëjnë me Islamin, rreth gjysma e librave janë kundër myslimanëve, ose janë shkruar nga femohuesit, të cilët janë larguar nga Islami dhe në fakt e urrejnë atë. Nëse kërkon një libër për Kuranin, libri që mund të të tërheqë vëmendjen është The Infidel’s Guide to the Koran, dhe kështu fillon ta lexosh atë dhe ai i shtrembëron faktet e Islamit të vërtetë duke përdorur vargje kuranore ose hadithe. Vargjet kuranore të cituara shpjegohen jashtë kontekstit historik dhe përdoren për të ndryshuar mesazhin tërësor të Kuranit.
Është e lehtë ta bësh Islamin të duket si feja më negative në planet, duke përdorur citime nga burimet parësore. Gjithashtu është e lehtë të bësh të njëjtën gjë me Krishterimin, Judaizmin, apo ndonjë fe tjetër në botë, por pjesa më e madhe e njerëzve, qoftë edhe Christopher Hitchens dhe Richard Dawkins, e dinë se Judaizmi dhe Krishterimi nuk janë fe keqdashëse. Megjithatë ata nuk e dinë të njëjtën gjë për Islamin, sepse ne kemi lejuar që njerëz të tjerë ta përkufizojnë Islamin.
Kërkoni në raftet e librarisë për fetë e tjera dhe do të gjeni një grup librash krejt të ndryshëm. Për shembull, nuk do të gjeni asgjë negative për Judaizmin në raftin e rezervuar për Judaizmin dhe nëse kjo ndodh, te jini të sigurt se organizatat kryesore hebraike do të organizojnë një grup vullnetarësh, të cilët do t’u shkruajnë botuesve dhe librarive dhe këta libra do të zhduken nga raftet në kohë rekord. Raftet ku gjenden librat për Krishterimin janë të mbushur plot dhe nuk preken aspak nga ata pak tituj që e paraqesin krishterimin nga një këndvështrim jo shumë pozitiv. Edhe raftet për Wicca dhe paganizmin përmbajnë disa tituj si “Si e gjej paqen e brendshme duke adhuruar hënën” dhe “Si mund të ta kurojë Shejtani dhimbjen e kokës”.
 
Kur Liza është në Botën e Çudirave dhe e pyet Humpty Dumpty-n në lidhje me përdorimin e fjalëve, ai thotë: “Kur përdor një fjalë, ajo nënkupton atë që unë dua të nënkuptojë – as më shumë e as më pak.”
Liza i përgjigjet: “Çështja është nëse mund t’ia arrish që fjalët të kenë disa nënkuptime”.
Humpty Dumpty thotë: “Çështja është cila do të jetë kuptimi kryesor – vetëm kaq”. Domethënë, cili kuptim do të jetë përfundimtar?
 
Kur ne themi “Islam”, a i referohemi fesë së bukur të paqes dhe ngritjes shpirtërore që mbështet miliona njerëz gjatë udhëtimit të tyre në jetë dhe i nxit ata të bëjnë vepra të mira, apo është marrëzia mesjetare anakronike, e dhunshme e mizogjine që tani po infekton Amerikën?
Kur themi “xhihad”, a nënkuptojmë një betejë të ndershme për drejtësi sociale dhe betejën e brendshme me vetveten kundër egos, zilisë, krenarisë, koprracisë dhe gjërave të kota, dhe të drejtën universale për të mbrojtur tokën ose shtëpinë nga agresorët, apo ka kuptimin të presësh brutalisht dhe barbarisht kokat, hundët, veshët e njerëzve, të rrahësh gratë, apo të hedhësh në erë njerëz të pafajshëm, thjesht sepse nuk janë pjesë të një besimi?
Kush do t’i përkufizojë fjalët? A do ua lëmë në dorë të tjerëve? A do t’jua lëmë në dorë njerëzve, të cilët kanë kaluar pasqyrën dhe po jetojnë në Botën e Çudirave ku e zeza është e bardhë, ku gjërat janë përmbys, e drejta është e gabuar dhe ku gjërat funksionojnë, ashtu si mbretëresha e kujton Lizën “Dënimi në fillim- gjykimi më pas”? Kush do të vendosë?
Këto mesazhe të paepura dhe të urryera kanë filluar të kenë ndikimin e tyre me kalimin e tyre. Këtë e vëmë re në ndryshimet e pikëpamjeve të përgjithshme për Islamin. Nga sondazhet e kryera menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit, pjesa më e madhe e njerëzve nuk kishin mendim negativ për Islamin. Por tani, ky rezultat ka ndryshuar shumë. Shumica e njerëzve në Amerikë mendojnë negativisht për Islamin. Kjo ka ndodhur pikërisht për faktin se njerëzit, të cilët duan ta përhapin këtë mendim po punojnë shumë. Ata kanë financuar organizata, botime librash, transmetime mesazhesh kundër Islamit në emisione televizive dhe në përgjithësi, kanë qenë zërat e vetëm, që janë dëgjuar nga pjesa më e madhe e amerikanëve. Myslimanët kanë qëndruar të heshtur, ose thjesht kanë ndjekur të tmerruar përhapjen e këtyre mendimeve.
Ja se çfarë ndodh. Pjesa më e madhe e njerëzve, të cilët nuk e pëlqejnë Islamin, ose mendojnë negativisht për të, nuk është se bëjnë veprime kundër tij, duke qenë se janë të angazhuar me jetën e tyre dhe mendojnë për problemet dhe shqetësimet që kanë. Megjithatë, moderatorët e programeve televizive, shkrimtarët e editorialeve – të cilët Malcolm Gladwell në Tipping Point i quan “ekspertë, bashkues, dhe ndikues” – po lexojnë librat që flasin keq për Islamin, të cilët janë shumë të shitur, si për shembull Islamic Infiltration; Muslim Mafia; Muhammad: Founder of the World’s Most Intolerable Religion; Infidel’s Guide to the Qur’an; Why I am Not a Muslim; Infidel; Islamic Invasion – dhe shumë prej këtyre librave u dërgohen senatorëve dhe anëtarëve të Kongresit. Shumica e njerëzve në këtë shtet nuk lexojnë libra apo gazeta, por pjesa më e madhe ndjekin Fox News. Ata i dëgjojnë prezantuesit e emisioneve ku zhvillohen diskutime. Ata dëgjojnë Rush Limbaugh, Ann Coulter, dhe Bill O’Reilly, dhe të gjithë këta ekspertë ndiqen nga miliona amerikanë dhe atyre u serviret një pikëpamje e njëanshme për Islamin.
Sipas një studimi të kohëve të fundit, mbi 50% e evangjelistëve besojnë se njerëzit që nuk e besojnë krishterimin mund të shkojnë në parajsë, dhe vetëm 35% e të njëjtin grup mendojnë se myslimanët mund të shkojnë në parajsë. Në botë ka miliona njerëz, të cilët mendojnë se të gjithë myslimanët do të shkojnë në ferr.
Në këtë segment të shoqërisë, ka njerëz, të cilët Kurani i emërton si “sufahah”. Këta janë të paditurit, injorantët – xhahilinët: njerëzit që nuk kanë dije, janë të rrëmbyer dhe fanatikë. Në çdo komunitet ka njerëz të tillë, në komunitetin mysliman, atë hebre dhe të krishterë, gjithashtu njerëz të tillë ka edhe mes humanistëve laikë.  
Në çdo komunitet ka njerëz irracionalë, ose që vuajnë nga çrregullimi i personalitetit antisocial, të cilët mund edhe t’i presin fytin një taksisti nga Bangladeshi nëse ai thotë: “Unë jam mysliman”. Këtyre njerëzve po u jepet gjithmonë e më shumë autoritet. Në fakt njerëzit ndikohen më shumë nga njerëzit e ligj gjatë periudhave të vështira ekonomike. Ndërsa përqindja e papunësisë rritet, po ashtu edhe krimi, dhe njerëzit kërkojnë objektiva të reja ku të shfryjnë agresionin e tyre, përse të mos e bëjnë ndaj një myslimani? Deti tani njerëzit kanë shpikur “Ditën e Djegies së Kuranit” – a do të pasojë një “Ditë për të sulmuar një mysliman”?
 
Zgjedhjet tona janë të qarta. Ne mund të rrimë ulur dhe të shohim gjithçka që po ndodh, dhe të mendojmë se gjërat po shkojnë mirë. Ne mund të mendojmë: “Fqinjët e mi janë mirë; të gjithë sillen mirë me mua në punë”. Por nëse ju mendoni kështu, atëherë po jetoni në një flluskë. Dhe ta dini se flluska juaj është gati duke shpërthyer. Kam vënë re një tendencë që po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Dhe nëse nuk bëhet diçka, nëse nuk bëhet gjë për të kundërvepruar gjërat mund të shkojnë në një drejtim të rrezikshëm. Edhe në këtë rast mund të përdoret ligji i fizikës i Njutonit: trupat në prehje do të mbeten në qetësi, ndërsa trupat në lëvizje do të mbeten në qetësi, në rast se nuk ndikon një forcë e jashtme.
Një grup mesazhesh janë në lëvizje dhe kjo gjë është e tmerrshme. Ato sponsorizohen në shkallë të lartë dhe kanë ndikim te njerëzit, kanë ndikim te mendimet e tyre të cilat ishin në qetësi para 11 shtatorit. Profeti (a.s.) ka thënë: “Mosmarrëveshjet ndërmjet njerëzve janë në qetësi, dhe Zoti e mallkoftë atë që i zgjon ato”. Ky hadith tregon se fatkeqësitë mund të ndodhin dhe pasionet e njerëzve mund të zgjohen me lehtësi. Ky është një fenomen i shpeshtë dhe ka ndodhur me kalimin e viteve në gjithë botën. Pyesni një refugjat boshnjak në Amerikë, familja e të cilit u sulmua nga fqinjët e tij serbë pa asnjë arsye, pasi kishin qenë miq gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo ndodhi për shkak të një fushate të dhunshme propagandistike të zhvilluar nga nacionalistët serbë, të cilët kishin bërë aleancë me disa elementë ekstremë të Kishës Ortodokse. Rezultati ishte tragjik, por njerëzit mendonin atëherë, po ashtu si edhe tani: kjo nuk mund të ndodhë asnjëherë këtu.
Nëse nuk del një forcë që ta kundërshtojë këtë, myslimanët do të zgjohen në një Amerikë krejt ndryshe, një Amerikë që është larguar nga idealet e saj fisnike dhe të admirueshme dhe ata do të duan të dinë se çfarë ka ndodhur.
Ajo që ndodhi ishte se ti ishe në gjumë. Ashtu siç ishin njerëzit para nesh. Njerëzit e harrojnë se vitet 1920 në Gjermani ishin një prej periudhave më liberale. Por pasoi hiperinflacioni, papunësia e lartë dhe shumë probleme sociale, dhe para se ata ta kuptonin, nëpërmjet zgjedhjeve demokratike sollën në pushtet fashistët. Fashistët nuk e morën pushtetin me dhunë, ata u zgjodhën në rrugë demokratike. Këtë periudhë ka vetëm disa kandidatë të urryer dhe të xhindosur, të cilët garojnë në Senat dhe për pozicionin e guvernatorit. Ju mund të thoni: “Oh, epo, janë një numër i vogël”. Por kështu fillojnë gjërat. Dhe në kohë të vështira njerëzit kthehen në demagogë, dhe janë gati të hyjnë në veprim.
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit