Gjatë tri dekadave të fundit të kapitalizmit, fokusi është zhvendosur nga ekonomia reale drejt një zgjerimi financiar që ka natyrë besimi (fiduciare), me lidhje minimale me krijimin e pasurive fizike. Flluska po zmadhohet me zgjerimin e derivateve, opsioneve dhe pretendimeve – një mori derivatesh të mallrave dhe të kreditit. Nuk po merremi më aq me zhvillimin real fizik të ekonomisë reale. Nuk po merremi më me pasuri reale, madje as me pretendime mbi pasuri të prekshme, siç janë aksionet dhe obligacionet. Në vend të kësaj, po merremi gjithnjë e më shumë me pretendime fiktive mbi pretendime për pasuri. Jemi nën thundrën e një ekonomie virtuale – në gjendje të prodhojë milionerë e miliarderë, por jo të ushqejë miliona të uritur apo të sigurojë punë për miliona të papunë.
Le të krijojmë një përfytyrim për formën reale të kësaj ekonomie. Tregtia botërore, pra e gjithë tregtia ndërkombëtare me mallra dhe shërbime, përbën vetëm një të pesëdhjetën (1:50) e tregtisë me këmbim valutor. Raporti ndërmjet këmbimit valutor të nevojshëm për tregtinë reale botërore dhe tregtisë me derivate valutore është 1:50. Çdo ditë, derivate valutore me vlerë 1.3 trilionë dollarë amerikanë ndërrojnë duar në tregjet ndërkombëtare valutore – kjo është 50 herë më shumë se tregtia reale fizike ditore në botë. Le të marrim një tjetër tregues: ndërsa Prodhimi Kombëtar Bruto i të gjitha vendeve të botës së bashku është rreth 30–32 trilionë dollarë amerikanë, qarkullimi vjetor i derivateve ka tejkaluar tashmë 500 trilionë dollarë. Duke lënë mënjanë faktin që njëri është ‘rrjedhë’ e tjetri ‘stoku’, duhet të ekzistojë një lidhje e brendshme ndërmjet ekonomisë fizike të bazuar në pasuri dhe ekonomisë monetare, e cila në thelb ka për funksion të lehtësojë prodhimin dhe shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve reale, për të siguruar mirëqenien e të gjithë njerëzve. Kjo qendër e vëmendjes tani është shkatërruar. Kush janë përfituesit e kësaj lojë? Kush janë lojtarët kryesorë? Disa institucione financiare dhe një grusht miliarderësh po nxjerrin fitime nga kjo. Ata nuk po fitojnë duke rritur rrjedhën e mallrave dhe shërbimeve, e për pasojë duke e përmirësuar dhe pasuruar jetën e të gjithë njerëzve. Ata po fitojnë duke krijuar vetëm më shumë para, para virtuale. Interesi (kamata) po luan një rol kyç në këtë proces. Ndërsa arena e vërtetë dhe shtëpia financiare e kësaj ekonomie të fryrë është SHBA-ja dhe vendet e zhvilluara të Perëndimit, e gjithë ekonomia botërore – nga individët te firmat private, nga ekonomitë kombëtare te ekonomia globale – po tërhiqet në këtë vorbull fiduciare.
Duke kaluar në anën tjetër të kësaj loje globale të pushtetit, pohohet sërish se, ndonëse huatë dhe borxhet kanë ekzistuar gjithmonë në histori – qoftë për nevoja personale apo në situata të vështira, qoftë për të lehtësuar tregtinë dhe për të rritur prodhimin – për herë të parë në historinë njerëzore, nga ekonomia kombëtare deri te ajo globale, gjithçka po bëhet e varur nga borxhet dhe institucionet financiare që i kontrollojnë dhe i menaxhojnë ato. Bankat dhe institucionet financiare janë lojtarët globalë që po krijojnë kredi, po përfitojnë nga frytet e saj, dhe po i mbajnë të tjerët peng në këtë formë të re të skllavërisë globale. Borxhi është instrumenti më i fuqishëm i kontrollit dhe ndërhyrjes në këtë ekonomi moderne. Skllavëria përmes borxhit është forma më moderne e skllavërisë. Statistikat për Shtetet e Bashkuara mund të na japin një ide se si funksionon ky sistem.
Borxhi kombëtar i SHBA-së, vendi më i pasur në botë, ishte vetëm 1 miliard dollarë në vitin 1901, viti i parë i shekullit XX. Në vitin e fundit të shekullit XX, borxhi publik kishte kaluar në mbi 4 trilionë dollarë. Nëse përfshihet edhe borxhi ndërkombëtar (dhe ironia qëndron në faktin se Amerika është vendi më i zhytur në borxhe në nivel ndërkombëtar), i cili kap shifrën e rreth 1.4 trilionë dollarëve, atëherë kjo superfuqi – që tani është e vetmja superfuqi – mban mbi shpinë një mal borxhesh prej 5½ trilionë dollarësh, dhe kjo vetëm në sektorin publik. Nëse përfshihen edhe borxhet private, veçanërisht kreditë për shtëpi, barra e borxhit i shton edhe 4–5 trilionë dollarë të tjerë vendit më të pasur të botës. Por kjo nuk është veçse gjendja e Amerikës; shumica e vendeve të botës ndodhen në një situatë të ngjashme. Vendet e Botës së Tretë janë viktima të një strategjie zhvillimi ekonomik të bazuar mbi borxhet e jashtme. Pas dyzet vitesh eksperimentimi me këtë strategji zhvillimi të mbështetur në borxh, vështirë se mund të shihet ndonjë zhvillim ekonomik në tokat e tyre. Janë vetëm malet e borxhit ato që po ua thyejnë shpinën.
Kur India dhe Pakistani fituan pavarësinë, ata kishin bilance të papaguara me sundimtarët kolonialë. Gjatë luftës, sasi të mëdha parash iu dhanë hua Qeverisë Britanike. Pakistani ishte në kredit dhe Britania në borxh. Po cila është gjendja sot? Borxhi i jashtëm i përgjithshëm i Pakistanit është rreth 38 miliardë dollarë. Ironia qëndron në faktin se në vitin 1971, kur Pakistani u nda më dysh dhe iu desh të merrte mbi vete tërë barrën e borxhit, borxhi i tij i përgjithshëm ishte vetëm 3 miliardë dollarë. Gjatë 30 viteve të fundit, vendi ka shlyer rreth 30 miliardë dollarë. Por pas shlyerjes së 30 miliardë dollarëve për një hua fillestare prej 3 miliardësh dhe disa huave të tjera, vendi ende është i zhytur në borxhe në masën e 38 miliardë dollarëve.
Brazili, një nga vendet më të zhvilluara me ritme të shpejta në Amerikën Latine, ka paguar rreth 70 miliardë dollarë gjatë 29 viteve të fundit dhe ende ka borxh rreth 200 miliardë dollarë. Borxhi i përgjithshëm i vendeve të Botës së Tretë ka kaluar tashmë shifrën prej 2 trilionë dollarësh. Çdo vit, vendet e Botës së Tretë paguajnë rreth 220 miliardë dollarë në formë interesi dhe amortizimi, dhe megjithatë ky borxh vazhdon të rritet. Ato detyrohen të marrin borxhe të reja vetëm për të paguar borxhet e mëparshme, me ç’rast në disa vende pagesat për shërbimin e borxhit i kalojnë tërësisht të ardhurat nga eksportet.
Tashmë ka një transferim neto të burimeve nga vendet e varfra drejt vendeve të pasura të botës. Afrika është bërë më e varfër gjatë 30 viteve të fundit. Sipas disa studimeve të fundit, për çdo 1 dollar neto që vendet e Botës së Tretë marrin në formë huash apo ndihmash të reja, ato paguajnë mbrapsht 11 dollarë. Nëse kjo nuk është skllavëri përmes borxhit, atëherë si duhet ta quajmë?
The post Ku do të na çojë kapitalizmi? appeared first on Ekonomia Islame.
